Cili është qëllimi përfundimtar i Trumpit në Iran ndërsa lufta SHBA-Izrael përshkallëzohet?
Ndërsa sulmet vazhdojnë në mbarë Iranin, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur objektiva që ndryshojnë vazhdimisht. Por sa të mundshme janë në të vërtetë këto synime?
Më shumë se dy dekada pas pushtimit të Irakut në vitin 2003 nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, SHBA-ja, së bashku me Izraelin, ka nisur një luftë kundër Iranit që tashmë ka hyrë në javën e dytë. Por ndërsa sulmet me raketa ndaj Iranit po shtohen, po ndryshojnë edhe qëndrimet – shpeshherë kontradiktore – të shprehura nga presidenti amerikan Donald Trump mbi atë që në të vërtetë kërkon Uashingtoni. Kjo ka ngritur një pyetje qendrore: cili është qëllimi përfundimtar i SHBA-së?
Forcat amerikane kanë goditur pothuajse 2,000 objektiva në Iran që nga fillimi i luftës, duke eliminuar disa zyrtarë të lartë iranianë, përfshirë edhe Udhëheqësin Suprem të atëhershëm të vendit, Ali Khamenei, në Teheran. Sulmet e mëvonshme kanë shënjestruar objekte bërthamore, zona civile dhe infrastrukturë kritike, si rafineritë e naftës dhe një impiant për desalinizimin e ujit.
Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar qindra raketa dhe mijëra dronë drejt Izraelit dhe vendeve fqinje të Gjirit. Teherani thotë se sulmet kanë pasur në shënjestër baza ushtarake të përdorura nga SHBA-ja, si dhe infrastrukturë energjetike, ambasada amerikane dhe zona civile.
Deri tani, sulmet amerikano-izraelite kanë vrarë më shumë se 1,200 iranianë, përfshirë mbi 160 fëmijë që humbën jetën kur u bombardua një shkollë. Gjithashtu kanë vdekur shtatë ushtarë amerikanë. Megjithatë, sipas analistëve, Trump dhe administrata e tij nuk e kanë shpjeguar kurrë qartë se si duan që kjo luftë të përfundojë.
Më poshtë analizohen disa nga qëndrimet që Trump ka shprehur gjatë dhjetë ditëve të para të luftës, mënyra se si ato janë zhvilluar dhe sa realiste janë këto skenarë.
Ndryshim regjimi – duke shkaktuar kolapsin e establishmentit iranian
Sulmet e 28 shkurtit nisën me vrasjen e Khameneit, i cili kishte drejtuar Iranin si udhëheqës suprem për 37 vjet dhe më parë kishte shërbyer edhe si president i vendit.
Edhe pse administrata Trump nuk e ka përdorur hapur termin “ndryshim regjimi”, ekspertët thonë se veprimet e saj duket se synojnë shembjen e establishmentit aktual iranian.
“Qëllimi i sulmeve ishte kapitullimi i menjëhershëm i regjimit dhe një kryengritje popullore,” tha Mustafa Hyder Sayed, drejtor ekzekutiv i Institutit Pakistan-Kinë.
Muhanad Seloom, profesor i asociuar i politikës dhe sigurisë ndërkombëtare në Institutin e Studimeve Pasuniversitare në Doha, tha se një “bast i pashprehur” duket se ka udhëhequr qasjen e Trumpit.
Kjo qasje supozonte se “heqja e kokës dhe e një pjese të trupit do të bënte që sistemi ose të shembej, ose të dobësohej aq shumë sa çdo gjë që do të dilte prej tij nuk do të mund të rikthente pozitën e Iranit para luftës”, tha ai për Al Jazeera.
Në realitet, pavarësisht vrasjes së shumë komandantëve dhe liderëve të lartë ushtarakë – përveç Khameneit – deri tani ka pak prova për përçarje të thella brenda institucioneve që mbajnë në këmbë Republikën Islamike. Të dielën, Irani shpalli pasuesin e Khameneit si udhëheqës suprem: djalin e tij 56-vjeçar, Mojtaba Khamenei.
“Besoj se kjo ishte një llogaritje e gabuar nga ana e Trumpit, sepse ata nuk e prisnin dhe nuk e kuptuan që Irani ka qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të përballuar një luftë të gjatë,” tha Sayed.

