Debat në Kuvend për raportin IBAR, Vokshi: Gogu të kërkojë falje; Ministri: Jeni peng i smirës politike!
Debate të forta janë zhvilluar në Kuvend mes deputetes së PD-së, Albana Vokshi dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, lidhur me deklaratat për raportin IBAR dhe procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Deputetja demokrate akuzoi ministrin Gogu se ka dhënë informacion të pavërtetë lidhur me miratimin e raportit IBAR, duke deklaruar se ende kishte vende anëtare që nuk e kishin miratuar procesin.
“Dy ditë më parë ministri Toni Gogu doli në konferencë dhe dha lajmin e mirë që raporti IBAR ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve. Si mundet, pa ju dridhur qerpiku, me çfarë padijenie mundet një ministër të japë një lajm që nuk ishte i vërtetë? Të paktën tre vende anëtare kanë pasur probleme me grupkapitullin e parë dhe e kanë shtyrë, dhe ende s’e kanë miratuar”, deklaroi Vokshi nga foltorja e Kuvendit.
Sipas saj, ministri duhej të kishte pritur konfirmimin përfundimtar nga vendet anëtare dhe të mos shpërndante “lajme të pavërteta”.
“Gogu të kishte pritur dhe të mos shpërndante lajme të pavërteta. Të dalë të kërkojë falje dhe të thotë që ka qenë lajm gënjeshtër”, u shpreh deputetja e PD-së.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë reagoi duke akuzuar opozitën për sulme politike ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
“Unë dola në konferencë për të informuar për punën e palodhur të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e negociatave për pikat e ndërmjetme. Shpjegova se si procesi është dinamik, se si negociatat lëvizin dhe nuk ngecin. Më vjen keq që ju keni kontribuar me 8000 akuza për ngecje të procesit”, deklaroi Gogu.
Ministri shtoi se opozita nuk po reflekton progresin që, sipas tij, Shqipëria ka bërë drejt standardeve europiane.
“Jeni i vetmi formacion shoqëror që shkoni 36 vjet mbrapa dhe jeni të vetmit që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë drejt standardeve europiane. Ju vini këtu e grini një sërë akuzash, që më vjen keq, por i kam dëgjuar më parë. Kjo ka lidhje vetëm me smirën që ju bën ju të mos shijoni progresin e Shqipërisë”, tha ai.
Dy ditë më parë, ministri Gogu deklaroi se “Raporti i vlerësimit të piketave të ndërmjetme (IBAR) ishte proces teknik dhe tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve të përhershme. Procesi lëviz, ecën dhe ka mbështetje faktike dhe institucionale të çdo mase nga ana e shtetit shqiptar”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.