Bushati, në Stokholm; Suedia ofron mbështetje për përballimin e azil-kërkuesve
Suedia ofron mbështetjen e saj për përballimin e fenomenit të azil-kërkuesve nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim pune në Stokholm, ku është takuar me homologen e tij, Margot Wallstrom.
Wallstrom shprehu mbështetjen e mëtejshme të Suedisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe të rajonit në tërësi.
Ajo vlerësoi masat e marra nga Shqipëria për adresimin e fenomenit të azil-kërkimit dhe inkurajoi për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse, duke ofruar ndihmën e Suedisë për përballjen me këtë fenomen.
Një vend të veçantë në diskutimet mes dy ministrave zuri situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ministrja Wallstroem vlerësoi dhe inkurajoi rolin e Shqipërisë, si faktor i qëndrueshëm stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal.
Z. Bushati u takua edhe me kreun e Parlamentit suedez, Urban Ahlin, dhe me disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit suedez.