Çfarë roli luan Berlini në kaosin e Brexitit?
Berlini zyrtar është i zhgënjyer dhe po sheh gjithnjë e më shumë i nervozuar drejt Londrës. Çështja që shtrohet, është nëse do të futet për më shumë ndërmjetësim Angela Merkel e qeveria gjermane.
Qëndrimi gjerman ndaj Brexit është i përcaktuar: Së pari Britania e Madhe edhe pas Brexit do duhet të qëndrojë sa më afër Bashkimit Europian- ky vend është partner i rëndësishëm tregtar dhe Londra është një aktor i rëndësishëm në politikën e jashtme. Tjetra: Gjermania do të ruajë unitetin brenda Bashkimit Europian. Prandaj kancelarja Merkel u shpreh në qershor me një fjali që u ngulit në opinion “nuk ka vetëm përzgjedhje të asaj që dëshirohet”. Në fund të fundit shtetet europianolindore nuk duhet të inkurajoheshin të ndiqnin shembullin e britanikëve.
Berlini reagoi i zhgënjyer pas dështimit të miratimit të marrëveshjes në parlamentin britanik. BE shkoi në cak të lëshimeve të mundshme, edhe sepse gjermanët bënë presion. Prandaj zhgënjimi për dështimin e marrëveshjes ishte i dukshëm. Marrëveshja do të kishte siguruar unitetin e BE dhe do të vendoste bazën e një bashkëpunimi të mëtejshëm ekonomik.
Londra të thotë se çfarë dëshiron
Për lëshime të tjera, duket se Berlini nuk është më i gatshëm. Edhe sepse ka një bindje, se çfarëdolloj lëshimesh që mund të bëjë BE, përfaqësuesit e Brexitit të ashpër gjithmonë do të dalin me kërkesa të reja. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas (SPD) në fillim të janarit në vizitën e tij në Irlandë tha se “kush e lë qëllimisht të dështojë marrëveshja, duke menduar se do të negociojë një marrëveshje më të mirë, ai i futet një rreziku shumë të madh; nuk do të bazohesha tek kjo.”
Ndërsa kryetarja e re partisë konservatore gjermane, Annegret Kramp-Karrenbauer e vlerësoi propozimin e ri të kryeministres, Theresa May si të “pamjaftueshëm”. Deklaratat e Mayt “nuk i përgjigjen sigurisht asaj që ne dhe Europa kemi parasysh kur themi se ‘Britania e Madhe duhet të sqarojë, se çfarë do'”. Parlamenti britanik duhet të sqarojë, se çfarë dëshiron. Ndërsa kancelarja Merkel bëri të ditur përmes zëdhënësit të saj, se “qeveria gjermane pret që qeveria britanike të bjerë në ujdi për propozimet, që mbështeten nga shumica e Dhomës së Ulët.” Si edhe më parë qeveria gjermane synon një Brexit të kontrolluar.
“Loja me zjarrin”
Ministri i Ekonomisë, Peter Altmeier, CDU, që njihet si shumë i afërt me kancelaren Merkel tha në një intervistë për radio pas dështimit të marrëveshjes në Londër, se britanikëve duhet tani t’u jepet mundësia që ta “sqarojnë” pozicionin e tyre. Ministrja gjermane e Drejtësisë, Katarina Barley nga ana e saj kritikoi propozimet e fundit britanike, si “shumë afër zeros”. Kandidatja e socialdemokratëve për zgjedhjet europiane e kritikoi kryeministren, May se po luan me kohën. Por kjo është “lojë me zjarrin”. Barley nuk pranoi korrigjime përmbajtësore të marrëveshjes. Sipas saj një referendum i dytë është një mundësi për të “dalë nga situata e koklavitur”.
A duhet të ndërmjetësojë Berlini?
Për shkak të rolit të rëndësishëm që Gjermania ka në BE, është shtruar shpeshherë pyetja, nëse do duhet të ndërmjetësojnë gjermanët në këtë situatë të vështirë. Në mediat britanike është përmendur një telefonatë mes kancelares Merkel dhe kryeministres May, ku është folur për “lëshime”. Por një zëdhënës i qeverisë gjermane e hodhi poshtë këtë.
CSU, partia simotër e partisë së Merkelit, CDU ka një qëndrim të moderuar. Kreu i grupit parlamentar të CSU-së në Bundestag, Alexander Dobrindt tha se nuk kanë për të lëvizuar gjërat pa iniciativën gjermane. Për të mënjanuar një Brexit të pakontrolluar, Gjermania nuk duhet t’i lerë
bisedimet “vetëm në kanalet zyrtare”. Politikani për çështjet e jashtme në Parlamentin Europian, eurodeputeti, Elmar Brok e ka refuzuar një dalje në radhë të parë të Gjermanisë. Në fund të fundit dihet që në negociatat në BE, gjithmonë është luajtur poker deri në minutën e fundit, dhe se në ditët e ardhshme mund të ketë lëvizje për këtë çështje.
Por sido që të ndodhë: Qeveria gjermane nuk dëshiron të përballet me surpriza. Në dhjetor u përgatitën projektligje, që të përgatisin vendin si për një Brexit të kontrolluar ashtu edhe të pakontrolluar. Në konferencën e shtypit të qeverisë në Berlin u theksua edhe njëherë, se po punohet “me intensitet të lartë” që të jemi të përgatitur për të gjithë skenarët.” Dhe se po mbahet kontakt me ekonominë.