Kamerat e trupit për çdo polic, Toshkovski: Çdo intervenim do të incizohet
Çdo intervenim policor në Maqedoninë e Veriut do të incizohet. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se policët do të jenë të detyruar t'i mbajnë kamerat e trupit gjatë çdo veprimi zyrtar, ndërsa incizimet do të shërbejnë edhe si material dëshmues për prokurorinë dhe gjykatat.
Çdo intervenim policor në Maqedoninë e Veriut do të incizohet. Policët do të detyrohen t’i mbajnë kamerat e trupit gjatë çdo veprimi zyrtar dhe gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve operative, siç njofton Alsat. Paralajmërimin e bëri ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili tha se masa synon të rrisë kontrollin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë në punën e policisë.
“Kamerat e trupit të policëve, në të ardhmen do të jenë një prej mekanizmave bazë dhe përfitimeve teknologjike në shekullin 21 që do të jetë pjesë e pajisjeve të tyre bazë. Policët gjatë çdo veprimi të tyre, do të jenë të obliguar të mbajnë kamerat e trupit. Me këtë, nga njëra anë vlerësojmë se do të ngrihet përgjigjja profesionale nga ana e policëve dhe nga ana tjetër vlerësojmë se do të jetë e dobishme në korniza të procedurave faktike që i kemi dhe hapat e radhës nga ana e prokurorisë. Ta ngremë jo vetëm shpejtësinë, por edhe cilësinë e materialit të dëshmive”, deklaroi Toshkovski.
Ministri pret që masa të ndikojë në rritjen e profesionalizmit në radhët e policisë, por edhe të lehtësojë punën e prokurorisë dhe të gjykatave, pasi video-incizimet do të shërbejnë si material shtesë dëshmues në procedurat gjyqësore.
“Ky projekt jam i bindur se do të japë vlerë të shtuar jo vetëm në pjesën e dhunës në familje, por aty presim dëshmi më të fuqishme të sigurohen në veprimet e policëve dhe në kohën e kryerjes së një vepre penale. Jam i sigurt se policia do të sigurojë materiale dëshmuese me kamerën e trupit që do ta kenë me vete. Materiali i siguruar faktik do të përdoret nga Prokuroria Publike. Ju siguroj se do të rritet forca e dëshmive në çdo rast konkret. Nëse kemi dëshmi konkrete për vepër penale, procedura do të lehtësohet shumë; nëse nuk kemi, po ashtu edhe pafajësia do të dëshmohet shumë më lehtë”, deklaroi Toshkovski.
Toshkovski nënvizoi gjithashtu se kamerat e trupit do të jenë të mençura dhe do të shërbejnë edhe për përkthime në 40 gjuhë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.