Deputeti i Bundestagut gjerman: Pro hapjes së negociatave për Shqipërinë
Muajin tjetër ka një vendim të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Bashkimin Europian.
Deputeti i SPD në Bundestagun gjerman Metin Hakverdi anëtar i Komitetit për çështjet e Bashkimit Europian në Bundestag po zhvillon një vizitë në Shqipëri ku ka pasur një takim me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ndërsa ka ndjekur edhe seancën e sotme plenare.
Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Hakverdi tha se, “duam të kemi progres sa i përket zgjerimit të BE. Jemi dakord për këtë proces dhe kemi qenë dakord për shumë kohë”.
“Procesi i zgjerimit nuk është vetëm në favor të Shqipërisë, por të gjithë Bashkimit Europian. Jam optimist jo vetëm për hapjen e negociatave, por edhe për progresin e mëtejshëm”, tha Hakverdi.
Ndërsa Balla u shpreh se, “SPD gjermane, pjesë e koalicionit qeverisës së Gjermanisë, që drejton disa ministri, është një mbështetëse e madhe e procesit të zgjerimit të mëtejshëm në BE, por ajo që është më e rëndësishme për ne është që social-demokratët gjermanë mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe një vendim pozitiv të Këshillit Europian më 28 qershor”.