Një marrëveshje me Gardën Revolucionare dhe diplomatët iranianë
Që nga momenti kur u nis ajo që u quajt Operacioni “Epic Fury”, mesazhet e Trumpit kanë lëvizur mes idesë së një marrëveshjeje dhe shkatërrimit të Iranit.
Në fillim, ai u bëri thirrje anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të dorëzonin armët në këmbim të imunitetit. Më pas ai u kërkoi diplomatëve iranianë të kalonin në anën tjetër.
Por Garda Revolucionare ka qenë ajo që po udhëheq kundërsulmin iranian ndaj SHBA-së dhe Izraelit, si dhe sulmet ndaj vendeve të tjera të Gjirit. Ndërkohë, diplomatët iranianë në një letër publike e refuzuan ofertën e Trumpit, duke theksuar se mbeten të përkushtuar ndaj rolit të tyre si përfaqësues të Republikës Islamike.
“Garda Revolucionare sapo ka deklaruar bindje të plotë ndaj udhëheqësit të ri suprem,” tha Seloom. “Trump i ka shpallur ata organizatë terroriste. Asnjëra palë nuk ka hapësirë politike për një bisedë të tillë ndërsa bombardimet vazhdojnë.”

Eliminimi i aftësive ushtarake të Iranit
Trump dhe ekipi i tij kanë folur gjithashtu për shkatërrimin e aftësive ushtarake të Iranit – raketat balistike dhe objektet që i prodhojnë ato, si dhe flotën detare – si një nga objektivat kryesorë të luftës.
Sulmet amerikane dhe izraelite kanë goditur mjete detare iraniane, përfshirë një anije luftarake pranë brigjeve të Sri Lankës, si dhe infrastrukturën e raketave. Të dy vendet thonë se tani kontrollojnë hapësirën ajrore iraniane.
Megjithatë, Seloom argumenton se fuqia ushtarake vetëm nuk mund të prodhojë rezultatin politik që mund të kërkojë Uashingtoni.
“Mjeti ushtarak është autorizuar shumë përtej asaj që mund të sjellë objektivi strategjik. SHBA mund të shkatërrojë pajisjet ushtarake të Iranit, por nuk mund të krijojë një alternativë politike nga ajri,” tha ai.

“Merrni në dorë qeverinë tuaj” — por Trump të vendosë kush e drejton
Pas sulmeve të 28 shkurtit që nisën luftën, Trump u tha iranianëve:
“Popullit të madh të Iranit i them se ora e lirisë po afron. Kur të përfundojmë ne, merrni në dorë qeverinë tuaj. Ajo do të jetë e juaja.”
Më pas ai tha se do të preferonte që një figurë nga brenda Iranit të drejtonte qeverinë pas luftës, duke ulur kështu shanset për Reza Pahlavin, djalin e ish-shahut të Iranit, i cili jeton në SHBA dhe prej kohësh ka shprehur ambicie për të udhëhequr vendin.
Por Trump gjithashtu deklaroi se Mojtaba Khamenei është “i papranueshëm” si udhëheqës i ri i Iranit dhe kërkoi që të ketë rol në zgjedhjen e liderit të ardhshëm. Më 6 mars ai shkroi në rrjetin e tij social Truth Social:
“Nuk do të ketë marrëveshje me Iranin përveç DORËZIMIT PA KUSHTE!”
Ai shtoi se pas dorëzimit të regjimit duhet të zgjidhen “liderë të mëdhenj dhe të pranueshëm”.
Përgjigjja e Teheranit ndaj këtyre kërkesave ka qenë e njëjtë:
asnjë dorëzim, asnjë negociatë nën bombardime dhe asnjë udhëheqje e imponuar nga jashtë.
Sipas ekspertëve, zgjedhja e Mojtaba Khameneit si udhëheqës suprem është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj ambicieve të Uashingtonit.
Seloom beson se ngritja e tij tregon se Garda Revolucionare ka konsoliduar rolin e saj si qendra reale e pushtetit në Iran.
“Për objektivat e SHBA-së, kjo është shumë e papërshtatshme. Uashingtoni donte që pasardhja të ishte një moment përçarjeje. Në vend të kësaj, ajo prodhoi një efekt mobilizues,” tha ai.
Një pushtim kurd — apo jo
Një tjetër opsion që administrata Trump ka konsideruar është që forcat kurde të sulmojnë ushtrinë iraniane, duke krijuar kushtet për një kryengritje më të gjerë kundër regjimit.
SHBA ka marrëdhënie me grupe kurde në Irak dhe një prani ushtarake pranë Erbilit. Por përdorimi i luftëtarëve kurdë brenda Iranit do të ishte shumë më kompleks.
Edhe pse liderët kurdë kanë konfirmuar se Trump ka zhvilluar bisedime me ta, ekspertët paralajmërojnë se një veprim i tillë mund të shkaktojë tensione më të gjera rajonale.
“Grupet e armatosura kurde iraniane nuk kanë kapacitetin, unitetin apo logjistikën për diçka që ngjan me një pushtim,” tha Seloom.

