Ekonomia

“Call Center” financiar dhe rreziku i piramidave online

Para pak ditësh një kompani që operonte si platformë investimi online, falimentoi.

Kjo ringriti dhe një herë një rrezik për kompanitë që investohen në këtë formë tek qytetarët dhe çfarë po ndodh realisht më këtë lloj “piramide” të re online.

DITA e ngriti këtë problem kohë më parë, por tej lajmit të ditës dhe reagimit të momentit çështja vijon të jetë problematike.

Reagimi i AMF për falimentin e kompanisë Easy Invest

Pas lajmit mbi ndërprerjen e veprimtarisë së shoqërisë Easy Invest si platformë investimi online, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka sqaruar në një deklaratë publike se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti.

AMF tërheq vëmendjen e publikut se investimi në aksione, tituj të borxhit, valuta, etj., përmes platformave të tregtimit online shoqërohet me rrezikun e humbjes së plotë të vlerës së investimit, ndaj publiku i interesuar duhet të tregohet i kujdesshëm dhe t’i realizojë ato vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, të cilat plotësojnë kërkesat rregullative lidhur me aftësitë profesionale, administrimin e rrezikut dhe transparencën ndaj klientit.

Në çdo rast, investimi duhet të kryhet mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto investime.

AMF kërkon që përpara se të bëhet regjistrimi si “biznes” i subjekteve të tilla që kryejnë veprimtari financiare online apo në çdo formë tjetër, të kërkohet informacion pranë autoritetit mbikëqyrës përkatës, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të kërkesave ligjore.

Autoriteti fton publikun dhe autoritetet e tjera të interesuara të konsultojë në vazhdimësi listën e subjekteve të licencuara, të cilët veprojnë si agjentë të platformave të investimit online, të cilat gjenden në faqen zyrtare të Autoritetit; Autoriteti, si ent rregullator që licencon dhe mbikëqyr veprimtarinë e subjekteve në fushën e titujve, ka vepruar në përputhje me kërkesat ligjore respektive për mbrojtjen e konsumatorëve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Në zbatim të këtyre kërkesave, Autoriteti ka mbështetur diskutimin mbi potencialin dhe rreziqet e investimeve të publikut përmes portaleve të tregtimit online, në mbledhjen e janarit 2016 të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF). Njoftimin për shtyp të kësaj mbledhjeje mund ta lexoni të plotë në linkun e mëposhtëm: Autoriteti thekson se do të vijojë të ndjekë këtë çështje me përparësi, në zbatim të kërkesave ligjore dhe duke nxitur bashkëpunimin efektiv me autoritetet e tjera publike të interesuara, përfundon deklarata për shtyp e Autoritetit.

Mbyllja e Easy Invest

Easy Invest, një nga platformat e investimeve online, e mbylli aktivitetin në Shqipëri, duke marrë me vete investimet e qindra kreditorëve në Shqipëri dhe Kosovë. Easy Invest që funksiononte si një platformë investimi online, në korrik të këtij viti mbylli web-in “www.easyinvest.al” nën shënimin “under construction”.

Gjithashtu, adresa fizike e kompanisë në rrugën “Donika Kastrioti”, pallati 14, kati i parë në Tiranë, nuk i përket më kësaj kompanie. Kompania ka shpallur falimentin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit duke kaluar në pezullim statusin e saj, që në korrik të këtij viti, por pa lajmëruar asnjë nga investitorët, duke lënë pas vetëm humbje.

Bursat online janë një fenomen mjaft i përhapur dy vitet e fundit. Teksa interesat në banka janë ulur ndjeshëm dhe është forcuar procesi i kontrollit të burimit të parave në banka shumë persona kanë zgjedhur bursat online si forma të përshtatshme investimi.

Risia e këtij tregu dhe përpjekja e AMF-së për ta rregulluar atë

Investimi nëpërmjet platformave të tregtimit online përbën një risi në tregun shqiptar. Por duke vlerësuar rrezikun që mbartin këto platforma, Autoriteti po synon rregullimin e  veprimtarisë së subjekteve të licencuara.

Autoriteti sqaron se ka rritur nivelin e bashkëpunimit me institucionet e huaja për shkëmbimin e informacionit. Tani kur interesi real i depozitave në banka është në vlera negative, individët gjithnjë e më shumë po joshen nga forma të reja investimesh jo shumë të sigurta.

Shumë biznese dhe qytetarë po shohin bursat matanë vendit, si një mundësi për të shtuar vlerat e kursimeve të tyre, teksa pesimizmi për zhvillimet ekonomike në vend i ka larguar ata nga konsumi dhe investimet, duke nxitur edhe më tej prirjet për kursim.

Kjo tendencë për të kanalizuar kursimet në forma të reja investimi vjen në një moment të papërshtatshëm, pasi tregu ndërkombëtar i kapitaleve është ndërlikuar nga ulja e çmimeve dhe paraqet më shumë risk se sa fitim.

Duke e parë investimin në bursë vetëm si fitim dhe jo si risk (pasi në shumicën e rasteve janë të painformuar), shumë individë janë përfshirë në skemat e reja të ndërmjetësimit pa qenë të ndërgjegjshëm për atë që i pret.

Këto forma investimi në botën e zhvilluar janë shumë të njohura, por tregjet e tyre të kapitaleve janë të zhvilluara, të mbikëqyrura dhe të rregulluara. Ndërsa vetëm tri kompani janë të licencuara, dhjetëra të tjera e kryejnë këtë shërbim pa asnjë autorizim të autoriteteve shqiptare.

Risku i investimit në këto lloj skemash është 100% dhe për humbjen askush nuk mban përgjegjësi, duke munguar tërësisht transparenca. Në këtë rast ekspertët e fushës ngrenë alarmin për masat që duhen marrë e që sipas tyre duhet të jetë Drejtoria e Tatimeve dhe Policia e Shtetit që duhet të marrin sinjalet nga AMF për të bërë kontrollin e imtësishëm të atyre kompanive financiare që funksionojnë si të tilla, por nuk deklarojnë destinacionin e biznesit të tyre.

Po kështu lind gjithnjë e më tepër nevoja për zhvillimin e bursës shqiptare dhe këtë tashmë duhet ta bëjnë bankat e nivelit të dytë, si një mundësi të mirë për të mos humbur klientët e tyre, por duke e bërë më të sigurt atë, pasi paratë mund të investohen në ato kompani shqiptare që njihen dhe nuk janë “fantazma” nga ana tjetër e botës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button