Buxheti 2027/ Rama: Ekonomia është 3-fishuar, borxhi publik është ulur. PD do mbahet mend për “hapje gropash”, ne si ndërtuesit e Shqipërisë europiane
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Kuvend, ka komentuar edhe raportet me opozitën, duke deklaruar se Partia Socialiste ka zgjedhur rrugën e ndërtimit dhe zhvillimit të vendit, ndërsa opozita, sipas tij, do të mbahet mend si hapëse e gropave.
“Nëse përpiqesh t’u pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, atëherë nuk bën gjë tjetër veçse u hap gropën atyre që vijnë pas. Ata që nuk janë këtu, do të mbahen mend në historinë e vendit si hapësit e gropave, ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se kabineti i tij ka zgjedhur rrugën e forcimit të ekonomisë dhe financave publike, rritjes së investimeve dhe uljes së borxhit publik.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te politikat fiskale, duke përmendur dëshirën për uljen e TVSH-së për ushqimet dhe lehtësimin e barrës së karburantit. Sipas tij, këto vendime duhet të mbështeten te mundësitë ekonomike dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit.
“Dëshirën për të ulur TVSH-në për ushqimet apo për të lehtësuar barrën e karburantit e kemi pasur, por arsyeja pse ajo ka qenë më e lartë se në rajon është se në strukturën e çmimit ne kemi ende sot, por jo pas 1 janarit 2027, taksën e qarkullimit.
Dëshirën për të rritur pensionet, për të mbështetur familjet e reja dhe për të ofruar strehim të përballueshëm e kemi pasur, por nuk janë dëshirat ato që mbushin arkën e shtetit dhe përcaktojnë rrugën e një qeverisjeje. Nuk janë dëshirat ato që e bëjnë një qeveri më të mirë, por ekonomia që mbush arkën e shtetit dhe përcakton edhe shpejtësinë e rritjes. Është ekonomia që e bën qeverinë edhe më të mirë kur ajo ka mundësi të rishpërndajë edhe më shumë”, tha Rama.
Rama tha se ekonomia shqiptare është trefishuar, nga më pak se 10 miliardë euro kur qeveria mori detyrën, në rreth 30 miliardë euro aktualisht. Ai shtoi se vendi ka një buxhet më të madh se asnjëherë më parë dhe një nivel më të ulët të borxhit publik.
“Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, pasi kemi zgjedhur rrugën e forcimit të ekonomisë dhe financave publike. Rritëm investimet duke ulur borxhin publik, nuk rënduam më shumë ata që fitojnë më pak, kemi besuar te zhvillimi dhe sipërmarrja.
Sot kemi një ekonomi të trefishuar. Ishte më pak se 10 miliardë euro kur morëm detyrën dhe ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove. Kemi një buxhet më të madh se asnjëherë dhe një borxh publik më të ulët se asnjëherë”, tha ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.