Dardanet U19 pësojnë humbje të thellë nga Polonia
Kombëtarja e Kosovës U19 e vajzave pësoi një humbje të thellë 5:0 nga Polonia, siç njofton Futbolli.info, në ndeshjen e luajtur në stadiumin MŠK Žilina në Zhilinë të Sllovakisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian U19, Liga A, Grupi A3.
Polonia kaloi në epërsi në minutën e 25-të me golin e Ostrowskas, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Madejczyk dyfishoi rezultatin. E njëjta lojtare shënoi edhe golin e tretë në minutën e 34-të, duke i dhënë Polonisë një avantazh të qetë para pushimit.
Në pjesën e dytë, Dardanet u përpoqën të ndryshonin rrjedhën e ndeshjes, por nuk arritën të gjenin rrugën drejt golit dhe as të ndalnin sulmet e kundërshtares, e cila e kontrolloi lojën deri në fund.
Në kohën shtesë, Polonia shënoi edhe dy herë të tjera: Burzan realizoi nga penalltia në minutën 90+2, ndërsa dy minuta më vonë Skrzypczak vulosi rezultatin përfundimtar 5:0.
Pavarësisht disfatës së rëndë, Kosova synon të reagojë në ndeshjet e ardhshme, edhe pse kundërshtarët janë shumë të fortë. Dardanet do të përballen më pas me Greqinë dhe Sllovakinë, në dy duele që do të jenë vendimtare për vazhdimësinë e tyre në këto kualifikime.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.