Çështja e detit/ Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare
Kjo u bë e ditur gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili ndodhet sot për vizitë zyrtare në Tiranë.
“Shqipëria dhe Greqia do t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi I në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit”, deklaroi Kryeministri Rama.
Rama tha se i vinte keq për “patriotët e detit”, pasi në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre.
“Më vjen keq për “patriotët e detit, por në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre, sepse “çështja e detit” nuk është më një çështje me të cilën mund të bëjnë propagandën e tyre të shpifur, antigreke, që është një turp, dhe as elektorat patriotik, në Shqipëri apo në Kosovë. Të vetëvendosen në çështje të tjera”, u shpreh Rama.
Kjo çështje, shtoi më tej Rama, nuk është më një çështje që do të jetë në diskrecionin tonë, as në diskrecionin e Greqisë, por do të jetë në diskrecionin e drejtësisë ndërkombëtare dhe ne, vuri në dukje ai, jemi plotësisht dakord.
“Në këtë mënyrë do të fokusohemi te bashkëpunimi ekonomik, rajonal te njerëzit, të bëjmë më të mirën për qytetarët shqiptarë me kombësi greke që jetojnë në Shqipëri dhe për qytetarët grek apo ende jo grek me kombësi shqiptare që jetojnë në Greqi”, tha Rama.
Çështjet e patriotizmit nacional-folklorik, vijoi Rama, nuk janë çështje të qeverive tona.
Rama po ashtu u shpreh besim plotë se shumë shpejt do të hiqet edhe “Ligji i luftës”.
“Kemi diskutim pozitiv për heqjen e ligjit të luftës. Kam shumë besim që do të përfundojë në mënyrë pozitive. Pastaj, pasi “humbën detin” nacional-folklorikët, patriotët, po “humbin edhe tokën” dhe pastaj të gjejnë në ajër ndonjë çështje dhe të krijojnë një subjekt, për se si Greqia po rrit emesionin e gazit në atmosferën shqiptare, se në tokë edhe në det s’do të kenë më çështje”, deklaroi Kryeministri Rama.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias bëri të ditur në komunikimin e përbashkët për mediet se “zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dyja vendet”.
“Kam dëgjuar me interes të lartë edhe dakordësinë e z. Rama se zgjidhja e kësaj çështjeje do të ketë si bazë marrëdhënien dhe marrëveshjen e OKB ku të dyja vendet e kemi nënshkruar. Jam shumë i lumtur për këtë gjë, për të përsëritur atë që kryeministri sapo tha se, duke analizuar këtë çështje dhe duke ekzaminuar këtë çështje, ne kemi rënë dakord të kalojmë si Shqipëri dhe Greqi së bashku në kalimin në të drejtën ndërkombëtare në Gjykatën e Hagës”, u shpreh Dendias.
“Kjo marrëveshje e Shqipërisë dhe Greqisë mbështetet pikërisht në një qëndrim të të dyja vendeve për zgjidhjen e çdo konvergjence dhe divergjence që ne mund të kemi”, vuri në dukje Dendias.