Deputetët e LDK-së që kundërshtonin Mustafën, ia dhurojnë votat e Demarkacionit Haradinajt
Ndërkombëtarët po provojnë ta bindin Listën Srpska ta votojë Demarkacionin, ndërsa LDK-ja është unike në votën e saj pro. Janë bindur edhe deputetët e LDK-së që mandatin e kaluar në asnjë mënyrë nuk po i bindeshin Isa Mustafës që luste që Demarkacioni të kalonte dhe të njëjtit refuzonin t’i bënin numrat. Vetëm Vetëvendosja, ose më saktë pjesa e Lëvizjes që e komandon Albin Kurti, janë deklaruar se ajo që po quhet ‘aneks-marrëveshje’ është vetëm një mashtrim i pozitës dhe i Presidentit.
Demarkacionit i duhet edhe kjo javë për të prekur fundin e historisë trevjeçare. Nuk ka konsensus politik, por ka më shumë grupe parlamentare që janë deklaruar se do ta votojnë marrëveshjen, që pritet të dalë në Kuvend gjatë kësaj jave.
LDK-ja ka dalë pro Demarkacionit, por kjo parti votat e deputetëve të saj nuk i kishte as kur vetë e drejtonte Qeverinë. Deputetët e LDK-së që po e kundërshtonin Demarkacionin, duke ia bërë bllokadën më të madhe Isa Mustafës si kryeministër, tani janë të një vije me partinë.
Deputeti Anton Quni, që ishte vetëm njëri nga ata që nuk po i bindej partisë për ta votuar Demarkacionin, ka ndryshuar qëndrim.
Deputeti është bërë më i bindur ndaj partisë, ose e ka bindur ‘aneks-marrëveshja’, por ai në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se qëndrimi i LDK-së pro ratifikimit të Demarkacionit, përfshin të gjithë Grupin Parlamentar të partisë.
E ashtuquajtura “aneks-marrëveshje” thekson dy nene të marrëveshjes së nënshkruar më 2015, ku lejohet korrigjimi i demarkimit të kufirit edhe pasi Projektligji të ratifikohet.
“Komunikata e LDK-së për këtë temë shpreh unitetin e Grupit Parlamentar të LDK-së”, ka thënë Quni për Express.
E, në komunikatën e saj, LDK-ja ka bërë të ditur se e voton Demarkacionin edhe pse kanë akuzuar kryeministrin Haradinaj se kishte kundërshtuar në çdo formë të demarkacionit, ndërsa tash po bën thirrje të votohet e njëjta Marrëveshje.
Edhe deputeti Arben Gashi, që ishte një nga skeptikët rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi, tani thotë se partia është unike për këtë çështje, duke konfirmuar për Gazetën Express se 27 deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së do të jenë për ratifikimin e Demarkacionit.
“Ky proces akoma nuk është final, por partia është unike, të shohim si do të zhvillohen ngjarjet”, është shprehur Gashi.
Nëse uniteti për të cilin flet Quni ekziston, do t’i japë 27 votat e LDK-së pro Demarkacionit, që me votat e pozitës dhe me votat e pakicës joserbe, grumbullojnë 75 vota. Nevojiten edhe 5 vota të Listës Srpska, për ta arritur dy të tretën.
Megjithatë, enigmë mbetet vota e 10 deputetëve të Vetëvendosjes, të udhëhequr nga Visar Ymeri dhe Dardan Molliqaj, të cilët nuk dihet nëse kanë qëndrim të njëjtë me pjesën e VV-së për të cilët pyetet e flet Albin Kurti. Deputetët e krahut të Molliqajt befasuan të dielën kur morën pjesë në seancën solemne, madje edhe nderuan himnin e flamurin, ndërsa nuk dihet nëse do të veprojnë ndryshe nga Kurti edhe në seancën e Demarkacionit.
Gazeta Express ka provuar të marrë një përgjigje nga deputeti Dardan Molliqaj për qëndrimin e tij dhe të “ndjekësve” të tij rreth Demarkacionit, por Molliqaj ka respektuar rregullin e vetëm të partisë së tij, duke mos iu përgjigjur Expressit.
Refuzuesi tradicional i qëndrimeve të PDK-së, deputeti Nait Hasani, kësaj radhe ka mbetur pa fjalë. Pas nënshkrimit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ku deputetët u tradhtuan nga krerët shtetërorë, siç duket Hasani, nuk preferon t’i komentojë temat e mëdha që kalojnë nëpër Kuvend.
Ai për Expressin tha se “nuk di gjë”, kur pyetet nëse për të është e kënaqshme Deklarata e Presidentit Thaçi me homologun e tij malazias, që pasi të ratifikohet Marrëveshja, të ketë mundësi korrigjimi, nëse palët pajtohen se është e nevojshme.
Deputeti Hasani nuk ka treguar as nëse kur të dalë në votim Demarkacioni, vota e tij do të jetë pro ose do të vazhdojë të mendojë se Kosova po humb tokë.
Mediet kanë raportuar se deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë se Demarkacioni nuk është parësor dhe se fillimisht duhet të krijohet bashkësia e komunave, më tej Demarkacioni.
Ndërsa, ndërkombëtarët janë aktivizuar që të bindin serbët që t’ia japin votën Demarkacionit, në mënyrë që të përfundojë çështja për të cilën lobojnë tash e tri vjet.
Kryeministri Ramush Haradinaj pas mbledhjes së sotme ku u tërhoq Projektligji i mëparshëm, të cilit tani do t’i shtohet edhe aneks-marrëveshja, tha se Demarkacioni duhet të votohet më së largu deri pasnesër.