Bozdo: Ministria e Mirëqenies Sociale ndërton pa leje, Policia e Shtetit e merr në mbrojtje
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka akuzuar sot qeverinë se, vazhdon të përdorë standarde të dyfishta.
Sipas tij, nga njëra anë qeveria burgos dhe shkatërron ndërtime të qytetarëve në pamundësi dhe nga ana tjetër merr në mbrojtje ndërtime pa leje të ministrave dhe familjarëve të drejtuesve të lartë të qeverisë.
Një rast flagrant, sipas Bozdos, është dhe ai i punimeve pa asnjë leje që po kryen ministria e Mirëqenies Sociale, vetëm pak metra larg sheshit “Skënderbej”.
“Në mënyrë të përsëritur u është refuzuar informacioni punonjësve të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik, të cilët kanë bërë disa herë bllokimin e punimeve dhe kanë marrë masat përkatëse, siç parashikohen me ligj. Sot, në një akt të paprecedentë, punimet pa leje janë marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit. Policia ka penguar punonjësit e INUV të kryejnë punën e tyre, duke krijuar mbrojtjen e nevojshme për vazhdimin e punimeve pa leje në objektin e ministrisë së Mirëqenies Sociale”, theksoi Bozdo.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka parë nga afër situatën si dhe ka denoncuar mbrojtjen që qeveria dhe policia po i bëjnë paligjshmërisë.
“Punimet që kryhen në këtë objekt në mes të ditës, në mbrojtjen e plotë të Policisë së Shtetit, nuk kanë asnjë lloj leje ndërtimore. Ministria e z. Veliaj, që ka marrë përsipër të ndërtojë në këtë objekt, nuk ka bërë absolutisht asnjë lloj aplikimi sipas ligjit përkatës në Bashkinë e Tiranës, për t’u pajisur me leje zhvillimore. Të ndodhur në këto kushte, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor i Bashkisë së Tiranës ka ardhur dhe ka bërë të gjitha konstatimet përkatëse, duke vendosur edhe gjobën dhe duke nxjerrë edhe urdhrin përkatës për ta rikthyer objektin, në mungesë të një leje zhvillimore, në gjendjen e tij të mëparshme”, tha Bozdo.
Në zhvillim të këtyre procedurave, nënvizoi Bozdo, “sot jemi ndodhur përballë një akti të paprecedentë, aktin kur Policia e Shtetit keqpërdoret, vendoset midis Inspektoriatit, në kundërshtim të plotë me ligjin, në kundërshtim të plotë me shtetin ligjor dhe mbron kompaninë dhe ministrinë përkatëse, e cila në mes të Tiranës, në mes të ditës bën ndërtime pa leje”.
Sot, vijoi Bozdo, “njerëzit, qytetarët e thjeshtë dhe të varfër të këtij vendi burgosen pse ndërrojnë pllakat e tualetit të shtëpisë së tyre, ndërsa nga ana tjetër, standardi i dyfishtë që ofron qeveria është pikërisht ky që ju shikoni sot”.
“Në mes të Tiranës, me një ndërhyrje të plotë që meriton një leje të vëmendshme zhvillimore, në mungesë të të gjitha llojeve të dokumentacionit ndërtohet sepse qeveria vendos policinë për mbrojtje. Në çastin kur Inspektoriati ndërhyn dhe kërkon dokumentacione, policia gjithashtu ndërhyn për të mos lejuar Inspektoriatin e Bashkisë që sipas ligjit të bëjë punën e tij”, deklaroi Bozdo.