Politika

Deklarata: “Gjyqtarët janë bërë si Sudja, Kuvendi të vendosë për KLD-në”

Nasip-Naco1-320x213Ministri i Drejtësisë: Anëtarët e Këshillit vendosën si repart ushtarak

CITIMET TË NAÇOS

Bashkëpunimi – Qeveria nuk është më në kushtet për të bashkëpunuar me këtë Këshill të Lartë Drejtësie. Prandaj e kemi domosdoshmëri për t’iu drejtuar Parlamentit

Deputetët – U takon deputetëve të zgjedhur nga vota e popullit që të shprehen se çfarë do të bëjnë me anëtarët që i përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë

Zgjedhja – Deputetët do të mbyllin sytë përpara vendimit skandaloz të radhës duke mbajtur edhe ata turpin e KLD-së dhe të këtij sistemi, apo do të ndahen përfundimisht nga kjo vendimmarrje

Procedimet? – Shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk kishin asnjë material mbi tavolinë, madje as dosjen e bërë gati për secilin gjyqtar

Shkeljet – Njëri nga gjyqtarët, pranoi se kishte marrë disa dhurata, njëherë 50 mijë euro, njëherë tjetër i kishin falur një makinë, njëherë tjetër 20 mijë euro etj

Gjoni – Vendimi për Gjin Gjonin erdhi krahas vendimeve të tjera skandaloze. Nëse do të shikonit deklarimin e tij të pasurisë, për ta lexuar dhe për ta kuptuar do t’ju duhen disa orë…”

Ministri i Drejtësisë i kërkon Kuvendit të miratojë me shpejtësi ndryshimet në ligjin për KLD-në, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së gjyqtarëve. Deklarata e Nasip Naços ka ardhur vetëm 24 orë, pasi këshilli i rrëzoi të gjitha propozimet për shkarkimet e gjyqtarëve. Madje, ministri bëri edhe një paralelizëm të një pjese të gjyqtarëve me firmën piramidale “Sude”. “Një pjesë e gjykatësve shqiptarë janë kthyer si ish-firma piramidale ‘Sude’, duke fshehur pasuritë të cilat i kanë vënë në mënyrë abuzive dhe të pajustifikueshme”, tha ministri, duke shtuar më tej se “Këshilli i Lartë i Drejtësisë përmes vendimmarrjes vulosi haptazi qëndrimin e vet në kundërshtim të plotë me interesat e publikut dhe të çdo shqiptari për të pasur një sistem drejtësie të drejtë e funksional. Këshilli i Lartë i Drejtësisë pranoi bashkëfajësinë e vet të plotë për gjendjen skandaloze ku ndodhet sistemi i drejtësisë shqiptare”. Ai shtoi se “shfajësimi” që ky këshill u dha gjyqtarëve që skandalizuan mbarë opinionin publik përmes pasurisë së deklaruar, ende të pajustifikuar, është fakti më i fortë se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kthyer në një rrjet ku gjyqtarët mbrojnë njëri-tjetrin, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me interesin e publikut.

Naço, kërkesë Parlamentit

“Si Ministër i Drejtësisë, duke gjykuar të gjitha ngjarjet e fundit, por sidomos vendimmarrjen e fundit flagrante të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shpreh bindjen se qeveria nuk është më në kushtet për të bashkëpunuar me këtë Këshill të Lartë Drejtësie.

Nga ana tjetër, ne i dimë fare mirë limitet që ekzekutivi ka mbi drejtësinë, prandaj e kemi domosdoshmëri për t’iu drejtuar Parlamentit. U takon deputetëve të zgjedhur nga vota e popullit që të shprehen se çfarë do të bëjnë me anëtarët që i përfaqësojnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Do të mbyllin sytë përpara vendimit skandaloz të radhës duke mbajtur edhe ata turpin e KLD-së dhe të këtij sistemi, apo do të ndahen përfundimisht nga kjo vendimmarrje skandaloze dhe do të kontribuojnë për një sistem të drejtë drejtësie?!”, tha Naço, ndërsa vijoi se gjen rastin të ftojë të gjithë qytetarët dhe shoqërinë civile të mos qëndrojnë indiferentë ndaj fenomenit të korrupsionit, por të denoncojnë apo të paraqesin ankesë për çdo gjyqtar dhe prokuror, çdo nëpunës apo aktor të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë.

“Pranoj kallëzime në lidhje me rastet apo praktika korruptive; raste të shkeljeve të ligjit; shkelje të etikës profesionale gjatë ushtrimit të detyrës; apo fshehje të pasurisë. Numri im si ministër i Drejtësisë është i hapur për këdo dhe në çdo moment, për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me secilin qytetar”, vijoi ministri.

