Deputeti socialist: PS nuk mbron askënd që përballet me Drejtësinë! Numri i lartë i të paraburgosurve ka tmerruar Këshil
Deputeti i PS, Erion Malaj shprehet se Partia Socialiste nuk përkrah dhe nuk mbron askënd që përballet me drejtësinë. Ai mori si shembull edhe rastin e drejtoreshës së shkarkuar të SHISH, Vlora Hysenit, për të cilën tha se kryeministri Rama e shkarkoi menjëherë nga detyra, pas masave të sigurisë të vendosura me kërkesë të SPAK ndaj saj.
Malaj nxori në pah edhe qëndrimet e kundërta të opozitës, kur tha se deri dje PD e sulmonte SPAK, ndërsa sot që po goditen zyrtarë të lartë të PS, sipas tij, PD i kërkon llogari që të veprojë më shpejt.
“Opozita më parë e quante me emër tjetër këtë institucionin që sot e trumbeton që të veprojë. E quante SKAP. Sot ja ka gjetur emrin e saktë, sepse po godet në persona që kanë qenë në institucionet shtetërore. Përgjegjësia është individuale. Përgjegjësia politike është një gjë tjetër, që edhe në rastin konkret, kryeministri ka vepruar menjëherë duke e shkarkuar personin në fjalë, që duhet të përballet me drejtësinë”, tha mes të tjerash Malaj.
Ai shtoi gjithashtu se çdo person apo zyrtar duhet të prezumohet i pafajshëm, deri në momentin që fajësia e tij nuk është provuar. Sipas tij, numri i lartë i të paraburgosurve në Shqipëri e ka alarmuar Këshillin e Europës. AI shtoi se nuk mund të bëhet gjyq publik ndaj askujt që është nën hetim.
“Kemi harruar komplet dhe kemi arritur në një pikë që e quajmë fajtor cilindo që sot është nën hetim. Ndërkohë që botërisht është e njohur që çdo individ deri në momentin që provohet i fajshëm, prezumohet i pafajshëm. Këtë situatë e kemi prej vitesh. Unë këtë situatë e kam thënë edhe kur bëhej fjalë për elementë të lidhur, apo pjesë e opozitës. E kam thënë edhe kur bëhej fjalë për kryetarin e opozitës. Pra, që deri në momentin që ai dënohet, prezumohet i pafajshëm. Kështu që duhet t’i qëndrojmë kësaj, në të kundërt do bëjmë të njëjtat gabime që janë bërë dikur, gjë që kjo mazhorancë nuk mund ta lejoj. Dhe diçka tjetër që është alarmante, është numri i të paraburgosurve, që e ka tmerruar Këshillin e Europës. Këto janë rezultate të këtyre gjuetive të shtrigave që bëhen për individë të caktuar edhe kur janë nën hetim. Pra është nën hetim tjetri, mund të dalë i pafajshëm. Nuk mund të bëhet gjyq publik për cilindo që është nën hetim. Kjo është e padrejtë”, shtoi Malaj.
Në përfundim Malaj shtoi se përgjegjësia e gjithësecilit që hetohet nga SPAK është personale, pasi sipas tij, nuk është nën hetim institucioni.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.