Camaj, jo në periferi
Martin Camaj, shkrimtaria e tij/ Studiuesi Behar Gjoka sjell një vështrim mbi letërsinë e Camaj
Në këto dy dekadat e fundit, për Martin Camajn është shkruar jo pak. Konferenca shkencore, shkrime e deri te disertacione kanë sjellë një vështrim të ri estetik mbi një personazh që për më shumë se gjysmë shekulli ishte i panjohur në shqip. Botimi i veprave si “Dranja” apo “Rrathë”, e renditën natyrshëm si pjesë të letërsisë shqipe. Por Camaj kishte qenë pjesë e kësaj letërsie shumë kohë para se këto vepra të vinin në shqip, duke lëvruar gjuhën prej së largu. Shqipëria nuk iku asnjëherë prej Camajt, ashtu si ai nuk iku asnjëherë prej saj, dhe pse për shumë vite u dënuan me mostakim. Korpusi i tij letrar vjen sot si dëshmi e një letërsie që u rrit në mërgim. “Martin Camaj, i yni apo i mërgatës”, ishte titulli i një shkrimi që përkthyesi i tij në shqip Hans-Joachim Lanksch, solli në gazetën “Shqip” me rastin e 90-vjetorit të tij të lindjes. “Camaj nuk bën pjesë ndër shkrimtarët që ‘ne i kemi nxjerrë’, do të ishte e logjikshme të thuhet se atë e ka nxjerrë mërgata, diaspora, ekzili.Gjë absurde! Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqiptare dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut”, shkruante Lanksch, duke shtuar se me gjithë përpjekjet për ta njohur Camajn, duket se Camaj ende nuk e ka vendin e duhur në vetëdijen kolektive shqiptare. Behar Gjoka, studiues i veprës së Camajt, autor i librit “Martin Camaj, shkrimtaria e tij”, vjen më poshtë me një intervistë mbi letërsinë e Camajt.
Vetëm pak ditë më parë, ishte 90-vjetori i lindjes së Martin Camajt, një personazh i rëndësishëm i letrave shqipe… i cili jetoi dhe krijoi jashtë hapësirës shqiptare… Sa e njohim Camajn në këtë përvjetor?
E njohin, po jo në përmasën që meriton, në atë magji letrare dhe studimore që përfaqëson, njëherit duke qenë pjesë unike e letërsisë shqipe moderne, por pa ndikuar në atmosferën e saj, e cila edhe tani ka në krye korifenjtë e realizmit socialist. Pra, është e paplotë, sepse bashkë me njohjen, është vënë re tendenca për ta lënë në periferi, si shkrimtar i mërgatës, i maleve, i ekzotikës, ndërkohë që poetika e tij, në poezi, prozë dhe dramatikë, është thelbësisht moderne. Nuk mjafton botimi, as përkujtimi zhurmues, por hipotekimi si vlerë thelbësore e gjuhës shqipe, madje e qendrës së sistemit të gjuhës shqipe, si dhe e shenjave estetike, pavarësisht se me vetëdije ka shkruar në gegnisht dhe në ndonjë tekst edhe në arbërisht.
A nuk e ka bërë letërsia vetë hipotekimin e saj si vlerë e gjuhës shqipe?
Është bërë pjesërisht, dhe madje në jo pak raste e gjymtë, sepse sugjerime të tipit “të përditësimit të gjuhës së Camajt, pra të përkthimit të saj në gjuhën e njësuar, të dhëna nga Bardhyl Demiraj, do të vijojnë që ta lënë jashtë rrjedhave si ligjërimit letrar dhe gjuhësor, këtë mjeshtër të shkrimit modern.
A mund të ketë kërkesa për njësimin e gjuhës kur flasim për letërsinë?
Gjuha e autorit nuk njësohet, është unike. Në parathënien e botimit të serisë së librave për Camajn në 85-vjetorin e tij, në hyrjen e shkurtër të Demirajt është shprehja përditësim, ku janë përditësuar mbi 4000 fjalë. Njësim në marrëdhënie me letërsinë është shpërfytyrim i autorit, pra i pamundur.
Camaj, shkrimtaria e tij, quhet studimi juaj… Pse kjo tërheqje ndaj figurës së Camajt, dhe çfarë sjell ky studim mbi figurën e këtij shkrimtari?
