Çfarë mësimesh duhet të nxjerrin autokratët e tjerë të rajonit pas humbjes së Vuçiç?

Kur protestat studentore morën hov gjatë vitit 2025, Aleksandër Vuçiç premtoi se do t’i mundte dhe se do të shkruante një libër se si fitohet ndaj “revolucioneve me ngjyrë”, një aludim i qartë ndaj Maidanit ukrainas.
Në vend të kësaj, ai mundet tani të shkruajë një libër tjetër: se si humbet pushteti përmes arrogancës, kapjes së institucioneve dhe besimit të gabuar se frika mund të zëvendësojë përgjithmonë legjitimitetin. Humbja e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit nuk paraqet thjesht ndërrim qeverie; ajo përfaqëson një refuzim të thellë politik të modelit autokratik të qeverisjes, që ai e ndërtoi gjatë më shumë se një dekade.
Por kjo humbje nuk ndodhi në vakum. Ajo pasoi gati dy vjet mobilizim të udhëhequr nga studentët, i cili u zgjerua gradualisht përtej universiteteve dhe u bë një nga lëvizjet qytetare më të gjera në historinë postkomuniste të Serbisë.
Studentët i dhanë lëvizjes autoritet moral, disiplinë organizative dhe një gjuhë të llogaridhënies; por forca e saj qëndronte në aftësinë për të bashkuar mësues, fermerë, profesionistë, aktivistë vendorë dhe qytetarë në qytete e qendra të vogla në të gjithë vendin. Ajo që nisi si një protestë kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë u shndërrua në një refuzim më të gjerë të një sistemi politik, që e ktheu frikën, patronazhimin dhe kapjen e institucioneve në mjete të qeverisjes.
Si u ndërtua autokracia serbe
Autokracia bashkëkohore nuk lind domosdoshmërisht nga një parti apo një ideologji e vetme. Ajo ndërtohet si rrjet i koordinuar kontrolli mbi paranë, median, shërbimet e sigurisë dhe institucionet publike, me një qëllim mbizotërues – ruajtjen e pushtetit të përhershëm, pasurimin, pandëshkueshmërinë dhe mbrojtjen nga ndryshimi demokratik.
Në Serbi, ky model u imponua përmes zgjedhjeve të përsëritura dhe legalizimit të kapjes së shtetit. Administrata, ndërmarrjet publike, gjyqësori, mediat dhe organet kushtetuese u shndërruan gradualisht në zgjatime të Partisë Progresiste Serbe dhe të liderit të saj.
Sistemi u mbështet në tri shtylla. Së pari, u shkatërrua ndarja e pushteteve duke nënshtruar gjyqësorin, prokurorinë, Kuvendin dhe organet e tjera kushtetuese të logjikës së lojalitetit, ndërsa ligji u zbatua në mënyrë selektive – për të dënuar kundërshtarët dhe për t’i mbrojtur përfituesit e privilegjuar të pushtetit.
Së dyti, u ndërtua një ekonomi politike e patronazhit, në të cilën kontratat publike, licencat, emërimet dhe burimet shtetërore shpërblenin besnikërinë dhe financonin aparatin elektoral e propagandistik. Vëzhguesit ndërkombëtarë dokumentuan përdorimin e burimeve të ndërmarrjeve publike në fushatën e SNS, ndërsa dhjetëra televizione, kryesisht media rajonale, transmetuan fjalimet e Vuçiç në tërësi gjatë orëve kryesore – një asimetri e qartë e burimeve publike në favor të partisë në pushtet.
Së treti, hapësira informative u kolonizua ku mediat publike dhe një pjesë e konsiderueshme e mediave private u vendosën nën kontroll politik, ndërsa kundërshtarët u portretizuan si tradhtarë, agjentë të huaj ose përfaqësues të grupeve të dhunshme që synonin të merrnin pushtetin. Ky ishte thelbi i “stabilitetit” të Vuçiç– jo autonomia e institucioneve, por pamundësia e qytetarëve për t’i sfiduar ata që i kontrollonin.
