Opinion
Pse do votoja per Edi Ramen me 11 Maj?

Meqenëse gjithë rilindja socialiste e ka kthyer fushatën e zgjedhjeve parlamentare si plebishit për një njeri të vetëm, kryetarin Rama, sipas të cilës vetëm Ai, Rama, ka në dorë çelësin e gjithçkaje në ekzistencën ose jo të shtetit shqiptar, e pse jo në frymëmarrjen e gjithsecilit, u përpoqa që të reflektoj dhe të rendis 10 arsyet kryesore se pse do votoj Edi Ramën më 11 Maj:
- Do të dëshiroja që eksodi i të rinjve dhe pleqve të ishte në përpjesëtim të drejtë me numrin e turistëve nga viti në vit.
- Do të ndihesha i sigurt dhe i plotësuar në një vend ku listat e deputetëve i dikton oligarkia dhe krimi.
- Do më pëlqente që drejtësia të ishte në duart e një njeriu të vetëm, ku një e fishkëllyer të të kthente nga kryetar bashkie apo deputet, në banor të ndërtesës famëkeqe 313.
- Nuk më pëlqen fare balancimi i pushteteve, s’kam besim te një drejtësi e pavarur, një parlament intelektual dhe një ekzekutiv dinjitoz, ku secila degë kontrollon tjetrën.
- Nuk dua një bujqësi të zhvilluar dhe konkurrente, aq më tepër të mbështetur nga fondet e BE-së, IPARD, a ku di unë, ku ka si me forcat tona.
- Më pëlqen një KM që jo vetëm i hakërrohet ambasadores së radhës, por edhe kur është nevoja korrupton Amerikën – pra, herë kulaç e herë kërbaç – mjafton që të mos bjerë pushteti.
- Më pëlqen një vend pa inceneratorë, e duartrokas vendimin për të paguar 300 milionë euro, vetëm e vetëm që të mbrohet shëndeti i popullit nga gazrat vdekjeprurëse të inceneratorëve.
- Nuk dua të konkurroj për punën që më takon në bazë të meritokracisë dhe kualifikimeve – në fund të fundit, është humbje kohe – përdor trafikun e influencës dhe njohjet për të kapur një vend “pellumbash”.
- Nuk më pëlqen fare shtypi i lirë dhe i pavarur – pse duhet të vrasim mendjen me alternativa dhe vrasje truri? Mjafton podcasti i KM për të ditur ç’duhet të dish, dhe sa të takon të dish.
- E fundit, por jo nga rëndësia: asnjë parti nuk ta jep mundësinë të shikosh ministre, kryetare parlamenti, burra të skopitur, aspirante postesh, kriminelë gjithfarësh, të tundin silikonët nën tingujt e marsheve funebre – me krahët lart, dhe sytë poshtë.
Votime të mbara!