Ekonomia

By-passi i Fierit dhe Vlorës me rëndësi për zhvillimin e Shqipërisë Jugore

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën marëveshjen me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim, BERZH si administrator i fondeve grant, të siguruara nga qeveri të vendeve të ndryshme nën fondin e veçantë të aksionarëve të BERZH-it, për by-passet rrugore të Fierit dhe Vlorës, për asistencë teknike për mbështetjen e zbatimit të projektit në Shqipëri.

Zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani deklaroi para deputetëve se objektivi i ndërtimit të këtyre by-passeve është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, sidomos gjatë sezonit turistik, rritja e komoditetit dhe sigurisë në rrugë e lëvizje si dhe përmirësimi i situatës ambientale të qytetit të Vlorës.

Realizimi i këtyre projekteve, si nyje lidhëse me korridorin veri-jug, tha ai, janë tepër të rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë Jugore, zhvillimin industrial, turizmin dhe me impakt në bujqësi për transportin e prodhimeve vendase. Manjani bëri të ditur se për avancimin e punimeve do të përzgjidhen dy konsulentë të huaj, ndërsa për të dy by-pass-et parashikohet një grant me më shumë se 250 mijë euro.

Sipas zv/ministrit Manjani, by-pass-i i Fierit përfundon në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa ai i Vlorës përfundon në shtator të 2017-ës. Ndërsa për deputetin e Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, kjo kontratë është shumë e hershme, dhe aktualisht e sheh atë si një mekanizëm për të marrë disa para.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button