Dimensioni më i errët i këtij sistemi u shfaq megjithatë kur pushteti u përball me lëvizjen studentore. Në vend që të përgjigjej me argumente, dialog institucional dhe reforma, ai u përgjigj me dhunë të deleguar dhe inerci nga policia. Në të gjithë Serbinë, meshkuj të maskuar me rroba të zeza, kapele dhe maska që mbulonin fytyrën sulmuan protestuesit, goditën pronarë biznesesh që i mbështesnin studentët dhe sulmuan selitë e kundërshtarëve politikë.
Në Valjevë, grupe të maskuara pro-qeveritare dëmtuan kafene të lidhura me lëvizjen protestuese dhe sulmuan qytetarë që i mbështesnin ata. Në Novi Pazar, persona të maskuar hynë në Universitetin Shtetëror dhe dëbuan me dhunë studentët që ishin duke protestuar brenda ndërtesës për muaj të tërë; policia nuk ndërhyri dhe, më pas, u pengoi studentët të ktheheshin në fakultet. Këto nuk ishin teprime të izoluara. Ato zbuluan një sistem në të cilin represioni ishte i privatizuar derisa dhuna i delegohej grupeve të lidhura me pushtetin, ndërsa institucionet shtetërore tërhiqeshin në heshtje.
Brenda kësaj arkitekture, policia nuk mbrojti rendin kushtetues; ajo mbrojti pushtetin politik të Vuçiç. Ajo përdori gaz lotsjellës dhe dhunë kundër studentëve në Novi Sad, ndërsa grupet e dhunshme pro-qeveritare shpesh vepronin pa pasoja. Pati arrestime masive, përdorim të tepruar të forcës gjatë protestave dhe paraburgimit. Zyrtarë të lartë të regjimit inkurajonin dhe legjitimonin dhunën ndaj protestuesve; fakti që Vuçiç i fali katër persona të lidhur me SNS, të akuzuar për sulm ndaj studentëve në Novi Sad, e përforcon vetëm më shumë këtë përfundim. Këtu qëndron prova më e qartë se Serbia e Vuçiç nuk ishte një shtet ligjor me mangësi, por një shtet në të cilin ligji, policia dhe dhuna shërbenin si instrumente të të njëjtit projekt politik.
Në këtë arkitekturë, zgjedhjet nuk ishin mekanizëm i zakonshëm për transferimin e pushtetit; ato ishin instrument për legjitimimin e tij. Ato mbaheshin rregullisht, por nën kushte thellësisht të pabarabarta. Opozita përballej vazhdimisht me qasje asimetrike në media, ndërsa Vuçiç dhe aleatët e tij shfrytëzonin burimet publike, ushtronin presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe ndërtuan një aparat elektoral që e shndërronte shtetin në makinë votimi. Humbja e djeshme ka pra një rëndësi të madhe, sepse tregon se edhe një sistem i tillë mund të thyhet kur qytetarët refuzojnë t’i nënshtrohen frikës.
Pse Vuçiç do ta ketë të vështirë në opozitë
Ironia politike është e konsiderueshme, pasi që fati i Vuçiç, i SNS dhe i aleatëve të tyre do të varet tani pikërisht nga pavarësia e institucioneve që ata vetë i kishin shkërmoqur për besnikëri. Si opozitë dhe si alternativë politike, ata do të varen nga hapësira që u jepet në Kuvendin e Serbisë, institucionin që e kishin shndërruar në cirk dhe skenë për të poshtëruar, nënshtruar dhe zhdukur një opozitë të fragmentuar.
Ata do të varen gjithashtu nga liria e mediave. Për vite me radhë, mediat e afërta me pushtetin, qoftë publike apo private, i dhanë Vuçiçit monopol mbi narrativin dhe ua mohuan opozitës e lëvizjes studentore mundësinë që të dëgjoheshin pa u etiketuar si tradhtarë, agjentë të huaj apo grupe të dhunshme. Tani, e njëjta makinë propagandistike duhet të pranojë rregulla të barabarta, transparencë dhe mbikëqyrje të përditshme. Për një regjim të ndërtuar mbi kontrollin e informacionit, kjo përfaqëson humbjen e një aseti dhe arme strategjike.
Më me rëndësi, Vuçiç do të varet nga gjyqësori dhe prokuroria e pavarur për t’u mbrojtur nga hakmarrja politike, të cilët gjatë qeverisjes së SNS-së, rrallëherë u morën me denoncimet për keqpërdorim të pushtetit dhe korrupsion masiv të eksponentëve të regjimit. Nëse institucionet e drejtësisë rifitojnë edhe një shkallë të pavarësisë, pasuria politike, kontratat e dyshimta, dhuna ndaj protestuesve dhe abuzimet zgjedhore mund të bëhen objekt hetimi. Por ky rezultat nuk është i garantuar. Qeverisë së re mund t’i mungojë vullneti ose kapaciteti për të ndjekur llogaridhënien; pavarësia e gjyqësorit mund të mbetet e brishtë; dhe rrjetet e SNS mund të vazhdojnë të ushtrojnë ndikim në nivel vendor. Humbja e Vuçiç krijon mundësinë e mbikëqyrjes, jo sigurinë e saj.
Ai do të varet gjithashtu nga fakti nëse qeveria e re do të refuzojë të përdorë instrumentet shtetërore për të fituar zgjedhjet – praktikë që Vuçiç e ka përdorur në mënyrë sistematike nëpër cikle të përsëritura të zgjedhjeve parlamentare, presidenciale dhe lokale. Autokratët e tjerë duhet ta kuptojnë se sistemi politik që kanë ndërtuar dhe mekanizmat institucionalë që kanë përdorur për t’u bërë të pamposhtur ndërsa qeverisin, i lënë të ekspozuar në momentin që e humbasin pushtetin.
Çfarë përfaqëson “Lista e Studentëve”
Lista e Studentëve nuk është thjesht një forcë anti-Vuçiç; ajo është një lëvizje e lindur nga protestat kundër korrupsionit, kapjes shtetërore dhe mungesës së llogaridhënies pas tragjedisë së vitit 2024 në Novi Sad. Programi i saj thekson luftimin e korrupsionit, reformën e administratës, çlirimin e mediave publike nga kontrolli politik dhe ndalimin e emërimeve të lojalistëve partiake në krye të ndërmarrjeve publike. Në planin e brendshëm, pra, ajo përfaqëson një kërkesë për rikthimin e shtetit te qytetarët, përmes institucioneve të pavarura, sundimit të ligjit, mediave të lira dhe fundit të qeverisjes përmes frikës e patronazhit.
Në politikën e jashtme, profili i Listës së Studentëve është më i kujdesshëm dhe më i ndërlikuar. Ajo riafirmon neutralitetin ushtarak të Serbisë, të shpallur qysh në vitin 2007, para ardhjes së SNS në pushtet. Ajo e sheh Bashkimin Evropian kryesisht si partnerin më të rëndësishëm ekonomik të Serbisë dhe avokon thellimin e marrëdhënieve strategjike me shtetet anëtare të BE-së, por programi nuk përmban asnjë angazhim të qartë për anëtarësim në BE. Kjo paqartësi ka rëndësi. Ajo sugjeron se orientimi evropian i Serbisë mund të mbetet transaksional dhe ekonomik, në vend që të jetë transformues ose gjeopolitik; përafrimi me standardet evropiane mund të ndiqet në mënyrë selektive, aty ku shërben interesit kombëtar, në vend që të përqafohet si një projekt politik gjithëpërfshirës.
Ndaj Kosovës, Lista e Studentëve mban pozicionin se ajo është pjesë integrale e Serbisë dhe se do të kundërshtojë si pavarësinë e saj, ashtu edhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Programi i saj parashikon rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit dhe mundësinë e ndjekjes penale të atyre që, sipas saj, i kanë nënshkruar marrëveshje kundërshtetërore; njëkohësisht kërkon autonomi të gjerë për komunat me shumicë serbe dhe mbrojtjen e institucioneve kulturore, arsimore e fetare serbe në Kosovë. Ky pozicion e përjashton qartë njohjen e pavarësisë së Kosovës ose normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ai përfaqëson një qëndrim të ngurtë, i ankoruar në frymën e Kushtetutës serbe dhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së.
Pasojat për Kosovën janë, pra, të nuancuara. Humbja e Vuçiç mund të ulë agresionin dhe teatralitetin që e karakterizonte politikën serbe gjatë sundimit të tij, por nuk e ndryshon qasjen antagoniste të Listës së Studentëve. Një Beograd më i qetë nuk është domosdoshmërisht një Beograd më fleksibël. Për Kosovën, sfida do të ishte të provonte nëse një qeveri e re serbe është e gatshme të ndajë bashkëpunimin pragmatik nga retorika kushtetuese maksimaliste – dhe të shmanget gabimi i ngatërrimit të një ndryshimi të tonit me një ndryshim të politikës.
Ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, programi mbron statusin kushtetues dhe kompetencat e Republikës Srpska, përfshirë të drejtat e saj të vetos brenda institucioneve të përbashkëta, dhe kundërshton pushtetet e Përfaqësuesit të Lartë. Ndaj Malit të Zi, ai kërkon përmirësimin e statusit të popullsisë serbe dhe mbrojtjen e identitetit të saj, ndërsa ndaj Kroacisë thekson të drejtat e serbëve dhe çështjen e kthimit. Rrjedhimisht, për Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi, humbja e Vuçiç mund të sjellë një ulje të tensionit dhe të retorikës agresive në afat të shkurtër – një hapësirë për konsolidim të brendshëm dhe reforma pa presionin e vazhdueshëm të sigurisë të imponuar nga Beogradi. Por kjo nuk do të thotë se autoritetet e reja në Beograd do të bëhen automatikisht partnerë konstruktivë ndaj fqinjëve të tyre apo se do të respektojnë integritetin e tyre territorial.
Mësimi për rajonin
Për autokratët e tjerë të rajonit, humbja e Vuçiç është një lajm i hidhur. Ata që e mbështetën për vite, e imituan retorikën e tij ose e konsideruan si një aleat strategjik kundër presionit demokratik, do të jenë tani më të izoluar dhe më të cenueshëm brenda shoqërive të tyre. Rënia e Viktor Orbánit në Hungari dhe humbja e Vuçiç në Serbi kanë dobësuar boshtin Orban-Vuçiç-Dodik, i cili për vite funksionoi si rrjet i ndërsjelltë përforcues i mbështetjes politike, ideologjike dhe diplomatike mes udhëheqësve autoritarë në Evropën Qendrore dhe Juglindore. Kjo nuk do të thotë se rrjetet autoritare janë zhdukur; do të thotë se shprehja e tyre më e dukshme dhe më e koordinuar ka humbur dy nga shtyllat e saj qendrore.
Modeli serb dëshmoi se edhe një sistem i sofistikuar kontrolli, i ndërtuar përmes mediave të kapura, gjykatave të nënshtruara, dhunës së deleguar dhe zgjedhjeve të manipuluara, mund të thyhet kur qytetarët refuzojnë t’i nënshtrohen frikës. Ky nuk është thjesht lajm për Serbinë; është një paralajmërim për çdo udhëheqës në rajon që ka ndërtuar pushtetin mbi të njëjtat themele.
Mësimi nuk është se studentët mund ta rrëzojnë çdo regjim brenda një nate. Mësimi më i thellë është se asnjë aparat i ndërtuar mbi frikë, dhunë, media të kontrolluara, gjykata të nënshtruara dhe grabitje të pasurisë publike nuk mund ta shuajë përgjithmonë kërkesën e qytetarëve për dinjitet, llogaridhënie dhe liri. Kur korrupsioni bëhet rregull dhe kur shteti shndërrohet në pronë private të një kaste politike, edhe “stabiliteti” më i gjatë mbart brenda vetes farat e krizës së vet.
Vendet e rajonit duhet t’a mirëpresin mundësinë e një Serbie më të qetë dhe më të përgjegjshme, por pa iluzione për një ndryshim të menjëhershëm të politikës së saj ndaj tyre. Njëkohësisht, ato duhet të mbrojnë standardet demokratike në shtëpi, sepse rrëzimi i një autokrati nuk garanton në vetvete demokracinë; demokracia sigurohet vetëm kur institucionet, mediat dhe qytetarët e mbrojnë atë çdo ditë.
Blerim Vela ka doktoraturë në Studime Evropiane Bashkëkohore nga Universiteti i Sussexit dhe është Bashkëpunëtor i Jashtëm Kërkimor në UTSYN – Qendra për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo. Më parë ka shërbyer si Shef i Stafit të Presidentit të Kosovës nga viti 2021 deri në 2023 dhe si Udhëheqës i Departamentit të Demokratizimit në Praninë e OSBE-së në Shqipëri nga viti 2023 deri në 2025.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.