De Jong para ndeshjes me Sabah: Barcelona mund t’ia dalë edhe pa Yamalin
Barcelona do të jetë pa yllin e saj Lamine Yamal në ndeshjen e së mërkurës kundër Sabahut në Ligën e Kampionëve, por mesfushori Frenkie de Jong beson se skuadra katalanase ka cilësinë e nevojshme për ta përballuar këtë mungesë.
Yamal nuk ka udhëtuar drejt Azerbajxhanit për shkak të një problemi me kyçin e këmbës, të cilin e pësoi gjatë ndeshjes së fundjavës.
Mungesa e 19-vjeçarit është një goditje për Barcelonën, duke pasur parasysh rëndësinë e tij në fazën ofensive dhe aftësinë për të krijuar raste edhe në situata kur skuadra nuk arrin të rrezikojë.
De Jong e pranoi se mungesa e sulmuesit do të ndihet, por theksoi se Barcelona ka futbollistë të tjerë që mund ta marrin përgjegjësinë.
“Të mungojë një lojtar si Lamine gjithmonë vërehet. Ai është një futbollist me talent të jashtëzakonshëm dhe krijon rrezik edhe individualisht. Edhe në një aksion që nuk duket i rrezikshëm, ai mund të krijojë diçka. Do ta ndiejmë mungesën e tij, por kemi një skuadër të mbushur me talent dhe lojtarë shumë të mirë, prandaj jemi të aftë të fitojmë edhe pa të”, deklaroi mesfushori holandez.
Edhe trajneri Hansi Flick konfirmoi se klubi kishte vendosur të mos e rrezikonte Yamalın, pasi pas kontrolleve të kryera të hënën u vlerësua se ishte më mirë që ai të qëndronte në shtëpi.
“Për ne ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Dje në mëngjes e kontrolluam dhe vendosëm se ishte më mirë të qëndronte në shtëpi. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe të jetë i gatshëm për fundjavë”, tha Flick.
Trajneri gjerman ende nuk ka vendosur se kush do ta zëvendësojë Yamalın në formacion, ndërsa Raphinha dhe Karim Adeyemi përmenden si opsionet më të mundshme.
Megjithatë, Flick paralajmëroi se Barcelona nuk duhet ta nënvlerësojë kundërshtarin, pasi Sabahu po e përjeton për herë të parë në histori pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe do të jetë maksimalisht i motivuar përballë një prej klubeve më të mëdha të Evropës.
“Ky është edicioni i parë në histori i Sabahut në Ligën e Kampionëve. Ata e duan këtë garë dhe ndeshjet kundër Barcelonës e Manchester Unitedit. Çdo lojtar i tyre do të jetë 100 për qind i motivuar. Ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim dhe mentalitet”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Barcelona, pesë herë fituese e Ligës së Kampionëve, synon ta vazhdojë ecurinë pozitive në këtë garë, ndërsa përballja me Sabah është një tjetër mundësi për të marrë pikë të rëndësishme në fazën e ligës.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.