Opinion

COGITO, ERGO …

Nga Edvin Kukunja

Në një video që qarkullon kohët e fundit në rrjetet sociale tregohet, thjesht e qartë, vetia e tingullit për të “manipuluar” lëndën. Një pikë lëngu trajtësohet në efektin e valëve mekanike që tingulli gjeneron në hapësirë.
Ky fakt provon shkencërisht që po tingulli ka vetinë të trajtësojë lëndën dhe hapësirën. Aksioma biblike, “Në fillim ishte fjala!”, merr kështu dhe një valencë shkencore: “Në zanafillë është tingulli!”. Njerëzimi ka bërë hapa para ndër shekuj dhe gjuha, në të gjitha shfaqjet e saj (idioma/dialekte), e ka tejkaluar tashmë domosdoshmërinë jetike të ndërveprimit më të thjeshtë njerëzor. Gjuha eksploron, gjuha ndërton, mbi gjuhën ndërtuar është kujtesa dhe identiteti jonë.
Me teknologjinë dhe zhvillimet e saj në shekullin e kaluar dhe të tashmin, gjuha është tashmë instrumenti më i fuqishëm që njerëzimi ka në dispozicion, për të ndërtuar ose për të shkatërruar diçka ose gjithçka. Vijmë te ne! Në kakofoninë e debatit publik, bie menjëherë në sy një mungesë respekti për kategoritë e diskursit dhe një mangësi ndjeshmërie ndaj kategorive semantike.
Argumentet i përgjigjen vetëm një domosdoshmërie, asaj të lëndës ndaj boshllëkut, “horror vacui”. Nuk di pse dhe kur heshtja është njëjtësuar me boshllëkun. Sepse heshtja nuk është boshllëk dhe të kundërtën e saj nuk e provon dot kush. Po aq e vërtetë, heshtja është domosdoshmëri e mendimit për t’u zhvilluar, është hapësira e meditimit. Heshtja është në strukturën gjenetike të mendimit, ndërkohë që kakofonia është në strukturën gjenetike të boshllëkut. Boshllëku është zhurmë dhe ka vetinë të asgjësojë diskursin dhe argumentin.
Nuk është se duke thënë diçka i kemi bërë ndonjë favor diskursit. Ose më mirë, mund të themi sigurisht çdo gjë që na vjen ndërmend, por jo çdo gjë na vjen ndërmend mund të futet në atë që mund të quajmë, jo pa ironi, “zhanri i kronikës së të vërtetës”. Ndaj dhe njerëzimi ka “shpikur” letërsinë, prozën dhe poezinë, novelën, romanin etj., etj. Është e mundur pra të themi gjithçka duam, por duhet që atë që themi ta futim nën etiketën e duhur. Një zhanër i veçantë është dhe shpifja! Çka e dallon shpifjen nga trillimi me qëllim spekulimin artistiko-letrar është pretendimi se fakti i rrëfyer është i vërtetë dhe se ky fakt mund t’u referohet personave realisht ekzistues. Ky zhanër, zhanri i shpifjes kësisoj, është tashmë shndërruar në aktivitetin ose produktin kryesor të një soji mediash elektronike, të cilat rendin pas klikimeve. Duhet të keni parasysh që të ardhurat e këtyre mediave vijnë kryesisht nga fluksi i lëvrimeve të artikujve dhe faqeve të tyre bazuar në një kriter, siç është ai i shikueshmërisë. Më shumë klikime, më shumë shikueshmëri dhe për rrjedhojë më shumë të ardhura nëpërmjet hapësirës publicitare virtuale të krijuar nga hiçi. Ky është qëllimi i vetëm i këtij zhanri “gazetaresk” dhe i këtyre mediave online. Mendoni tani se sa e domosdoshme është për to hulumtimi i hapësirës faktike, me qëllim lëvrimin e së vërtetës.
