Cilat janë ofertat zoti President?!
Skënder Minxhozi
Një ndër fenomenet më konstante të këtij viti të parë të qeverisjes së majtë ka qenë dalja në një panel të përbashkët kundërshtues, e kreut të shtetit me opozitën zyrtare të vendit. PD-ja dhe Nishani kanë bërë bllok pothuajse ndaj të gjitha nismave madhore të qeverisë Rama. Duke refuzuar njëkohësisht të bëjnë publik qëndrimin e tyre, zgjidhjet, tezat dhe propozimet konkrete, për nismat në fjalë. Kemi parë një luftë totale, po s’kemi parë asnjë grimë dialog, asnjë grimë vullnet për të gjetur kompromise dhe pika takimi.
Presidenti dhe opozita ofrojnë në thelb një status quo të palëvizshme mbi gjithçka. Për ta shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për ndryshime thelbësore, por duhet të ruajë formën, ritmin dhe vizionin e tetëvjeçarit të fundit. Me pak fjalë, të vazhdojë të bëjë atë që bëri Berisha në tetë vjet. Paçka se në të gjitha raportet zyrtare, informacionet e hapura dhe të mbyllura, deklarimet e kancelarive kryesore dhe institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, thuhet në një zë se gjatë kësaj periudhe, ky ka qenë një vend problematik me një mijë kriza dhe halle, se demokracia shqiptare ishte (dhe është) një demokraci e dobët dhe e korruptuar dhe se në këtë vend askush nuk dënohet, megjithëse shkelja e ligjit sundon në të gjitha katet e shtetit. Shikoni drejtësinë, për të cilën po bëhet gati një “valle shpatash”, duke nisur nga muaji ku po hyjmë. Nuk ka sferë më të anatemuar nga Bashkimi Europian, Departamenti i Shtetit dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë. Deklaratat e fundit të Angela Merkel për vendin tonë, fokusohen me prioritet absolut te nevoja për reformimin e drejtësisë, dënimin e korrupsionit dhe zhdukjen e fenomenit të pandëshkueshmërisë. Në një linjë me të, prej vitesh na kërkohet e njëjta gjë nga kancelaritë e tjera europiane. Megjithatë, duket sikur i gjithë ky presion për të vënë dorë mbi këtë segment esencial të shtetit, e lë totalisht indiferent një sektor të politikës dhe institucioneve të larta shqiptare.
Duke vënë alarmin për planet e qeverisë për të goditur një grusht gjyqtarësh, që e di edhe shqiptari më i humbur se janë të krimbur në korrupsion, PD-ja dhe Presidenti (pra, kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë), nuk japin asnjë ide alternative, asnjë propozim konkret, nuk hedhin asnjë rresht mbi letër, sesi duhet të jetë sipas tyre, reforma në drejtësi. Të mos prekësh sot pallatin e korruptuar të drejtësisë, do të thotë, në rastin më të mirë, të mos kesh kuptuar asgjë nga situata në Shqipëri dhe nga prioritetet që ka vendi.
Kjo sjellje ndaj reformës në drejtësi, shtrihet edhe përtej temës në fjalë. Nëse qeveria hyn në Lazarat, opozita përqesh operacionin, kurse Presidenti hesht. Të njëjtën gjë bëjnë demokratët (dhe Presidenti i tyre), kur qeveria shemb ndërtimet pa leje, kur kap sasi narkotikësh, kur mbyll universitetet mashtruese ose kur dënon abuzuesit tatimorë. Muaj me radhë e pritën opozitën në Komisionin Parlamentar të Reformës Territoriale dhe ajo nuk erdhi. U kufizua që të gjuajë me gurë draftin e qeverisë, pa nxjerrë një projekt alternativ të sajin. Po Presidenti? Në sintoni të plotë me opozitën, edhe ai bëri të njëjtën gjë, sipas tagrit që ka. Ktheu reformën në Kuvend!