Sulmi ndaj kësaj shkolle në Minab, në jug të Iranit, u bë një nga incidentet më vdekjeprurëse për civilët gjatë luftës, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 160–180 personave, shumica nxënëse të moshës 7-12 vjeç.
Pushtimi tokësor
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi është i përgatitur edhe për mundësinë e një pushtimi tokësor nga SHBA.
Trump dhe administrata e tij nuk e kanë përjashtuar mundësinë e vendosjes së trupave në terren.
Megjithatë, Kamran Bokhari nga Instituti New Lines për Strategji dhe Politikë thotë se një pushtim i tillë do të ishte shumë i vështirë për Trumpin.

“Trupat tokësore janë opsioni më pak i mundshëm, duke pasur parasysh imperativat politike të presidentit dhe dështimet e SHBA-së në Irak dhe Afganistan,” tha ai.
Po objektivat e Izraelit?
Izraeli prej kohësh e konsideron Iranin armikun e tij më të madh.
Mahjoob Zweiri nga Universiteti i Katarit thotë se Izraeli e sheh këtë luftë si pjesë të një projekti më të gjerë për të riformësuar rajonin pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
“Ajo që Izraeli planifikon është në thelb përdorimi i 7 tetorit si pretekst për riformësimin e Lindjes së Mesme, njësoj siç bëri SHBA pas 11 shtatorit,” tha ai.
“Izraeli dëshiron të eliminojë ose të margjinalizojë çdo aktor që mund ta sfidojë, përfshirë Iranin.”

Cili është skenari më realist për SHBA-në?
Mes gjithë objektivave të ndryshëm që Trump dhe ekipi i tij kanë përmendur për këtë luftë, Andreas Krieg nga King’s College London thotë se opsioni më praktik për SHBA-në është një marrëveshje e imponuar përmes presionit, jo një luftë tokësore.
“Uashingtoni mund të jetë ende i hapur për një mirëkuptim me elementë të regjimit, përfshirë aktorë të lidhur me Gardën Revolucionare, nëse ata janë të gatshëm të bëjnë lëshime mbi raketat, programin bërthamor dhe sjelljen rajonale, në mënyrë që Trump të shpallë sukses,” tha ai.
Sayed nga Instituti Pakistan-Kinë thotë se pragmatizmi i Trumpit mund të përcaktojë përfundimin e luftës.
“Trump është mjaft pragmatik. Ai do të donte të bënte një marrëveshje, të deklaronte se SHBA ka arritur objektivat dhe të përfundonte luftën,” tha ai.
“Ai mund ta ripërcaktojë fitoren: të thotë se Khamenei është vrarë, forcat e armatosura janë shkatërruar dhe ta mbyllë çështjen. Një pushtim tokësor do të sillte pasoja politike brenda vendit dhe humbje në zgjedhjet e mesmandatit.”




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment