Nga Blerim Shala
Ka pasur në këtë historinë mbi 22 vjeçare të negociatave dhe të bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, gjithfarë përvojash, ngjarjesh dhe zhvillimesh, shpeshherë edhe dramatike, të cilat janë pak a shumë të njohura për të gjithë ne.
Janë shënuar dështime të mëdha në këtë ndërmarrje të gjatë kohore, ku kryesori ka të bëjë me refuzimin e autoriteteve të Serbisë për ta pranuar një paqe të dakorduar ndërkombëtare për Kosovën me Marrëveshjen e Rambouilletit, e cila pastaj solli fushatën ajrore të Aleancës Veri-Atlantike në pranverën e vitit 1999-të dhe çlirimin e Kosovës, apo paqen e imponuar.
Beogradi zyrtar ktheu mbrapsht edhe Propozimin e Presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, në vitin 2007-të, pas një procesi të gjatë të bisedimeve të udhëhequra një herë nga UNOSEK (adresa e bisedimeve e krijuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së), e pastaj edhe nga Grupi i Kontaktit (me Trojkën e Ambasadorëve të SHBA-së, BE-së dhe Federatës së Rusisë).
Kosova u bë shtet i pavarur, në shkurtin e vitit 2008-të, por stabilizimi i brendshëm dhe i jashtëm i këtij shteti mbeti peng i mos-përmbylljes së duhur të këtyre bisedimeve, i mos-definimit të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, apo, i mos-dhënies së epilogut të një kontesti të madh historik që nisi në vjeshtën e vitit 1912 me pushtimin e Kosovës nga Serbia.
Bisedimet e Brukselit, të autorizuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, të nisura në marsin e vitit 2011, nuk arritën të konkludohen me Marrëveshjen Gjithperfshirëse apo legalisht detyruese për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Pritej që të shtunën e fundit të muajit, apo me 27 qershor në Washington, e më pas, me gjasë me 10 korrik në Paris, dhe me 11 korrik apo pak ditë më vonë në Bruksel, pra, në një hark kohor prej 15-20 ditësh, në tri takime të ndryshme, në Shtëpinë e Bardhë, nën udhëheqjen e dyshes Grenell – O’Brien, në Paris, me nikoqir Presidentin e Francës Macron dhe Kancelaren e Gjermanisë Merkel, dhe në Bruksel, me Emisarin Special të BE-së Lajçakun si prijës të tyre, të ndodhë mëkëmbja e bisedimeve në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me atë synimin e definuar kaherë për një Marrëveshje për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Por, një Deklaratë për shtyp e Zyres së Prokurorit të Specializuar (nga Dhomat e Specializuara në Hagë), të mërkurën, me 24 qershor, pati fuqinë e ’veto-s’ në ringjalljen e dialogut i cili ishte në një gjendje vendnumërimi për 20 muaj të plota.
Kjo Deklaratë është pa kurfarë dyshimi e pashoqe në këtë historinë e re të Kosovës, qoftë si procedurë juridike, qoftë si përmbajtje paralajmëruese, por më së shumti, si koincidim kohor me udhëtimin e Presidentit Thaçi për në Washington, ku ky së bashku me Kryeministrin Hoti, ishin të ftuar që të marrin pjesë në raundin e parë të bisedimeve të përtërira në mes të dy palëve, me homologët e tyre në Serbisë, Presidentin Vučić dhe Kryeministren Brnabić.
Është thuaja e pamundur t’i iket konkludimit që ndërlidhë publikimin e kësaj Deklarate për shtyp të Prokurorisë së Specializuar, dhe dështimin e mbajtjes së Mbledhjes së Washingtonit, e cila duhej t’i hapte rrugën një procesi intensiv, dinamik, disamujor, me adresa jo fort të qarta ndërkombëtare, me një bashkërenditje të munguar por të domosdoshme midis Washingtonit, Berlinit, Parisit dhe Brukselit, për ta mundësuar Marrëveshjen e cila jorrallë është quajtur historike në mes të dy shteteve dhe dy popujve.
