Darka për Princin e Monakos, dollia që ngriti nipi i ish-Presidentit të Francës
Gjatë darkës zyrtare pas ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në respekt të traditës shqiptare, ngriti disa dolli për Princin e Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II.
Presidenti Meta, pasi vlerësoi mesazhet e rëndësishme të kësaj vizite, ngriti tre dolli për nder të Princit të Monakos, Lartësisë së Tij të Përndritur, Albert II dhe miqësisë mes vendeve tona.
Sipas burimeve nga darka zyrtare, në vijim të traditës së dollive, Frédéric Mitterrand, njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe autor i dokumentarit për mbretëreshën Geraldina “Trëndafili i Tiranës” ngriti dje në darkë një dolli për përkujtimin e figurës së Princit Rainieri III, babain e Princit aktual të Monakos Albert II.
Burimet pohojnë se ish-ministri i Kulturës i Francës tha ndër të tjera në fjalën e tij se ndonëse xhaxhai i tij François Mitterrand ishte socialist, ai kishte një vlerësim të veçantë për familjen princërore të Monakos dhe për babain e Princit Albert II, sepse siç do të shprehej “rrallë herë nga një familje mbretërore Rainieri III kishte qenë pjesë e rezistencës anti-fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore madje ishte dekoruar edhe nga De Gol”.