Politika

Çështja “Doshi”, Basha: Kryeprokurori të hetojë me përgjegjësi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkoi sot Prokurorit të Përgjithshëm, që me përgjegjësi historike, të hetojë rreth akuzave të ngritura nga deputeti Tom Doshi.

basha“Prokurori i Përgjithshëm është sot para një përgjegjësie historike për t’i shërbyer vendit dhe Kushtetutës. Ne e inkurajojmë për një hetim të plotë e të thellë, deri sa përgjegjësit të dalin para ligjit. Shqiptarët presin sot nga kryeprokurori që Prokuroria të bëjë detyrën më të lartë me sfidën që është përballur ndonjëherë vendi”, tha Basha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.

Duke reaguar ndaj deklaratës së sotme të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i PD-së përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeparlamentarit, pas akuzave të deputetit Doshi në adresë të tij.

“Meta sot duhet të deklaronte vetëm një gjë, dorëheqjen si kryetar Kuvendi dhe dorëzimin para drejtësisë, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Ai duhet të ishte sot para drejtësisë duke iu nënshtruar procedurave të hetimit, pasi është nën akuzën më të rëndë të 25 viteve. Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar Kuvendi dhe asnjë nuk e njeh më në krye të institucionit kushtetues një të akuzuar për dy vrasje”, tha Basha.

Nga ana tjetër, ai i kërkoi kryeministrit Edi Rama që në vend të thërrasë kryeprokurorin në zyrën e tij, të shkojë ai në zyrën e kryeprokurorit e të thotë çfarë di rreth kësaj çështje.
Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi se ngjarjet e fundit e kanë bërë urgjencë kombëtare dekriminalizimin, ndërsa theksoi nevojën që ka vendi për ta pastruar politikën nga krimi.

Gjithashtu, Basha përshëndeti qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, që në deklaratat e tyre të djeshme u shprehën në mbështetje të procesit të dekriminalizimit të politikës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button