Çunat e dhunshëm të policisë
Kur e majta erdhi në pushtet policia e shtetit mori dy angazhime të mëdha përpara qytetarëve. I pari ishte padyshim lufta kundër krimit. I dyti ishte një premtim po aq pompoz, që i shkonte më së miri kësaj qeverisjeje, që më shumë se thelbin vlerëson dukjen. Ai konsistonte në ndryshimin e fytyrës së policisë. Vetë kryeministri Rama, në më shumë se një rast, i përligji spastrimet e mëdha në gjirin e uniformave blu, me justifikimin e heqjes së mustaqellinjve barkmëdhej. Profili i policit të rilindjes duhej t’i përshtatej atij të të rijve dinamikë, elegantë dhe të edukuar, që bashkë me betejën ndaj kundravajtjeve do të kishin në vëmendjen e tyre edhe respektin ndaj qytetarëve, që i kishte munguar “taborëve me malokë të kohës së Saliut”. Pra bashkë me një revolucion në rezultate, qytetarëve ju premtua edhe një revolucion në imazh.
Por, dështimi ka qenë spektakolar në të dyja.
Tre raste të ditëve të fundit, të denoncuar në media, e kanë përdhosur keq modelin e policit të ri të periudhës Rama-Tahiri.
Në fillim të këtij muaji të gjithë pamë të rrënqethur, dy policë rrugorë, që pasi demostronin me arrogancë misogjeninë e tyre brutale, e godisnin një grua si rrugaçë ordinerë (shih lajme Lapsi.al). Pa kaluar as dy javë nga kjo ngjarje e rëndë, një tjetër skenë e shëmtuar u pa këtë herë në Kavajë. Një qytetar i cili mbahej për krahësh nga dy inspektorë policie, goditej me grushta dhe shkelma nga kolegu i tyre i tretë dhe e gjithë skena ndodhte në sytë shefit të rendit të këtij qyteti. Mjafton vetëm ky detaj, pra dhuna e ushtruar në sytë e eprorëve për të paramenduar sesa e përhapur është kultura e saj dhe sa thellë ka hedhur rrënjë ajo në gjirin e policisë shqiptare.
Pikërisht këtë shqetësim përforcon edhe rasti i fundit, ai që ndodhi në 20 shkurt në Korçë (shih lajme Lapsi.al). Ai është një shembull tipik dhune dhe arrogance të një njeriu të veshur me uniformë. I riu që padashur u përplas me makinën e zv/drejtorit të policisë, duke e dëmtuar lehtë atë, megjithëse kërkoi falje, megjithëse për këtë kundravajtje deklaroi se ishte i gatshëm ta shlyente dëmin, iu nënshtrua një rahje publike në mes të qytetit e më pas edhe në dhomat e errëta të komisariatit.
Në dy nga tre këto raste duket qartë se krimi është ushtruar nën kujdesin e zyrtarëve të lartë lokalë, pikërisht prej atyre njerëzve, emërimet e të cilëve janë firmosur në kupolën më të lartë të policisë për të përçuar imazhin e ri të Rilindjes.
Natyrisht dikush mund të thotë se ndaj këtyre rasteve, u reagua menjëherë me masa administrative, vetë kryeministri u ul të shkruajë duke falenderuar qytetarët denoncues, por kjo nuk mund të shërbejë aspak si alibi për të mbuluar mendësinë e dhunës. Së pari sepse u reagua vetëm ndaj këtyre rasteve që u shndërruan në skandale mediatike dhe së dyti se shpeshtësia e përsëritjes së tyre, madje dhe në sytë e eprorëve, dëshmojnë se kultura e dhunës është shumë më e thellë dhe shumë më e përhapur brenda uniformave blu.
Askush nuk mund të vërë bast pas videove që kemi parë, se rasti i asaj gruas në Tiranë që trajtohet me paragjykime seksiste dhe qëllohet me shpullë, ashtu sikurse rasti i dhunës së egër në Kavajë, apo ai i masakrimit publik në Korçë, janë episode të veçuara. Askush nuk mund të dijë se çdo të ndodhte me dhunuesit, nëse për fatin e tyre të keq, ata nuk do të qenë fiksuar nga paisje amatore filmimi. E vetmja gjë që dimë, është se ata nuk kanë ngurruar të shkelin ligjin, ose para syve të shefave, ose me keq akoma, për të zbatuar urdhrat e tyre. Pra kjo do të thotë se nëse kamerat nuk do të gjendeshin aty (si psh në dhomat e errëta të komisariateve) dhunuesve në rastin më të mirë, nuk do t’u kishte hyrë gjemb në këmbë, ndërsa në rastin më të keq, mund të ishin promovuar.
Pra mjaftojnë këto për të vërtetuar se në këtë një vit e gjysmë pushtet të socialistëve, dhuna policore nuk është ulur aspak. Në ndryshimin e mentalitetit nuk kanë ndikuar aspak, as vajzat bionde me flokë të lyer e me gishta me manekyrë, as djemtë e rij shtathedhur që shohim më shpesh rrugëve të qyteteve tona. Madje, me gjasë, ajo ka gjetur një modus vivendi të ri. Sepse vërtet në policinë e Rilindjes gjejmë më shumë fytyra të reja, po ata janë rishtarë të edukuar me thirrjen “bravo çuna”, janë njerëz të ligjit që po mbruhen më shumë me idenë e tejkalimit të tij në dëm të qytetarit, me filozofinë e ndëshkimit përpara asaj të respektit, me ndjenjën e të fortit përpara asaj të një shërbëtori të taksapaguesve. Pra Rilindja ka krijuar vërtet “një njeri të policisë”, por fatkeqësisht ajo po korr të njëjtat rezultate. Dhuna nuk është ndalur. Imazhi nuk është rregulluar. Dhe ky është dështimi i dytë i policisë, pas atij në luftën ndaj krimit.