ÇEKI – Protesta për mbrojtjen e pavarësisë së medias publike
Qindra qytetarë protestuan në Pragë kundër planit të qeverisë çeke, për të hequr tarifat që familjet dhe bizneset paguajnë për televizionin dhe radion publike, ndërsa parlamenti nisi shqyrtimin e përshpejtuar të projektligjit, sipas “Reuters”.
Protesta u zhvillua dje, pranë ndërtesës së Dhomës së Deputetëve.
Tubimi u organizua pasi deputetët e koalicionit qeverisës vendosën që projektligji për ndryshimin e financimit të mediave publike, të shqyrtohej me përparësi.
Protestuesit kundërshtuan planin për heqjen e tarifave dhe kërkuan mbrojtjen e pavarësisë së Televizionit Çek dhe Radios Çeke.
Ata mbanin pankarta me mesazhe në mbështetje të medias publike dhe brohorisnin kundër ndryshimeve të propozuara.
Gjatë mbrëmjes, disa dhjetëra protestues iu afruan ndërtesës së parlamentit dhe tentuan të hynin brenda, por u ndaluan nga policia.
Sipas raportimeve të mediave çeke, nuk pati persona të arrestuar dhe situata u qetësua.
Çfarë parashikon plani i qeverisë?
Projektligji parashikon heqjen e tarifave mujore, që familjet dhe bizneset paguajnë për televizionin dhe radion publike.
Në vend të tyre, të dy institucionet do të financoheshin drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit.
Sipas raportimit të “Reuters”, ndryshimi mund të ulë financimin e Televizionit Çek dhe Radios Çeke me rreth 15%, duke filluar nga viti 2027.
Aktualisht, tarifa mujore për familjet është 205 koruna çeke.
Qeveria argumenton se financimi nga buxheti i shtetit, është një model i përdorur edhe në vende të tjera evropiane dhe se ndryshimi nuk do të cenojë pavarësinë editoriale të mediave publike.
Megjithatë, kundërshtarët e projektligjit paralajmërojnë se kalimi i financimit drejtpërdrejt nën kontrollin e buxhetit shtetëror, mund t’i bëjë këto institucione më të ekspozuara ndaj ndikimit politik.
Ata kritikojnë gjithashtu mënyrën e përshpejtuar me të cilën qeveria ka vendosur ta shqyrtojë projektligjin.
Gazetarët paralajmërojnë protesta
Punonjësit e Televizionit Çek dhe Radios Çeke kanë njoftuar një grevë njëditore për 3 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj reformës së propozuar.
Organizatat e gazetarëve dhe të mediave publike, kanë kërkuar që parlamenti të zhvillojë një debat të plotë dhe të sigurojë garanci ligjore për pavarësinë e këtyre institucioneve.
Edhe Unioni Evropian i Transmetuesve dhe organizata të tjera ndërkombëtare të medias, kanë shprehur shqetësim për ndryshimet e propozuara, duke theksuar se financimi i mediave publike, duhet të jetë i qëndrueshëm, i parashikueshëm dhe i mbrojtur nga ndërhyrjet politike.
Projektligji pritet të kalojë në disa faza të shqyrtimit parlamentar, përpara se të miratohet përfundimisht. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.