Dihet që Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti u detyruar në kthehen në Prishtinë.
Takimi i parë në Shtëpinë e Bardhë u anulua.
Ndodhi pra një lloj i abortimit të dialogut. Diçka e tillë, nuk është shënuar asnjëherë në këtë historinë e gjatë të bisedimeve në mes të dy palëve. Është pra ky një fenomen krejtësisht i ri.
Vetëm disa ditë më parë (apo në fillim të javës së kaluar), qofshin ato edhe të pakoordinuara, dukej që do të ishin tri adresa me tri përgjegjësi dhe tri përgjigje eventuale për mënyrën se si në tri rrugë të ndryshme do të duhej të mbërrihej tek një epilog i vetëm, tek Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, që pritet të ndërtohej mbi njohjen reciproke në mes të dy shtetve.
Tani, me një Komunikatë të vetme prej krejtësisht njëzet rreshtash, duket që gjithçka është vënë nën pikëpyetje, apo, që ato tri përgjigjet e synuara ndërkombëtare, janë zëvendësuar me dhjetëra pyetje politike, diplomatike dhe të sigurisë, të cilat qarkullojnë këndejpari në Kosovë, por edhe në kryeqendrat kryesore të Perëndimit, në radhë të parë në Washington, në Berlin, Paris dhe në Bruksel (jo vetëm në selinë e BE-së por edhe në atë të Aleancës Veri-Atlantike).
Nuk e di kush se çka do të ndodhë tash e tutje, në këtë politikën tonë të brendshme kosovare, në relacionet e Kosovës me Perëndimin, në marrëdhëniet e Prishtinës me Beogradin.
Kjo është përshtypja e parë që përcjell të gjitha këto ngjarje të fundit në Kosovë dhe rreth Kosovës.
Mungesa e përgjigjeve stabile dhe të qëndrueshme politike, si gjithmonë, zëvendësohet me spekulime, thashetheme, hamendësime, supozime, dhe gjithsesi, me teori konspirative.
Në këtë terminologjinë aq shumë të familjarizuar ndër ne prej muajit mars e këndej, duket që neve mund të na ndodhë një lloj i ’Pandemisë politike’, me pasojat krejtësisht të paparashikueshme për zhvillimet e mëtejme politike në vend, në rajon dhe në ato që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin dhe gjithsesi, me relacionet e Kosovës me Serbinë.
Politika kosovare edhe ashtu që nga dimri i vitit 2018/ 2019-të (dikush këtu mund të shtojë që nga vera e vitit 2014-të), nuk ka arritur t’i numërojë dhjetë ditë të njëpasnjëshme të qeta, apo, nuk ka mundur të krenohet me një stabilitet apo qëndrueshmëri.
Por ja që duket që ky vit, apo viti 2020, në përgjithësi, ka pretendime të qarta dhe agresive, për të qenë viti më i rëndë politik në vend, jo vetëm që nga bërja e shtetit të Kosovës, por duket që nga viti 2000, apo, nga viti i parë kur Kosova ishte vend i lirë.
Janë grumbulluar në një vend, dhe brenda pak muajsh, telashet e shumëfishta të cilat realisht, na kanë mbështetur të gjithëve për muri. Me meritë apo pa meritë, kjo këtu nuk ka fare rëndësi.
Së pari, Qeveria e re e Kosovës, e Kryeministrit Albin Kurti, e krijuar me 3 shkurt të këtij viti, arriti të qeverisë realisht vetëm 52 ditë, teksa tensionet e mëdha të brendshme në mes të dy partnerëve kryesorë të kësaj Qeverie, apo, Lëvizjes ’Vetëvendosje’ së Kurtit dhe LDK-së së Isa Mustafës, e gërryen përbrenda këtë Qeveri të krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar.