As opozita e sotme, as kreu i shtetit, duket sikur nuk kanë asgjë për të thënë dhe për të bërë, përveçse të predikojnë mosndryshimin. Në emër të ruajtjes së pavarësisë dhe mosprekjes së Kushtetutës, opozita dhe kryetari i shtetit kanë ngritur një barrikadë të përbashkët, për të penguar thuajse të gjitha nismat e palës tjetër. Nga ana tjetër, opozita dhe Nishani nuk pranojnë të përfshihen në asnjë formë, në procesin e thuajse asnjë reforme, refuzojnë çdo ftesë për të dialoguar për gjërat që nuk shkojnë mirë dhe bëjnë shurdhmemecin edhe në momentin kur u takon të flasin. Me zë të lartë madje. Për shembull, kreu i shtetit nuk denjoi të dërgojë askënd në Kuvend para dy ditësh, për të mbrojtur dekretet e tij, megjithëse i takonte ta bënte diçka të tillë. Të njëjtën gjë, në esencë, bën edhe Partia Demokratike, e cila edhe në këtë sesion të ri të Parlamentit po jep shenja se do të vijojë bojkotin.
Ky vizion thellësisht konservator dhe refuzues ndaj çdo tendence ndryshimi e ka epiqendrën tek ideja se gjithçka u bë dje ishte e drejtë dhe e saktë, kurse gjithçka po ndodh sot është me patjetër e gabuar dhe abuzive.
Fetishi i tetë vjetëve qeverisje, kur Berisha bënte kohën e mirë dhe të keqe, kur protagonizmi i tij, teksa shëtiste me podium në krah, për të prerë shirita nga Veriu në Jug – kjo panoramë pra, vijon të jetë një ide fikse dominuese në imagjinatën kolektive të opozitës së sotme. Megjithëse ky bilanc mori një notë masive negative nga shqiptarët në zgjedhje, megjithëse ajo mënyrë qeverisjeje nuk impresionoi dhe as nuk la gjurmë te miqtë e këtij vendi dhe organizmat që na vëzhgojnë. Kapja pas së shkuarës, po e mban opozitën (dhe për fat të keq edhe Presidentin që ajo la në detyrë), në pozitën e faktorit frenues për reformat që po na shtyjnë nga të gjitha anët të iniciojmë.
Opozita ka për detyrë të kritikojë dhe të evidentojë gabimet e qeverisë. Ky është misioni i saj primar dhe një vit pasi e majta është ngjitur në pushtet, ka jo pak gafa e gabime për të kritikuar nga puna e saj. PD-ja është në të drejtën e saj të plotë të nxjerrë në pah dhe të anatemojë çdo aspekt që e gjen jonormal në qeverisjen aktuale. Por kur fjala është për temat madhore që preokupojnë vendin, kur është fjala për të prekur dhe reformuar sistemin, opozitarët dhe Presidenti Nishani duhet të na thonë, ne shqiptarëve, sesi i mendojnë ata zgjidhjet, se cilat janë propozimet dhe idetë që kanë për njërën apo tjetrën sfidë. Mund të tërhiqesh t66aktikisht nga institucionet e politikës, por s’mund të tërhiqesh nga misioni përfaqësues i atyre që të kanë votuar. Ashtu siç nuk mund të pozicionohesh politikisht edhe nga funksioni i lartë që të kanë dhënë. Por me masë. Sepse obstruksionizmi presidencial është i shëndetshëm deri aty ku nuk bëhet pengesë për vendin. Kur kthehet në ide fikse, ai është, si çdo ide fikse, i dëmshëm dhe pengues.
Turpi i kesaj opozite dhe bashke me te edhe i presdentit Bujar Nishani esht se i kane vene detyre vhtes ta mbajne dhe ate vend dhe popull nen suazen e tyre. Fatkeqesi kombetare kurre degjon qe vetem mohojne, bllokojne, akuzojne, vetem e vetem te mos zbatohen rreformat e ndrmara nga qeveria e majte, per te ndryshuar jo vetem imazhin e keq qe krijoj qeverisja e Berishes, brenda e jasht vendit. Esht e vertetet qe kundershtojne ose heshtin per te bere reformen ne drejtesi, ne arsim shendetesi, reformen teritorjale, luften kunder korrupsjonit, Nuke thone asnje fjale per luften kunder kultivimit dhe trafikimit te droges. Ne vend te debatit diskutimit konsesusit per reformat e thella qe me aq force i kerkonjn e rekomandojne nderkombataret, zgjedhin rrugen e kundershtimit e bojkotit. Per turpin e tij dhe te keqen e shqiptareve presidenti Bujar nshani esht kethyer ne sekretetar i PD, ben e vepron cfar i thote e e vendos Saliu, duke e futur keshtu me dashakeqesi vendin ne kriza, qe vec demtojne imazhin e shqiperis, varfarojne vendin dhe shqiptaret dhe zgjasin ne infinit afrimin e vendit tone ne BE.