Bushati-Kotzias: Vullnet për zgjidhjen e kontesteve të përbashkëta
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka pritur këtë të mërkurë në një takim homologun grek Nikos Kotzias, me të cilin në deklaratën për shtyp ka shprehur vullnetin për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.
“Kemi diskutuar hapur për një sërë çështjesh. Çdo problem do ta zgjidhim brenda normës së të drejtës ndërkombëtare. Ne jemi vende të NATO-s dhe Shqipëria synon anëtarësimin në BE”, ka thënë Bushati. Ai i ka cilësuar dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh si të domosdoshëm mes dy fqinjëve.
“Për të gjitha çështjet nuk jemi mjaftuar vetëm tek listimi, por kemi skicuar edhe rrugëdaljet e mundshme”, ka thënë Bushati.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka shtuar më tej se, në takimin me homologun Kotzias ka diskutuar edhe për çështjet e sigurisë në rajon dhe atë të krizës ekonomike greke.