Çertifikohen 52 udhërrëfyes të rinj turistikë
Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes u certifikuan sot 52 udhërrëfyes të rinj turistikë: kombëtarë, lokalë dhe të specialiteteve të veçanta. Kjo ishte faza e dytë e certifikimit të udhërrëfyesve turistikë pasi në muajin shkurt u certifikuan 159 guidat e para që sot operojnë në treg si guida zyrtare të njohur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Për shkak të nevojave dhe kërkesa nga tregu për këtë profesion në prag të fillimit të sezonit veror, u zhvillua një konkurs i dytë ku u certifikuan dhe 52 udhërrëfyes të tjerë.
Në këtë ceremoni simbolike, Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë për rëndësinë e këtij profesioni në prezantimin sa më mirë të Shqipërisë përpara të huajve që vizitojnë vendin tonë. Ministrja Ekonomi tha se turizmi po kthehet në një promotor të zhvillimit ekonomik të vendit dhe këtë e tregojnë shifrat e publikuara nga INSTAT. Viti 2017 ka nisur shumë mbarë, pasi në 4 muajt e parë të këtij viti kishim rreth 13.7 % më shumë turistë se në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, tha Ministrja Ekonomi.
Fjala e plotë e Ministres Ekonomi gjatë këtij aktiviteti:
Përshëndetje të gjithëve,
Është kënaqësi e madhe që jemi mbledhur sërish këtu për të dhënë certifikatat e udhërrëfyesve turistikë. Siç e dini, ky proces ka ndodhur një herë në muajin shkurt të këtij viti, por kërkesa për udhërrëfyes turistikë ishte shumë e lartë në Shqipëri dhe ne besuam se kishte edhe një mundësi për t’i dhënë shansin të gjithë atyre që janë udhërrëfyes që të merrnin këtë çertifikatë në nivel kombëtar, lokal apo specialitete të veçanta. Sot në Shqipëri kemi rreth 199 persona që janë të pajisur me çertifikatën e udhërrëfyesit, 12 prej të cilëve kanë edhe çertifikatë kombëtare dhe atë të specialitetit të veçantë.
Ky proces po ndodh falë punës së madhe që ka bërë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit e cila, në zbatim të ligjit “Për turizmin” ka çuar përpara dhe gjithë këto aktivitete.
Ajo që dua të ndaj me shumë kënaqësi me ju është se turizmi është kthyer në një promotor të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shifrat e vitit 2016 treguan rezultate shumë të larta për këtë sektor. Edhe në vitin 2017 ne presim që të kemi një bum turistik në vendin tonë. Ne patëm shumë turistë që vizituam Shqipërinë në katër mujor të parë të vitit 2017 dhe të dhënat e INSTAT treguan që numri i turistëve që vizituan vendin u rrit me 13.7 për qind.
Ndërkohë, është shumë e rëndësishme që, një element i rëndësishëm që do të zhvillojë më tej turizmin në vend padyshim që është ulja e TVSH për strukturat akomoduese. Ju e dini që ajo ishte 20 për qind dhe shkoi 6 për qind, çka e bën Shqipërinë që të jetë një vend konkurrues përsa i takon çmimeve në fushën e industrisë së mikpritjes.
Dua të përmend një element të rëndësishëm që lidhet me certifikimin e guidave dhe aftësimin e tyre të vazhdueshëm, një marrëveshje që ne kemi nënshkruar me ministrinë e Mirëqenies Sociale, që ka të bëjë me akreditimin e këtij profesioni të rregulluar. Prandaj, Drejtoria e Përgjithshme e Turizmit ka marrë në konsideratë mënyrën se si duhet të stimulojmë rritjen e njohurive të udhërrëfyesve që operojnë në tregun shqiptar.
Të gjithë atyre që janë udhërrëfyes dhe që janë këtu për të marrë certifikatën u uroj shumë suksese. Besoj që do të bëjnë atë që bëjnë zakonisht, që e tregojnë Shqipërinë të bukur, siç është në të vërtetë, dhe bëjnë të mundur që ata që e vizitojnë ta duan Shqipërinë për gjithçka që ajo ofron, jo vetëm për historinë, jo vetëm për natyrën, por edhe për njerëzit, edhe për agroturizmin, edhe për produktet bujqësore, që Shqipëria u ofron në tryezë turistëve që vizitojnë vendin.
Ju uroj shumë suksese dhe ju falënderoj shumë që keni marrë përsipër që të ushtroni këtë profesion në këtë moment në industrinë e mikpritjes shqiptare.
Edhe Sonia Popa, drejtoresha e përgjithshme e Turizmit në MZHETTS ka qenë ajo që e ka ndjekur nga afër procesin dhe mund të thotë diçka në lidhje me çfarë bëmë ne në këtë proces. Faleminderit.
Sonia Popa, Drejtoresha e Përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit:
Desha ta filloj fjalën time duke ju falënderuar të gjithëve, guidat, ju që jeni sot këtu, por edhe ata që sot janë në punë, kanë filluar tashmë të punojnë me turistët, pasi keni qenë një mbështetje shumë e madhe për ne, në këtë proces që ka qenë i vështirë. Të gjithë ju keni treguar një sensibilizim të madh për të qenë të rregulluar në këtë sektor, për të pasur një certifikim, i cili do u japë autoritetin e duhur për ta bërë punën tuaj ashtu siç duhet. Është shumë i rëndësishëm roli juaj në gjithë zinxhirin e turizmit. Ju e dini që ne zakonisht udhërrëfyesit i quajmë ambasadorët e Shqipërisë sepse jeni ju ata që të parët jeni në kontakt turistin, jeni ju ata që promovoni më mirë se kushdo tjetër vendin tonë. Unë shpresoj që puna juaj tashmë që jeni të certifikuar do të jetë edhe më profesionale, edhe më cilësore dhe kjo do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e numrit të turistëve që vijnë në Shqipëri.
Udhërrëfyes Kombëtar i certifikuar, Murat Aruci nga Fushë Kruja:
Dua të falënderoj ministren, Milva Ekonomi dhe drejtoreshën Sonia Popa, por edhe gjithë Ministrinë që ka administruar këtë proces. Mendoj që të gjithë ne jemi shumë dakord që këtë e marrim si mision, sepse jemi të gjithë, në një farë mënyre, ambasadorë të Shqipërisë që të paraqesim sa më mirë vendin tonë para të huajve. Është një detyrë që duhet të zbatojmë me shumë korrektësi, sepse pikërisht nga mënyra se si ne e paraqesim vendin tonë, kjo do të jetë mënyra se si do ta perceptojnë të huajt Shqipërinë. Ju falënderoj dhe shpresoj të takohemi në raste të tjera për më shumë suksese.