Ekonomia

“Carrefour” sekuestrohet për borxhet, 500 vetë rrezikojnë punën

8 milionë dollarë detyrime ndaj furnizuesve

Detyrimi – “Carrefour” i ka firmës “Luku” detyrimin 5.5 milionë lekë dhe “Euronuovo”-s, 3.52 milionë lekë për furnizimet.

Kreditë – Për të shlyer detyrimet ndaj furnitorëve “Carrefour” ka marrë 472 milionë lekë overdrafte dhe kredi në banka.

Pozicioni – “Carrefour” është lider në shitjet me pakicë të ushqimeve në Shqipëri, ka 2 hipermarkete, 19 dyqane të mëdha dhe 17 markete.

Aksionet – Aksionet e “Carrefour” zotërohen në masën 100% nga “CM Balkans BV”, e cila ka blerë edhe aksionet e rrjetit “Euromax”.

Marka – “Carrefour” nuk erdhi si investim francez, por si degë e “Marinopoulos Group” në 2011.

Rajoni – “Marinopulous Group” u përhap në Greqi, Qipro, Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri.

CarrefourOk_1

Zinxhiri më i madh i hipermarketeve të shitjes me pakicë të ushqimeve, “Carrefour” u vu nën sekuestro në datën 17 prill 2015 nga një studio përmbarimore private. Përmbarimi veproi pas vendimit të gjykatës në favor të kompanisë “Luku”, së cilës “Carrefour” i ka një detyrim prej rreth 5.5 milionë lekësh dhe “Euronuovo”, ndaj së cilës detyrimi është 3.52 milionë lekë. Aktivet e kompanisë do të qëndrojnë në sekuestro konservative deri në afatin që kanë komunikuar përmbaruesit. Rrjeti i dyqaneve “Carrefour” rezulton me borxhe te furnitorët duke rrezikuar të mbyllet, nëse nuk arrin me shpejtësi një marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve. Nga falimentimi i “Carrefour” rrezikojnë të humbin vendin e punës rreth 500 punonjës të stafit të 2 hipermarketeve, 19 dyqaneve dhe 17 marketeve në Tiranë dhe në rrethe. Por, nuk do të jetë e thjeshtë zgjidhja e kësaj situate, sepse “Carrefour” (e regjistruar në QKR pronësi të CBM Albania) e trashëgon këtë problem prej vitesh duke treguar mungesë të aftësisë paguese. Sipas bilancit të paraqitur për vitin 2013, detyrimet afatshkurtra të kompanisë ndaj furnitorëve për vitin 2012 ishin mbi 867 milionë lekë për t’u rritur në vitin 2013 në 892 milionë lekë. Për të shlyer detyrimet ndaj furnitorëve “Carrefour” ka marrë kredi në disa banka duke shtuar borxhin. Huaja e marrë në formë overdrafti kap vlerën 168 milionë lekë, ndërkohë që kreditë me afat të gjatë shkojnë në total 304 milionë lekë, pra 472 milionë lekë gjithsej. Sipas të dhënave nga QKR, aksionet e “Carrefour” zotërohen në masën 100% nga “CM Balkans BV”, e cila në fund të vitit të kaluar ka blerë edhe aksionet e rrjetit tjetër të supermarketeve, “Euromax”. Ndërkohë, “Balfin Group” ia kishte shitur “CM Balkans BV” aksionet që kishte te “Carrefour”. Kompanitë e prodhimeve ushqimore që bënin furnizimin e “Carrefour” deklarojnë borxhe të pambledhura gjatë vitit 2014, prandaj u detyruan të drejtohen në rrugë gjyqësore për marrjen e parave.

“Carrefour” grek

“Carrefour” nuk është investim direkt i grupit francez, por erdhi si degë e “Marinopoulos Group” në 2011. Vështirësitë financiare janë vërejtur edhe për “Carrefour” në Bullgari, degë e “Marinopulous”. Përfaqësuesi grek i rrjetit të tregtisë me pakicë të francezes “Carrefour”, grupi “Marinopulos” ka ndërprerë pagesat ndaj furnitorëve, borxhe të cilat arrijnë në 15 milionë euro. Problemet e para financiare të Marinopoulos Group në Bullgari janë shfaqur që në shtatorin e 2012-s. “Carrefour” hyri në Shqipëri në 2011 dhe drejtori ekzekutiv, Christian Charitat, u prit në atë kohë nga vetë Kryeministri Berisha. Investimi i grupit “Carrefour” në Shqipëri ishte një sipërfaqe tregtare rreth 7 mijë metra katrorë, me një gamë të gjerë produktesh ushqimore dhe tekstile, me idenë [për t’u shpërndarë në mbarë vendin dhe më pas në rajon. Në fazën  fillestare, kompania kishte 550 punonjës. “Marinopulous Group” u përhap në 5 shtete, në Greqi, Qipro, Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri. Grupi kishte 591 magazina tregtare, 274 supermarkete dhe 262 dyqane në rajon.

Falimentimet

Vala e falimentit të qendrave të mëdha tregtare ka nisur me “City Park”, e cila kishte probleme me administratën tatimore. Drejtoria Rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Tiranë i ka kërkuar gjykatës të shpallte falimentin e shoqërisë “City Park”. Bëhet fjalë për qendrën tregtare gjigante që funksionon prej vitit 2009 në autostradën Tiranë-Durrës. Ajo ka një sipërfaqe prej 237 600 metrash katrorë dhe me më shumë se 180 dyqane dhe vende argëtimi. Para këtij veprimi, përmbarimi kishte vënë nën sekuestro konservative disa herë kompaninë për shkak të kredive të pashlyera te bankat. Edhe shoqëria sllovene e rrjetit të supermarketeve “Mercator”, nuk operon në treg prej janarit 2013. Po kështu, edhe grupi gjerman “Praktiker”, i cili është larguar nga Shqipëria. Mungesa e traditës dhe eksperiencës në menaxhimin e qendrave të mëdha tregtare, por edhe fuqia e dobët e konsumatorit në këtë periudhë krize, po sjell falimentime të emrave të mëdhenj.

Nga Zamir Alushi 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button