Celularët po ndryshojnë perceptimin e njerëzve për veten
Smartphone-t tanë ofrojnë lidhje, komunikim dhe dije, e për pasojë janë bërë pjesë e identitetit tonë. Nisur nga kjo, nuk është çudi fakti që shkeljet e privatësisë na zemërojnë kaq shumë. Celularët janë vetëm hapi i parë drejt botës ku jetojmë aktualisht – internetit të ndërfutur në sendet e ndryshme pjesë e përditshmërisë sonë
Refuzimi së fundmi nga Apple për t’iu bindur një urdhri gjykate për zhbllokimin e smartphone-t të kriminelit të San Bernardinos ka sjellë në vëmendjen e publikut një diskutim mbi sigurinë kibernetike dhe kodimin, që ka qenë i pranishëm në botën e teknologjisë prej vitesh. Më 2 dhjetor 2015, 14 persona u vranë dhe 20 të tjerë u plagosën, nga sulmi i çiftit amerikan, Syed Rizëan Farook dhe Tashfeen Malik, me origjinë pakistaneze. Autorët u eliminuan më pas nga policia.
Në sipërfaqe, diskutimi ka një tipar të veçantë dhe të dallueshëm etik. Por po t’i shkosh më larg, ka lidhje me diçka tjetër, diçka më të thellë siç është identiteti në vetvete.
Mendimtarët si John Stuart Mill gjithnjë kanë thënë se mënyra më e mirë për të vendosur mbi një çështje etike është të analizohet dhe të kërkohet se cili veprim ka pasojat më të mira.
Të kthehemi te çështja e iPhone. Mënyra se si ky diskutim është përhapur në media, të bën të kuptosh se lidhet me të ardhmen që duam të krijojmë. Pyetja është: A do të kemi një të ardhme ku terroristët mund të fshehin komunikimin e tyre në pajisje të zakonshme apo një të ardhme ku qeveria bëhet një ‘Vëlla i Madh’ që na sheh të gjithëve.
Ende, ky karakterizim thjeshtëzon shumë atë për të cilën po diskutohet. Të dyja panoramat e së ardhmes janë keqinformuese, sepse terroristët si shumë prej nesh kanë mënyra të ndryshme për të kontaktuar me njëri-tjetrin. Hyrja e paautorizuar në këtë iPhone nuk do ta ndryshojë këtë. Për më tepër, të dhënat tuaja janë tashmë të pasigurta. Ironia e do që mbrojtësit e privatësisë ankohen në median sociale, ku asgjë nuk është e sigurt.
Problemi më i thellë prek anën e debatit që “ka të bëjë me pasojat”, i cili shpërfill lidhjen më intime që ne kemi me pajisjet tona teknologjike që na rrethojnë.
Celularët janë vetëm hapi i parë drejt botës ku jetojmë aktualisht – internetit të ndërfutur në sendet e ndryshme që janë pjesë e përditshmërisë sonë. Gjithnjë e më shumë pajisje – nga frigoriferët te makinat apo çorapet – ndërveprojnë me internetin në bazë thuajse konstante, duke lënë një gjurmë të shterimit dixhital.
Kjo nënkupton më shumë lehtësim, por do të thotë gjithashtu se pajisjet po bëhen pjesë e duarve tona. Ne kemi filluar t’i shohim ato si zgjatim i vetes. Interneti i sendeve është bërë interneti ynë.
Është tunduese të shihet kjo si metaforike. Por është në fakt një argument metafizike, një që mund të hapë rrugën për dy shpjegime të ndryshme filozofike.
Qasja e parë buron nga ajo që njihet si hipoteza e “zgjatimit të mendjes”. Sipas filozofëve Andy Clark dhe David Chalmers, në një studim të vitit 1998, gjendja jonë mendore, ashtu si besimet dhe kujtimet tona, jo gjithnjë janë vetëm në kokën tonë. Ato janë të përhapura.
Me fjalë të tjera, unë nuk e përdor listën time të kontakteve në celular, si një mjet që do të më ndihmojë të mbaj mend numrat, por kujtesa ime është e përbërë nga vetë celulari. Është një kombinim i qelizave të trurit dhe çipeve të kompjuterit.
Nuk jam i sigurt nëse Clark dhe Chalmer kanë të drejtë për mendjen, megjithëse mund të kenë. Por jam më i bindur se një lloj gjendjeje mendore, ajo gjendje e të diturit diçka, shpesh shtrihet në pajisjet tona dixhitale.
Njohuritë e mia, të paktën në kuptimin pasiv, marrja e “dijes” vjen padyshim nga kontakti me celularin tim. Dhe kjo është arsyeja përse unë shpesh ndiej se kam 100 për qind më pak dije kur nuk mund të kem akses në të.
Nëse diçka e tillë është e drejtë, ndihmon të shpjegohet përse shqetësohemi mbi humbjen e kontrollit mbi aksesin te pajisjet tona teknologjike. Çfarë dhe si e njoh unë atë, është pjesë e mendjes sime; por nëse çfarë dhe si e di unë diçka përbëhet pjesërisht nga celulari im dhe kjo shpërndahet kështu, atëherë zhbllokimi i pajisjeve tona nuk është thjesht si hyrja me mandat në shtëpitë tona. Është më tepër si hapje e mendimeve tona dhe atëherë çështja etike nuk vendoset vetëm prej pasojave të qarta. Çfarë dëmton identitetin tonë është çështje parimi gjithashtu.
Sigurisht mund të mendoni se hipoteza e dijes së tejshtrirë është e sforcuar. Por një tjetër mënyrë për të arritur në të njëjtin përfundim është pyetja nëse jemi apo jo njësh me celularët tanë. Ne shpesh e identifikojmë veten me to, i shohim vazhdimisht ato dhe jetën dixhitale si një materializim i psikologjisë sonë.
Arsyeja përse kjo ka rëndësi është se psikologjia luan rol kyç në autonomi. Një lloj i autonomisë për të cilën kemi shumë respekt është autonomia për të vepruar. Por një tjetër lloj autonomie është vendimmarrja.
Tjetër gjë është të më vësh një armë në kokë dhe të më detyrosh të marr vendime që nuk më takojnë dhe tjetër gjë është ta pengosh në mënyrë indirekte. Heqja e së drejtës për të qenë i pavarur në vendime është dhunim i rëndë.
Shkelja e privatësisë së informacionit pengon autonominë tonë për të marrë vendime. Ajo e merr vendimin për ne duke marrë informacion nga celulari ynë. Në disa raste, ndoshta si në çështjen e celularit të San Bernardinos, kjo mund të jetë e justifikuar. Por ka një arsye për t’u shqetësuar rreth përgjithësimit të praktikës. Hyrja nga
dera e pasme e celularit tonë pengon autonominë e çdo njeriu. Çka dëmton autonominë, dëmton identitetin. Dhe çfarë dëmton identitetin, na dëmton neve si individë, mendjet tona, gjë që nuk është vetëm një pasojë e keqe, por është të gabosh rëndë mbi një parim.
*Nga Michael Patrick Lynch – është profesor i filozofisë dhe drejtor i Institutit të Shkencave Njerëzore në Universitetin e Konektikatit.