Ky qëllim do të binte ndesh me vetëm qëllimin real që kanë: gjenerimi i të ardhurave. Parë në një këndvështrim të painteresuar, kjo është një gjetje gjeniale. I përzier ky qëllim dhe me një mangësi argumenti dhe mosrespektim, si pasojë e injorancës, të kategorive semantike të diskursit, i vetmi rezultat që kemi në fund është shkatërrimi i gjuhës, i diskursit, i vetëkujtesës. Dhe nëse është e vërtetë që jeta dhe realiteti janë dialektike, është po aq e vërtetë që shkatërrimi i kujtesës nëpërmjet dhunimit të gjuhës është shkatërrim i reales, asgjësim i saj në rrënjë. Imagjinoni tani sesi një njeri, i cili nuk ka asnjë hapësirë tjetër të mundshme për t’u zhvilluar e jetuar, përveç asaj reales, mund të jetojë në këtë hapësirë të shkatërruar.
Ndjesia e parë është humbja si humbje e pikave orientuese, më pas vijnë frika dhe ankthi. Rruga e vetme për të mbijetuar është anestetizimi i sensit kritik, gjë që përçon në “vdekjen e shqisave”. Më vjen ndërmend Saramago me “Verbërinë”. Shokuese sesi dua të sjell një shembull, të ashtuquajtur intelektualë, njerëz me CV e formim në universitete ndër më të mirat të hapësirës perëndimore (jo se kam domosdoshmërish ndonjë respekt të veçantë për këtë hapësirë, të paktën jo më shumë se ç’është e mundur të kem) shkruajnë paçavure pa fund dhe jo pa ndonjë vetëkënaqësi për realizimin e këtij akti. A thua është mjaftueshëm që dimë të shkruajmë e të vëmë disa pika e presje. Akti i të shkruarit është pasojë/produkti i aktivitetit cerebral që i njohim njeriut, të menduarit. Nuk është e vërtetë e kundërta, sepse nuk ka sesi të jetë. Cogito, ergo sum! Dhe një thumb akoma!
Liria e mendimit si liri e këndvështrimit ose liria për të pasur një opinion mbi çështje që gjallojnë hapësirën e diskursit publik është po një domosdoshmëri jetike për shoqëritë demokratike. Por kurrsesi nuk mund të jetë e tillë broçkullitja, keqinformimi dhe shpifja. Liria e mendimit si liri e vetëmjaftueshme nuk ndërton, por shkatërron. Është pak a shumë ajo që ka ndodhur me provën private në vendin tonë në këto 25 vite “tranzicion”. Prona private është absolute!!! “Yxhym” të dhunojmë në emër të saj hapësirën e publikes. Prona private është absolute në pamundësinë e tjetrit, qoftë privat apo shtet, për ta përvetësuar atë jashtë formave që parashikohen në ligj. Ndërkohë, prona pa një funksion social është barbari e pastër, është krim kundër shoqërisë dhe kaq! Po kështu dhe liria e mendimit dhe e të shprehurit të opinioneve personale! Heshtja përpara mundësisë për të ndërtuar boshllëqe është detyrë sociale.
Ndërsa vendosa të shkruaja këto pak rreshta, më duhet ta pranoj, mora shkas nga çështjet që ofron aktualiteti dhe që janë në diskutim e sipër në hapësirën e diskursit publik. Shumë çka thuhet në media më duket i përgjigjet vetëm një arsyeje: arsyes për të rënë në sy për qëllime që tejkalojnë vetë çështjen. Dhe kjo gjë është e trishtë. E përsëris, liritë nuk janë shprehi e absolutizmit të unit përpara domosdoshmërisë të jetës në bashkësi. Nuk mund të jenë të tilla, sepse nuk janë arritur kështu. Çdo liri është arritur me sakrificat e shoqërisë dhe jo e kundërta. Andaj dhe nuk mundet kurrsesi që liria të sjellë përfitime personale në dëm të shoqërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button