Dekriminalizimi, Balla i përgjigjet Bylykbashit: Pakti i PD-së , tentativë për largim nga drejtimi i duhur
Nënkryetari i Komisionit për Dekriminalizimin Taulant Balla i është përgjigjur kreut të këtij komisioni Oerd Bylykbashi. Sipas Ballës Partia Demokratike e refuzoi draftin e paraqitur në seancë nga mazhoranca. “ Pakti i PD është tentativë për largim nga drejtimi i duhur”- u shpreh Balla.
Një ditë më parë Bylykbashi bëri me dije se Partia Demokratike ka propozuar nënshkrimin e një pakti që do të mundësojë verifikimin e kandidatëve. Në një deklaratë për mediat, ai ftoi publikisht mazhorancën të nënshkruajë paktin për largimin e të inkriminuarve nga listat e kandidatëve “Jam sot para jush që të informoj opinionin publik se prej dy javësh, Partia Demokratike i ka propozuar mazhorancës nënshkrimin e një pakti mes partive politike për verifikimin e kandidatëve që garojnë për zgjedhjet e 21 qershorit në kuadër të dekriminalizimit dhe largimin menjëherë nga gara të atyre kandidatëve që kanë rekorde kriminale. Prej dy javësh mazhoranca e ka lënë në heshtje dhe pa përgjigje këtë propozim të Partisë Demokratike. Jam sot para jush për të bërë transparencë të plotë të këtij propozimi”, tha Bylykbashi.
Partia Demokratike propozon nënshkrimin e një pakti që do mundësojë:
1 Verifikimin për pasjen ose jo të rekordeve të rënda kriminale, për cilindo nga kandidatët e regjistruar për zgjedhjet e 21 qershorit, nëse një nga subjektet politike nënshkruese të paktit e kërkon këtë.
2 Përdorimin e gjurmëve të gishtërinjve për çdo rast të kërkuar, me qëllim verifikimin e plotë e të saktë të rekordeve kriminale.
3 Tërheqjen e menjëhershme nga gara të kandidatëve që rezultojnë me rekorde të rënda kriminale ose refuzojnë verifikimin e të dhënave të tyre.
4 Partia Demokratike është e bindur se dekriminalizimi është mbi të gjitha vullnet politik dhe se nuk jemi kurrë vonë për ta fituar këtë betejë.
“Partia Demokratike i bën thirrje Kryeministrit Rama dhe mazhorancës të tregojnë vullnetin e tyre politik për të larguar personat me rekorde kriminale nga listat e kandidimit ne zgjedhjet e 21 qershorit, duke nënshkruar pa vonesë këtë pakt politik mes partive dhe duke hapur rrugën për zbatimin e menjëhershëm të tij”, u shpreh Bylykbashi.