Vijon të mbetet një përvojë shkrimi, moderne në të gjitha parametrat estetikë, që duhet zbuluar dhe kthyer në panteonin e letrave shqipe. Tërheqja buron nga dy arsye: Së pari: Vepra letrare e Camajt mban të ndezur kandilin letrar të gegnishtes që zë fill me Mesharin e Buzukut, vijon me Fishtën, Mjedën, Koliqin, Migjenin, Pashkun etj., pra edhe të shqipes, duke u kthyer nga shkrimtari në një atdhe të ngurtësuar në shkronjë. Së dyti: Letërsia e autorit, duke qenë se endet në dy situata, të një akti të vetëdijes kombëtare, të ngujuar në gjuhën shqipe, si dhe të ngjizur në përvojën e vendeve ku Camaj jeton, pati shansin që të kishte kontakt të afërt me rrymimet bashkëkohore të kësaj kohe dhe mbi të gjitha, t’i mishëronte kahjet moderne si pak të tjerë në tekstet letrare. Ky studim, botuar vite më parë, në 2010, kryen një lexim të plotë të veprës letrare të Camajt, në të gjithë zhanret. Pas pesë vitesh, kuptoj se Camaj duhet lexuar dhe rilexuar në të gjithë anët, në të gjithë prirjet, parësisht në thelbin estetik të materializuar në veprën e gjerë, e prandaj kam në dorë një tekst të ri studimor “Camaj i dhunuem”, pra i pazbuluar në të gjithë dimensionet e veta.
Pse “Camaj i dhunuem”?
Është teksti i dytë imi studimor, mbi mënyrat e gjymta sesi nuk duhet trajtuar Camaj në letërsi si dhe studim shkencor dhe kritik. Jam duke i dhënë dorën e fundit për ta çuar për botim.
Si nuk duhet trajtuar?
Lexim paragjykues gjuhësor dhe leximi biografik dhe gjeografik i veprës letrare.
Camaj, poet apo një prozator poetik?
Në mesin e lexuesve të Camajt, ka një situatë debati, më së shumti të paartikuluar, se është më i madh si poet, për disa. Për të tjerë se është më i madh si prozator. Në syrin tim, kjo buron nga shijet e ndryshme, por edhe nga mosnjohja e veprës në të gjithë materien e vetë. Për mua, Camaj është poet dhe prozator i vetëdijshëm, dhe vlera dhe shkëlqimi i stilit të tij preket në të dy pentagramet letrare, pra është një nga majat e poezisë, por në prozë sjellë disa kulmime letrare. Megjithatë, në trajtimin e veprës së tij, ka një situatë që lidhet me mungesën e veprës së tij në klimën letrare të bashkëkohësisë, por edhe të një poetike tjetër, që ka të bëjë me artin dhe jo me shërbesën, siç mbizotëroi në letërsinë zyrtare të realizmit socialist, pra leximi i poezisë, prozës dhe dramatikës duhet bërë përtej rrethanës së shërbesës, vetëm si faktologji letrare.
Një nga veprat e tij më të mira, është “Dranja”…Një lule, një breshkë, por dhe një vepër për identitetin…? Një breshkë femër? Çfarë është Dranja për ju?
Dranja është shumëçka, mbi të gjitha është kurora letrare e krijimtarisë letrare të autori, është vepra që endet në mes poezisë dhe rrëfimit, madrigalit dhe një simfonie, është një vepër që sa herë që e lexon, ndien se ka vatra estetike që nuk janë vënë re më herët. Po, Dranja një lule mes luleve të artit të autorit, një breshkë që bart fatin e qenies, po kaq edhe një gjurmë të identitetit shqiptar…
Sa kanë ndikuar kulturat e tjera, flas për kulturën italiane ku ai studioi, e më pas atë gjermane ku jetoi, në veprën e tij?
Kanë ndikuar shumë për të zgjeruar hapësirat e ligjërimit modern, të kahjeve të lëvrimit të poezisë dhe prozës, duke qenë një rast unik, pothuajse i koherencës me shkrimin e letërsisë në këto vende. Ndikimi në Itali lidhet edhe me rrethanën fatlume të pranisë së mjeshtrit të fjalës shqipe, Ernest Koliqi, sepse bashkërisht skalitën revistën ‘Shejzat’. Në Gjermani gjeti atdheun e munguar, për të shpalosur aftësitë e veta, studimore dhe letrare, ku edhe shuhet, pa e pa ma dheun e dishruem. Megjithatë, Camaj pati botuar dy libra poetikë, si dhe pati mbrojtur titullin e Dr në Beograd me “Mesharin” e Buzukut, pra me interesa të përcaktuara letrare dhe studimore.
Camaj ka jetuar virtualisht mund të themi me Shqipërinë.
Sa e rëndësishme është ajo në veprat e tij?
Ka jetuar maksimalisht, ka jetuar shpirtërisht, në secilën ditë-natë të jetës së vet, ka jetuar në zhguallin e shqipes, që bëhet copa e atdheut që e mori me vete, kudo që shkeli. Është në gjithçka, në gjuhë, në fjalë, në rrëfim, në varg, në dialog, por pa zhurmë e bujë, vetëm si magji letrare dhe dëshmi e lidhjes amshuese me atdheun e vet, që e adhuron dhe e portretizon si hyjni.