Deklarimi i valutës në kufi dhe kufizimi i transaksioneve cash, rregullat e reja në pr.ligjin kundër pastrimit të parave
Qeveria, përmes një grupi ndërinstitucional të drejtuar nga Ministria e Financave, ka finalizuar projektligjin e ri “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”. Ky dokument shënon një ndërhyrje strukturore në kuadrin ekzistues normativ, me synim harmonizimin e plotë me paketën më të fundit legjislative të Bashkimit Evropian dhe përditësimin me standardet e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF).
Përafrimi me standardet evropiane dhe Kapitulli 4
Nisma ligjore adresohet specifikisht ndaj detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”. Projektligji transferon plotësisht Direktivën e 6-të të BE-së (2024/1640) dhe rregulloret përkatëse evropiane për mbikëqyrjen e institucioneve financiare, duke reflektuar njëkohësisht gjetjet dhe rekomandimet thelbësore të raporteve të MONEYVAL.
Rregullimi i tregut të kriptoaseteve
Për herë të parë, legjislacioni vendas integron rregulla strikte për asetet virtuale. Projektligji zbaton “Rregullin e Udhëtimit” (Travel Rule) për ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve (CASP). Sipas kësaj dispozite, çdo transfertë e kriptoaseteve duhet të shoqërohet me informacion të plotë, të verifikuar dhe të pandryshueshëm mbi identitetin e dërguesit dhe të përfituesit. Ky detyrim synon eliminimin e anonimitetit në transaksionet virtuale, duke i nënshtruar ato ndaj të njëjtave standarde gjurmueshmërie si transfertat tradicionale bankare.
Kontrolli i parasë fizike dhe kufizimi i transaksioneve
Një shtyllë qendrore e projektligjit është forcimi i kontrollit mbi lëvizjen e parasë fizike (cash) dhe instrumenteve të ngjashme, përfshirë metalet e çmuara dhe kartat e parapaguara.
Në pikat kufitare dhe ndërkufitare sanksionohet detyrimi i deklarimit për çdo shumë të barabartë ose më të madhe se 10,000 euro në hyrje apo dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë. Autoritetet doganore fitojnë kompetencën për të bllokuar përkohësisht fondet, edhe nën këtë prag, nëse ekzistojnë indicie të bazuara për lidhje me veprimtari kriminale.
Lidhur me transaksionet e brendshme, vendoset një kufi maksimal prej 10,000 eurosh për pagesat me para në dorë në transaksionet tregtare brenda vendit.
Ndalohet kategorikisht mbajtja e llogarive anonime dhe përdorimin e aksioneve të prurësit, duke kërkuar konvertimin e detyrueshëm të tyre brenda afateve të përcaktuara.
Fuqizimi i Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF)
Korniza e re zgjeron ndjeshëm kompetencat operacionale të AIF-së. Agjencia pajiset me tagrin ligjor për të pezulluar përkohësisht transaksionet e dyshimta, për të urdhëruar masa monitorimi të thelluara ndaj subjekteve të detyruara dhe për të lëshuar njoftime paralajmëruese mbi tipologjitë e reja të pastrimit të parave apo profileve me rrezik të lartë.
Transparenca dhe raportimi për mallrat e luksit
Për të rritur transparencën e strukturave pronësore, subjektet e detyruara ngarkohen të verifikojnë Regjistrin e Pronarëve Përfitues dhe të raportojnë zyrtarisht pranë autoriteteve çdo mospërputhje të konstatuar brenda një afati 14-ditor. Për më tepër, ligji vendos detyrime të reja raportimi të bazuara në pragje vlere për blerjet e mallrave të luksit:
Mjete motorike mbi vlerën 250,000 euro.
Mjete lundruese dhe fluturuese mbi vlerën 7,500,000 euro.
Sanksione administrative dhe mbikëqyrja
Për të garantuar efektivitetin e zbatimit, kuadri i ri parashikon një regjim të ashpër sanksionues administrativ, në përputhje me parimin e proporcionalitetit. Për shkelje të rënda nga institucionet financiare, gjobat administrative mund të arrijnë deri në 10% të qarkullimit total vjetor. Autoritetet mbikëqyrëse autorizohen gjithashtu të aplikojnë masa korrigjuese shtesë, të tilla si pezullimi i drejtuesve, kufizimi i veprimtarisë operacionale, apo revokimi i plotë i licencave për subjektet që shfaqin mosrespektim të përsëritur të detyrimeve ligjore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.