Depozitat u rritën progresivisht
Depozitat e klientëve mbeten burimi më i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit për sistemin bankar shqiptar. Ritmi i rritjes së depozitave ka qenë lehtësisht më i lartë krahasuar me një vit më parë, me një vlerë prej 47 miliardë lekësh rritje ose 4.5%, kundrejt nivelit prej 34 miliardë lekësh rritje në vitin 2013.
Një pjesë e mirë e bankave të sistemit ka regjistruar rritje të depozitave gjatë vitit 2014, por ndikimi kryesor ka ardhur nga dy prej bankave më të mëdha. Në dhjetor 2014, vlera totale e depozitave të sistemit arrin në 1.07 trilionë lekë.
Ashtu si në dhjetor 2013, edhe në fund të vitit 2014, pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave është pothuaj e barabartë me peshën e të gjitha monedhave të huaja. Edhe struktura e maturitetit të depozitave mbetet e orientuar nga afatet e shkurtra, ndërsa depozitat me maturitet mbi një vit janë rreth 6%, në të njëjtat nivele si një vit më parë.