Ekonomia

Cani udhëron mbylljen e llogarive të njësive të qeverisjes vendore që shkrihen

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka firmosur urdhrin për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen.

Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar (tremujori i III-të (10%) dhe tremujori i IV-të (10%)) për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, do të çelet në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë, ditën e sotme, 1 korrik.

Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore, që do të shkrihen, duhet të paguajnë deri më 7 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore etj.), të muajit qershor brenda datës 7 korrik.

Urdhri i ministrit Cani udhëzon se të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri më 7 korrik 2015 do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, e që shërbejnë si agjent tatimor, do të rakordohen dhe alokohen deri në këtë datë, pra 7 korrik 2015. Fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore.

Më tej, urdhri i firmosur nga Cani saktëson se deri më datën 20 korrik 2015, degët e Thesarit duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave (Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit), në mënyrë elektronike dhe në rrugë shkresore, gjendjen e buxhetit (tepricën) nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe të tjera të ardhura për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, si dhe detyrimet e prapambetura.

Nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, kanë të drejtën e veprimit në degën e Thesarit përkatëse për kryerjen e transaksioneve të mbylljes së llogarive vjetore deri më datë 10 korrik 2015.

Urdhri sqaron gjithashtu se, të gjitha njësitë e reja të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga konstituimi i tyre, duhet të paraqesin në Ministrinë e Financave shkresën për konfirmimin e Nëpunësve Autorizues dhe Nëpunësve Zbatues, sipas kërkesave ligjore në fuqi dhe shton se çdo rast specifik, pas datës 10 korrik 2015, do të trajtohet rast pas rasti nga Ministria e Financave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button