Buxheti 2027, Rama: Ul barrën fiskale për shtresën e mesme. Të jesh në opozitë dhe të mos i afrohesh protestës, gjëja më e dhimbshme
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar projektbuxhetin e vitit 2027 si historik, duke theksuar se për herë të parë buxheti i shtetit shqiptar kalon kufirin e 10 miliardë eurove. Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Rama deklaroi se ky buxhet nuk është i rëndësishëm vetëm për rritjen e mundësive ekonomike të vendit, por edhe për lehtësimin e kostos së jetesës për familjet shqiptare.
Kreu i qeverisë iu përgjigj gjithashtu akuzave të opozitës dhe kërkesave për të diskutuar në Kuvend protestat kundër qeverisë. Rama deklaroi se protestat kundër një qeverie janë pjesë e natyrshme e demokracisë, por kritikoi opozitën për qëndrimin e saj ndaj protestuesve.
“Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga KE në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e duar, me britma si të shurdhuar, ata që në këtë sallë kërkojnë dhe të diskutohet për protestën”, deklaroi Rama.
Më tej, Rama u ndal te roli i protestave në një sistem demokratik, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër qeverisë dhe të kërkojnë llogari nga pushteti.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë, gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të kërkojnë llogari me protesta, gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojë t’i afrohesh protestës, gjëja më e dhimbshme dhe fakti që qoftë dhe i vetëm mjafton për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare relevantë në këtë vend”, shtoi ai.
Kryeministri iu përgjigj edhe deputetes demokrate Jorida Tabaku, duke ironizuar përdorimin e shpeshtë të fjalës “vjedhje” në akuzat e saj ndaj qeverisë.
“Zonja Tabaku, e cila është një zëdhënëse e palodhur e fjalës vjedhje, sa herë e përdor ajo atë fjalë, aq herë unë mendoj se kush e di çfarë do kishte vjedhur kjo zonjë nëse do kishte gjë në dorë. Që vetëm nëse i ke bërë vetë ato për të cilat akuzon në mënyrë shurdhuese të tjerët, mund të përsëritësh aq shpesh fjalën vjedhje”, deklaroi Rama.
Në vijim të fjalës së tij, Rama theksoi se nuk kishte dalë në foltoren e Kuvendit për të bërë një debat politik mbi akuzat e opozitës, por për të prezantuar projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe rëndësinë e tij për ekonominë. Sipas kryeministrit, rëndësia e këtij buxheti nuk lidhet vetëm me vlerën e tij financiare, por edhe me politikat që parashikon për qytetarët. Rama deklaroi se qeveria synon të lehtësojë barrën fiskale për shtresën e mesme dhe të vijojë mbështetjen për pensionistët dhe kategoritë më në nevojë.
““Unë s’kam ardhur këtu për kartonin, por për të bërë fjalën hyrëse në lidhje me një buxhet që me plot kuptimin e fjalës është historik për Shqipërinë. Për herë të parë shteti shqiptar ka një buxhet që prek tavanin e 10 miliardë eurove. Por ky buxhet është i rëndësishëm jo vetëm për këtë fakt, që është domethënës për rritjen e mundësive të ekonomisë sonë. Ky buxhet është i rëndësishëm edhe për një fakt tjetër, që kjo shumicë qeverisëse, PS, falë krijimit të mundësive të reja të ekonomisë, me këtë buxhet ul drejtpërdrejt atë që është fjala kyçe e ditëve të sotme, koston e jetesës për familjet shqiptare, duke lehtësuar barrën fiskale për shtresën e mesme dhe duke vazhduar të rrisë mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë më në nevojë”, theksoi ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.