Së dyti, edhe Kosovës i ra hise të mirret me Covid-19, dhe me të gjitha pasojat e shumëfishta, shëndetësore, ekonomike, sociale dhe politike të këtij virusi. Javëve të fundit po ndodhë rritja e numrit të infektuarve me një perspektivë goxha të zymtë në të ardhmen e afërt për të gjithë ne.
Së treti, në fillim të muajit qershor mezi u krijua një Qeveri e re e Kosovës, me Kryeministër Avdullah Hotin, e cila duket që do të ketë probleme të mëdha, siç u pa zatën në seancat e mbajtura në Kuvendin e Kosovës, për të ecur para me Agjendën legjislative e cila është goxha ambicioze.
Së katërti, mbërriti në Kosovë, në mënyrën më brutale të mundshme, kumti për veprimet eventuale të Dhomave të Specializuara në Hagë, gati pesë vjet pas formimit të tyre në Kuvendin e Kosovës, në muajin gusht të vitit 2015-të.
Së pesti, dialogu në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, duket që tani është më i paqartë dhe më i pasigurtë se asnjëherë më parë në vitet e fundit, teksa dihet që duhet disi të merr fund ky proces, apo, të bëhet Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, sepse ky është interes jetik i Kosovës (realisht, edhe i Serbisë).
Konkludimi që imponohet pra, pas një rekapitullimi jo edhe aq të tëholluar dhe të detalizuar të kësaj rrjedhe politike në Kosovë të këtij viti, të mbushur dhe të stërngarkuar me probleme të lloj-llojshme, dhe të hapur për ndërlikime të shumëfishta dhe për destabilizim politik (dhe jo vetëm politik), është që sekush që mendon që këtupari mund të vazhdohet me të vjetrën, thuajse asgjë nuk ka ndodhur, e ka gabim, dhe këtë do ta kuptojë ai vet herët apo vonë.
Kjo porosi vlen për të gjithë politikanët dhe partitë politike në vend.
Duket që veçmas ngjarjet kryesore të javës së kaluar, që nuk kanë si mos cilësohen si tronditëse për politikën dhe shtetin e Kosovës, shfaqën një lloj të ‘dobisë kolaterale’ (gjithsesi të paqëllimshme, siç janë zaten të kësollojta edhe dëmet kolaterale), për politikën kosovare, në trajtë të një kërkesë imponuese, imediate dhe urgjente për ri-gjetjen dhe ri-shfaqjen e një uniteti politik në Kosovë, të munguar tash e sa vjet, mbase që nga ajo periudha e shpalljes së pavarësisë së Kosovës (e cila nga perspektiva e sotme na del si një lloj i ‘Periudhës së artë’ në historinë e re të Kosovës dhe të politikës së saj).
Thirrja për mirëkuptim, për bashkëpunim dhe madje, për bashkim politik, është një prej atyre fjalive apo prononcimeve ‘kujdestare’ në politikën kosovare, veçmas kur bëhet fjalë për organizimin e bisedimeve me Serbinë, sikurse edhe për ballafaqimin me kryetemat politike dhe të sigurisë të Kosovës.
Nuk ka politikan relevant në vend, i cili me dhjetëra herë nuk është prononcuar në favor të këtij unifikimi politik në vend, në adresim të temës së dialogut të autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit.
Megjithatë, hiç atë aktin solemn legjislativ në Kuvendin e Kosovës të transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, në muajin dhjetor të vitit 2018-të, nuk mbahet në mend, që prej vitit 2008 e këndej, asnjë e vetmja çështje që ka siguruar një përkrahje të plotë të politikanëve dhe të partive kosovare në vend.
Madje, partitë politike shqiptare ishin të ndara, për shkaqe të njohura, edhe kur u bë Ratifikimi i MSA-së (SAA, Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit), që ishte Marrëveshja e parë kontraktuale në mes të shtetit të Kosovës dhe BE-së.