Çfarë mund të bëni nëse nuk doni të shkoni në universitet
Jo të gjithë duan ose e ndiejnë të vazhdojnë studimet e për rrjedhojë preferojnë të mos shkojnë në universitet. Por, çfarë mund të bëni tjetër nëse do të merrni një vendim të tillë?
Jo të gjithë janë të prirë për të ndjekur studimet e larta. Kjo gjë mund të varet nga shumë faktorë dhe nuk është aspak turp të mos shkoni në universitet pasi të mbaroni shkollën e mesme, në momentin kur e kuptoni thellë brenda jush.
Gjithashtu është një mëkat të humbni kohë pa bërë asgjë për t’u përmirësuar, kur në të vërtetë ekzistojnë shumë alternativa për studimet universitare. Le të shohim disa prej tyre:
Bëni vullnetarin
Vullnetarizmi është diçka që në radhë të parë mund të pasuroni veten, çka do të thotë se ju mund të ushtroheni diku, ku e ndieni veten më shumë të aftë. Pavarësisht se nuk do të paguheni, ju do të mund të përfitoni një përvojë të madhe.
Nëse do të vendosni që për një vit rresht t’i përkushtoheni totalisht kësaj gjëje, atëherë ju do të mund t’i jepni të tjerëve një ndihmë shumë të madhe. E ku ka më mirë që përvojën tuaj të daljes në jetë ta filloni me përfitime shpirtërore.
Shëtisni botën
Udhëtimet nuk është e thënë se janë gjithmonë të kushtueshme dhe të pamundura. Nëse keni në dispozicion një vit të tërë, ju mund ta shfrytëzoni këtë kohë për të shkuar vizitë në shtëpitë e të tjerëve (të afërmeve, miqve, të njohurve) dhe për të marrë prej tyre përvoja të veçanta.
Ose mund të shkoni në emigracion të punoni në ferma ku në shkëmbim mund të merrni para dhe strehim, ashtu siç bëjnë shumë të rinj.
Kurseni
Universiteti kushton, ndaj nëse keni vendosur të bëni një pushim përpara se ta ndiqni atë, atëherë gjatë kësaj kohe ju mund të punoni dhe të lini mënjanë para. Do të ndiheni shumë të motivuar pothuajse për të gjithë jetën nëse ju do ta nisni kështu atë.
Do të filloni të merrni përgjegjësitë tuaja dhe prindërit e familja do të ndihen krenar për ju.
Ndiqni një pasion
Keni pasion fotografinë, recitimin, apo kompjuterin? Përfitoni nga kjo periudhë për të investuar në një kurs informimi që do t’ju mbushë me vitalitet, ndërkohë që do t’ju shërbejë edhe për të ardhmen.
Trashëgoni ndonjë zanat
Shumë prej jush mund të kenë prindër ose të afërm zanatçinj, pra me çfarëdo zanati. Nëse ju pëlqen ju mund të trashëgoni fare mirë zanatin e tyre. Kështu mund të bëheni marangoz, këpucar, argjendar etj. E rëndësishme është që, gjithçka që do të bëni në jetë ta bëni me dashuri. Pra ta doni punën, pasi ajo do t’ju mbajë ekonomikisht, por edhe më mirë shpirtërisht.
Ndihmoni familjen
Nëse nuk parapëlqeni asnjë nga alternativat e sipërpërmendura atëherë ekziston dhe një e fundit, ajo që të ndihmoni familjen tuaj, në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke bërë punët e shtëpisë nëse nuk keni një biznes tuajin për shembull. Është më e vlefshme se sa të mos bëni asgjë apo të qëndroni gjithë kohës në bar.