Deputeti socialist Tom Doshi: Ka ardhur koha për ndryshime në Qeveri
Deputeti socialist Tom Doshi është i pari që kërkon ndryshime në kabinetin qeveritar. Nga Kryesia e Kuvendit ai ka deklaruar për mediat se “ka ardhur koha për ndryshime në Qeveri. Shumë ministra janë konsumuar. Megjithatë, nuk është koha për të folur për emra.”
Lidhur me “shpërthimin” e tij të djeshëm në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ai sqaroi se “shqetësimet që ngrita janë shqetësime të bazës”
Dje, gjatë mbledhjes së grupit të drejtuar nga Ruçi, mësohet se Doshi i ka kërkuar atij “të ulemi e të diskutojmë ndarjen e zonave, që ajo të mos vendoset vetëm nga Kryeministri.” Ai ka kërkuar edhe thirrjen e një takimi me kryeministrin për të folur për ministrat pa performancë. “Ministrat nuk i hapin telefonin deputetëve. Deputetët përdoren vetëm për fushatë elektorale. Të kërkohet largimi i ministrave që nuk kanë performancë të mirë” ka deklaruar ai. Përveç ministrave, Doshi ka akuzuar ashpër edhe drejtoreshën e Doganave, Spiropali dhe atë të Tatimeve, Shehaj.