ParlamentarePolitika

“CEZ”, Paloka: Hetimi që nga Berisha; Gjiknuri e Cani: Së shpejti e vërteta

Kuvendi është përfshirë sërish, në seancën e kësaj të enjteje nga debati për aferën e CEZ, me opozitën që ka përsëritur akuzat ndaj qeverisë.

Partia Demokratike ka akuzuar gjithashtu mazhorancën se nuk po lejon futjen në programin e punimeve të parlamentit votimin e projektligjit për hetimin ndërkombëtar të çështjes.

Në vijim të debatit, deputetja e PD, Jozefina Topalli ka kërkuar që kryeministri Rama të vijë në Parlament dhe të japë llogari. Topalli ka deklaruar se, marrëveshja me CEZ u votua në fshehtësi të plotë në Kuvend.

Duke reaguar ndaj akuzave, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi ka përsëritur qëndrimin e mazhorancës lidhur me këtë çështje, duke mos anashkaluar kallëzimin penal të bërë dje nga KLSH ndaj ministrit të Energjitikës, Damian Gjiknuri.

“Dje KLSH kallëzoi në prokurori objektin e hetimit tuaj: qeverinë Rama. Prokuroria le ta fillojë çështjen, mund të kërkojë ekspertizë amerikane apo europiane, është institucion i pavarur. Sa për kryeministrin, ai e ka thënë qartë se qeveria është e gatshme të thërrasë ekspertizë të huaj për hetimin”, ka thënë Ruçi.

Ndërsa kreu i grupit të demokratëve, Edi Paloka, përveçse ka kundërshtuar argumentet e mazhorancës për futjen në program të pr/ligjit, ka ironizuar qëndrimin e kryeministrit lidhur me hetimin e çështjes nga prokuroria shqiptare.

”Deri dje Rama fliste për një drejtësi të degjeneruar. Ndërsa sot, për këtë çështje, paska besim tek kjo drejtësi e degjeneruar. Këta shpresojnë se do të mbyllet edhe kjo çështje, por nuk ka për t’u mbyllur sepse është shumë e madhe. Nuk do të mbyllet edhe pse Edi Rama bëri marrëveshje me Ilir Metën. Nuk do të mbyllet sado që ata të përpiqen me procedura”, ka thënë Paloka.

Pretendimeve të qeverisë që hetimi të nisë që nga ardhja e CEZ në Shqipëri, Paloka u është përgjigjur duke thënë: “Hajdeni hetojmë nga Berisha tek Ridvani, por ta dini që Rama do të jetë ai që do dënohet”.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka sqaruar se, “në konferencën e kryetarëve nuk është miratuar programi”. “Në programin e parë që do të miratohet, pr/ligji do të hyjë dhe rregullorja është e qartë sa i takon miratimit të programit të punës”, ka thënë Leskaj.

Ndërsa ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, duke iu përgjigjur akuzave në adresë të tij ka deklaruar se, “kallëzimi i KLSH është vetëm një fletë-rrufe politike për të hedhur baltë ndaj qeverisë shqiptare”.

“Në raportin e KLSH fshihen shifrat konkrete të nxjerra nga auditi. Kjo është vetëm një luftë politike për të goditur një nga reformat më të suksesshme të qeverisë”, ka thënë Gjiknuri.

Në debat është përfshirë edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili ka deklaraur se përgjegjësit e vërtetë të krizës me CEZ janë krerët e qeverisë së kaluar, ndërsa ka paralajmëruar se, “e vërteta do të vijë shumë shpejt”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button