Politika

Deputeti Ulqini: Meta nuk ka shanse që të shpërndajë parlamentin, pavarësisht dëshirës

Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini deklaroi sot “Ilir Meta ka shtuar numrin e shkeljeve Kushtetuese me ngërçin ku ka futur Gjykatën Kushtetuese, prandaj shumica i është drejtuar Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij me prova të reja”.

I ftuar në një studio televizive, Ulqini tha se “Meta nuk ka shanse që të shpërndajë parlamentin, pavarësisht dëshirës”.

“Presidenti ka shtuar numrin e shkeljeve, kemi bërë një dokument parlamentar dhe e kemi bërë të qartë këtë gjë. Meta do të kishte dëshirë të jashtëzakonshme politikisht ta shpërndante parlamentin, por nuk ka asnjë mundësi. Kjo sepse në Kushtetutë thuhet se Shqipëria është Republikë parlamentare jo presidenciale. Ai mund ta ndërmarrë dekretin, por do të ndodhë më keq se me dekretin për zgjedhjet vendore”, tha Ulqini.

Ai shtoi se “Presidenti është qartësisht në konflikt interesi, se të gjithë sulmin e ka ndaj KED, Kushtetueses dhe Parlamentit”.

“Presidenti nuk ka mundësi të shpërndajë Parlamentin. Ne po listojmë edhe një tjetër shkelje. Kuvendi mund të shtyjë punën e komisionit nëse është e nevojshme”, tha ai.

Ulqini shprehu po ashtu keqardhjen e thellë për qëndrimin e Metës ndaj ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt. “Keqardhje e jashtëzakonshme. Gjithë kjo histeri kundër ndërkombëtarëve”, tha Ulqini, duke shtuar se “nuk besoja se në Shqipëri një ditë do të silleshin kështu ndaj aleatëve tanë strategjikë”.

Ulqini tha se “nuk ka menduar se Meta do të kishte këtë raport me këtë shumicë që e ka zgjedhur kryetar parlamenti dhe president”.

“Por lufta politike dhe pushteti ka ecur në një mënyrë të tillë. Gjithçka që po bën Presidenti më ngjan me një cunam që adresohet drejt Reformës në Drejtësi, po bëhen përpjekjet për ta bllokuar dhe tregon se kush po përpiqet që ta bllokojë”, tha Ulqini.

Sa i takon reformës zgjedhore, Ulqini tha se “për herë të parë jemi në normalitet, pasi PD-ja po diskuton dhe kjo është një gjë shumë e mirë”. “Pastaj për financimet ka diskutime dhe vetë opozita është e ndarë, por më në fund erdhëm atje ku filloi”, tha ai

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button