“Byroja, zhvillim pozitiv”, ambasadori gjerman komenton zhvillimet politike
Një ditë pasi qeveria aprovoi projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit, Top Channel pyeti ambasadorin gjerman në Shqipëri, Helmut Hoffman se si e shikon ai këtë zhvillim.
“Ne gjithmonë kemi qenë në favor të krijimit të strukturave të tilla për t’u marrë me çëshjet e korrupsionit. Shpresoj që tani të jetë gjetur zgjidhja me të cilën të gjithë të punojnë me pozitivitet. Krijimi i kësaj strukture është një ide e mirë për t’u marrë me këto çështje shumë të rëndësishme. Ka patur shumë diskutime për këtë. Nuk e kam studiuar ende propozimin në detaje, por mud t’ju them se është një hap pozitiv”, ka deklaruar Hoffman.
Këtë deklaratë ambadori gjerman e bëri pak përpara nisjes së konferencës “Mbështetja e BE-së dhe qytetarët shqiptarë”, nga ku mininstri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz ritheksoi se vendi i tij do të jetë një partner i fuqishëm i Shqipërisë.
“Ne të gjithë biem dakord se mbetet shumë punë për t’u bërë në Shqipëri. 2016-n mund ta ktheni në një vit të rëndësishëm për vendin tuaj nëse do të mund të realizoni reformat e duhura në sektorin e drejtësisë. Kjo do të jetë një shtysë drejt rrugëtimit tuaj në BE. Ky do të jetë një hap i rëndësishëm për të çelur kapitujt drejt BE-së”, ka thënë Kurz.
Por shefja e misionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin u tregua e kujdesshme, duke mos ngritur pritshmëri ireale kur tha se, “është e parakohshme të flasim për çelje negociatash”.
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha e shikon reformën në drejtësi si një përgjegjësi direkte të klasës politike, e cila duhet të tregojë maturi.
Ndërsa Majlinda Bregu, kryetare e komisionit të integrimit europian, reformat e nisura nga qeveria i quajti të një niveli të pëlqyeshëm, pak të pëlqyeshme dhe shumë të mira.
Mosbesimi i klasës politike, shtoi ajo, është një fenomen që nuk ndihmon integrimin. Ndërkohë, ambasadorja Vlahutin parapëlqeu që për momentin të mos komentonte projektligjin për Byronë e Hetimit.