Buxheti i drejtësisë për vitin 2027, 30 miliardë lekë. Gogu: Hapen 10 zyra të reja të Ndihmës Juridike Falas
Sistemi i drejtësisë do të përfitojë rreth 30 miliardë lekë në vitin 2027, duke shënuar buxhetin më të lartë deri më tani. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi projektbuxhetin në Komisionin e Ligjeve, ku bëri të ditur se fondet do të fokusohen te rritja e aksesit të qytetarëve në drejtësi dhe përmirësimi i shërbimeve.
Nga fondi total prej 29.95 miliardë lekësh, 15.7 miliardë lekë do të jenë për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet në varësi të saj.
Një nga risitë kryesore është hapja e 10 zyrave të reja të Ndihmës Juridike Falas, pesë prej të cilave do të nisin funksionimin në dhjetor në Kamëz, Krujë, Librazhd, Bulqizë dhe Rrëshen, ndërsa pesë të tjerat gjatë vitit 2027 në Divjakë, Mallakastër, Gramsh, Devoll dhe Malësi të Madhe.
Gjithashtu, buxheti i Shërbimit të Provës do të rritet me 66%, nga 255 në 424 milionë lekë, ndërsa parashikohet zgjerimi i programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve. Sistemi i mbikëqyrjes elektronike pritet të vihet në funksion në muajin mars.
Gogu njoftoi edhe vënien në funksion të qendrës së Mëzezit për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve në konflikt me ligjin, si dhe nisjen në janar të ndërtimit të spitalit për mjekimin e detyruar në Shën Koll të Lezhës.
Në projektbuxhet parashikohet gjithashtu kompensimi i 2,366 familjeve që presin për pronat informale, me synimin për të përmbyllur një proces të nisur në vitin 2008.
Sipas ministrit, prioritet do të jenë gjithashtu rritja e numrit të magjistratëve, ulja e çështjeve të prapambetura në gjykata dhe vijimi i projektit për ndërtimin e Polit të Drejtësisë në Tiranë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.