Politika

Deputetët nga anëtarësia, dy britanikët që po këshillojnë PD-në

Anëtarësia e PD-së do të ketë fuqi të plotë në zgjedhjen e përfaqësuesve demokratë në parlament dhe në pushtetin lokal. Një grup pune nga Partia Konservatore Britanike po ndihmon PD-në në modernizimin e saj, duke nisur me modelin e ri të përzgjedhjes së kandidatëve. PD është në fazën finale të përgatitjes së modelit për përzgjedhjen e kandidatëve të saj nga anëtarësia. Për këtë qëllim, janë prej tri ditësh në selinë e PD-së Davis Jones, kryevlerësuesi i Komitetit të Seleksionimit të Kandidatëve të Partisë Konservatore Britanike dhe Joy Morrissey, ish-kandidate konservatore për Bashkinë e Londrës. Përfaqësuesit e lartë të Partisë Konservatore Britanike po ndihmojnë Partinë Demokratike, duke ofruar përvojën e konservatorëve britanikë në procesin e përzgjedhjes se kandidatëve demokratë për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Bazuar në modelin britanik të Partisë Konservatore, Partia Demokratike ka përgatitur mënyrën e seleksionimit të kandidatëve të saj, që do të bazohet në tri faza kyçe: “Ngritjen e komisionit të seleksionimit të kandidatëve. Përcaktimin e kritereve dhe standardeve për aplikantët që duan të kandidojnë.

Procesin e seleksionimit të kandidatëve përpara votimit nga anëtarësia”. Përfshija e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve është risi jo vetëm për Partinë Demokratike, por për të gjithë politikën shqiptare. Asnjë forcë politike në Shqipëri nuk ka zbatuar këto standarde perëndimore, që e bëjnë procesin e seleksionimit të kandidatëve në Partinë Demokratike një proces transparent, demokratik dhe të bazuar në meritë. Me modelin e saj të ri, Partia Demokratike reflekton kërkesën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për ta lidhur direkt kandidatin me zgjedhësin. Modeli britanik që do të zbatohet në Partinë Demokratike i shërben kësaj partie edhe si një veting brenda partisë, i cili jep mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve më të përshtatshëm që do të përfaqësojnë PD-në në parlament dhe në pushtetin lokal. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, para dy ditëve gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit Politeknik prezantoi sistemin e ri të përzgjedhjes së kandidatëve, duke theksuar se kërkon demokratizimin e PD-së dhe ka mbështetjen e partnerëve perëndimorë.

“Unë jam i vendosur ta demokratizoj dhe modernizoj PD-në dhe për këtë kam mbështetjen e botës perëndimore, të Partisë Konservatore, të Partisë Kristiandemokrate të Partisë Republike të SHBA. Sistemi që ne do të adoptojmë është një sistem që e hap PD-në. E hap ndaj çdokujt që ndan vlerat tona dhe i jep mundësi përmes garës që të kontribuojnë. Që të ndryshojë politika, duhet të ndryshojnë partitë politike. Nëse brenda partive e gjithë vendimmarrja është në dorën e një njeriu, në rastin konkret të kryetarit të partisë që bën listën e deputetëve, ashtu do të jetë nesër edhe shteti, në dorën e një njeriu. Ne do t’i japim fund kësaj praktike, duke nisur brenda PD-së sot dhe nesër në qeverisje”, tha z.Basha. “Me procesin e zgjedhjes së kandidatëve – shtoi ai – ne do të ndjekim modelin evropian, do të mundësojmë që çdokush që ka interes të përfaqësojë politikisht qytetarët, komunitetin, në çdo nivel, kryebashkiak apo deputet të kenë mundësi të kandidojnë. Do ta bëjmë këtë duke u pamundësuar kandidimin personave me rekorde kriminale apo atyre që nuk janë të aftë. Britanikët po na ndihmojnë që ne të ndërtojmë një mënyrë të zbatimit të këtyre rregullave”, tha z.Basha.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button