Cher mbush 70 vjeç
Sot mbush 70 vjeç dhe ndonëse do të kishte dashur ta kthente kohën prapa, Cher ka shumë për të kremtuar. Të paktë janë muzikantët e aftë t’i mbajnë karrierat e tyre në jetë edhe pas 5 dekadash, por këngëtarja ikonë që e ka provuar me sukses fatin edhe në kinematografi, ia ka dalë mbanë të qëndrojë në këmbë me 26 albume e një sërë çmimesh, përfshirë këtu një Oscar e një Grammy.
Vajza nga Kalifornia e preku famën për herë të parë si pjesë e duo-s muzikore Sonny & Cher, më së shumti për hitin e vitit 1965 “I Got You Babe.” Me zërin e saj të thellë që arrin edhe regjistrat më të ulët, shumë shpejt do të provonte karrierën si soliste e nuk do t’i ndahej më skenës për 50 vjet, duke u kthyer në një emër të njohur në mbarë botën.
Cher konsiderohet një nga të paktat artiste që arriti të menaxhonte më së miri dhe tranzicionin nga kënga tek kinematografia, duke çuar në shtëpi edhe një çmim të Academy Aëard për performancën e jashtëzakonshme të vitit 1988 në krah të Nicolas Cage me filmin “Moonstruck”. Pavarësisht një legjioni masiv adhuruesish që përfshin mbi 1,7 milionë ndjekës në Tëitter dhe plot të tjerë në Facebook, këngëtarja sërish shprehet e befasuar nga interesi i vazhdueshëm ndaj punës së saj.