Çështja “Huawei”, shkarkohet ministri britanik i mbrojtjes
Kryeministrja e Britanisë shkarkoi ministrin e mbrojtjes, Gavin Williamson pas gjetjes së ‘provave bindëse’ se ai ishte burimi i informacionit që doli në shtyp rreth një vendimi sekret të qeverisë për të lejuar gjigandin kinez të teknologjisë, Huawei, që të marrë pjesë në disa projekte të rrjetit 5G të Britanisë.
Vetë zoti Williamson e mohon të ketë qënë ai burimi i informacionit. Në postin e tij është emëruar Penny Mourdant, që shërbente si Sekretar Shteti për Zhvillimin Ndërkombëtar.
Siç njofton nga Departamenti i Shtetit korrespondetja e Zërit të Amerikës Nike Ching, pushimi nga puna i ministrit britanik të mbrojtjes vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara përsëritën paralajmërimin ndaj kompanisë kineze Huawei.
Britania do të bashkëpunojë me kompaninë Huawei pavarësisht paralajmërimeve amerikane mbi pasojat, që i rithksoi të mërkurën një gjeneral i lartë amerikan para Kongresit.
“Nëse nuk kemi siguri reciproke që rrjeti është i sigurtë dhe mund të shkëmbejmë të dhëna, kjo do të pengojë aftësitë tona për të qënë aleatë dhe për të shkëmbyer informacione lirisht si në kaluarën”, -tha Shefi i Shtabit të Shtatmadhorisë Amerikane, Gjeneral Joseph Dunford.
Britania dhe disa shtete të Bashkimit Evropian po përdorin teknologjinë e re nga kompania Huawei. Kjo ka krijuar ndarje me Uashingtonin, ndërsa ligjvënësit nga të dy partitë po tregohen të matur përballë teknologjisë kineze. Senatori republikan Dan Sullivan është anëtar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura.
“Nuk duam një rrjet 5G që kontrollohet nga Partia Komuniste e Kinës, është diçka ndaj së cilës duhet të tregohemi të kujdesshëm.”
Rrjetet 5G pritet të revolucionarizojnë telekomunikacionin. Përjashtimi i të gjitha pajisjeve kineze nga ky sistem mund t’u kushtojë shtrenjtë shumë vendeve. David Dollar është me Institutin Brookings në kryeqytetin amerikan.
“Nëse themi se gjithçka në telekom është infrastruktura kritike, atëherë, do të përjashtojmë shumë mundësi për të importuar pajisje me çmim të ulët të një cilësie të lartë.”
Në vend të përjashtimit total të kompanive kineze nga telekomunikacioni, zoti Dollar thotë se mund të ketë një lloj kompromisi që shtetet të përdorin pajisje kineze të thjeshta. Por aktualisht, asnjë zyrtar amerikan nuk po diskuton hapur një kompromis të tillë.