Drejtësia me fytyrë të KLD-së

Ministri tha se drejtësia aktualisht ka fytyrën e KLD-së. “Sistemi i drejtësisë sot ka fytyrën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për sa kohë që mbledhjet zhvillohen me dyer të mbyllura, unë do të jem i detyruar që të dal përpara jush dhe t’ju tregoj mbi atë që ndodh atje. Në plan të parë, mund të duket serioze ajo çfarë ndodh brenda mureve të KLD-së, por unë po ju them se të gjitha emisionet humoristike do të kishin material te mjaftueshëm me atë që ka ndodhur dje (pardje), sepse gjithçka ka qenë qesharake”, iu përgjigj ministri Naço pyetjeve. Përkundrejt shkeljeve të vazhdueshme të KLD-së dhe perceptimit se ministri i Drejtësisë do të zgjedhë që në shenjë proteste ta braktisi atë, Naço u deklarua i vendosur se bashkëpunimi me Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të vijojë dhe se pavarësisht faktit se mazhoranca aktuale është e konsoliduar, nuk është qëllim përdorimi i forcës së kartonit në Parlament, pasi synohet një reformë gjithëpërfshirëse, pjesë e së cilës duhet të jetë edhe opozita. “Bashkëpunimi im si ministër me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që prej muajit shtator ka qenë në frymën e ligjit. Ne kërkojmë një sistem të pavarur dhe të përgjegjshëm. Deputetët dhe anëtarët e këshillit të zgjedhur nga Parlamenti duhet të distancohen nga veprimet dhe qëllimet antiligjore të KLD-së”, u shpreh z. Naço.

Vendimet e KLD-së, si repart ushtarak

Ndërkohë, i pyetur në lidhje me vendimin e marrë nga shumica e anëtarëve të KLD-së në lidhje me disa nga gjyqtarët e propozuar për shkarkim nga detyra, por për të cilët kjo kërkesë nuk u pranua, ministri Naço deklaroi se shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk kishin asnjë material mbi tavolinë, madje as dosjen e bërë gati për secilin gjyqtar.

“Anëtarët e KLD-së nuk bënë pyetje, pra e kishin vendosur si repart ushtarak se çfarë do të bënin. Unë, ndërkohë jam i vendosur që ta vazhdojë luftën pa kompromis. Njëri nga gjyqtarët, pranoi se kishte marrë disa dhurata, njëherë 50 mijë euro, njëherë tjetër i kishin falur një makinë, njëherë tjetër 20 mijë euro etj. Ndërkohë, vendimi për Gjin Gjonin erdhi krahas vendimeve të tjera skandaloze të dhëna nga KLD-ja. Unë mund t’ju them që nëse do të shikonit deklarimin e tij të pasurisë, për ta lexuar dhe për ta kuptuar do t’ju duhen disa orë…”, deklaroi Naço. Referuar një tjetër kallëzimi të bërë pak kohë më parë nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, ministri Naço u shpreh se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet fillimisht të “vetëpastrohet” dhe më pas të vazhdojë të kontrollojë të tjerët. “Para disa kohësh ndaj një inspektori të KLD-së nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive u bë një kallëzim për fshehje të pasurisë, ku edhe në këtë rast për ‘dhurata’ bëhej fjalë. Personi nuk dihej se ku i kishte llogaritë bankare. KLD-ja, e cila është e ngarkuar nga ligji që përmes këtij inspektorati të hetojë mbi gjyqtarët, si mund të hetojë kur ai inspektor ka 200 mijë apo 250 mijë dollarë ose euro të falura?! Ky është sistemi?! Këta janë inspektorët?! Këta do të inspektojnë gjyqtarët e tjerë?!”, deklaroi ministri Naço.

Ministri

“Gjyqtari nuk i tregoi as gruas për apartamentin!”

Ministri Naço ka treguar edhe një episod që ndodhi në mbledhjen e fundit të KLD-së. Deklarata erdhi në fund të konferencës dhe shkaktoi mjaft çudi. “Njëri prej gjyqtarëve të propozuar për shkarkim, gjatë deklarimit të djeshëm (pardjeshëm) kishte pranuar se njërin nga apartamentet që dispononte, por që nuk e kishte deklaruar, nuk ia kishte treguar as gruas…”, tha ministri, duke mos përmendur emrin e gjyqtarit. Megjithatë, nga burimet pranë këshillit mësohet se bëhet fjalë për gjyqtarin K.Dh., për të cilin Naço propozoi shkarkimin, por KLD-ja nuk e pranoi.

Sokol Çobo

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button