Qeveritare

Bushati: BE duhet të kujdeset për çështjet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor

banner_photouj_-_copy-583x350Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Londër në kuadër të zhvillimit të punimeve të konferencës “UK-Albania Trade & Investment”, zhvilloi një takim me Grupin e Miqësisë për Shqipërinë në Dhomën e Lordëve.

Ministri Bushati e cilësoi konferencën një event të rëndësishëm njohje mbi fushat e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe paraqiti mundësitë dhe lehtësitë që ofron Shqipëria për investitorët britanikë në fusha të tilla si energjia, turizmi, infrastruktura dhe tregtia.
Duke vlerësuar mbështetjen që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, ministri Bushati vuri në dukje përgatitjet serioze që po bën pala shqiptare për përmbushjen e reformave dhe kritereve që do të mundësojnë çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Bashkëbiseduesit ndanë mendimin për rolin konstruktiv dhe të matur të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit, çka reflektohet dhe në drejtimin e nismave rajonale SEECP dhe A5. Ata nënvizuan nevojën e zbatimit të politikave të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në Ballkan.
Gjithashtu, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Londër, ministri Bushati mbajti dhe një leksion në “London School of Economics” ku i njohu të pranishmit me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe iu përgjigj interesimit të të pranishmëve mbi zhvillimet e fundit në rajon.
Ministri i Jashtëm shqiptar tha se përtej paqes dhe stabilitetit, narrativa e BE-së për Ballkanin Perëndimor duhet të fokusohet më shumë në zhvillimin dhe lidhjen ekonomike, si dhe të shoqërojë ata me stimuj financiarë përkatës.
Në mënyrë që marrëveshja jonë e re të konkretizohet, tha Bushati, nevojiten dy elementë, së pari, BE duhet ta shohë procesin e zgjerimit si një projekt të rëndësishëm strategjik dhe në këtë kontekst, Bashkimi Europian duhet të kujdeset për çështjet ende të pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, theksoi Bushati, në Evropën Juglindore, stabiliteti duhet të konsolidohet me përmirësimin e qeverisjes ekonomike (kryesisht reforma që lidhen me sundimin e ligjit në ekonomi), dhe gjithashtu me anë të veprimeve konkrete, duke treguar vullnet të pjekur politik për të zgjidhur çështjet dypalëshe të mbetura pezull.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button