Dëshmia për vrasjen e Santos, PD: Policia dhe qeveria të përfshirë në krim. Prokuroria të nisë urgjent hetimet
Partia Demokratike ka akuzuar policinë e shtetit se me fshehjen e dëshmisë okulare për vrasjen e bankierit Artan Santo dhe mosarrestimin e personave të dyshuar të denoncuar nga dëshmitari tregon përfshirjen në këtë krim të rëndë të qeverisë dhe vetë policisë. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti demokrat Eduart Halimi theksoi se kjo situatë, ku policia nuk arreston të dyshuarit për krimin, por sulmon dëshmitarët dhe median është e rëndë dhe kritike, për sigurine publike në vend, për jetën e qytetareve, për mbrojtjen e krimit në vend të sundimit të ligjit.
“Me faktet e dëshmitarit policia duhej të kishte një provë më shumë për të zbardhur vrasjen mafioze, por në fakt qytetaret kanë një provë më shumë për fshehjen me dashje nga shteti të vrasjes mafioze, për lejimin e vrasësve të shëtisnin lirshëm me targa para vrasjes dhe pa targa ditën e vrasjes në qender të kryeqytetit, për lejimin e tyre të largoheshin nga Tirane pa ngritur asnjë postbllok të vetëm policie për më shumë se 1 orë nga ngjarja. Me dëshminë e djeshme, qytetaret kanë një provë më shumë për vrasësit por dhe për përfshirjen e qeverisë në këtë krim mafioz.
Në një shtet ku sundon ligji, policia dëgjon dëshmitarët, i merr në mbrojtje ata, falenderon qytetarët dhe median që ndihmon në zbardhjen e krimit, arreston menjëherë të dyshuarit dhe i jep shpresë qytetareve, se ata do përballen me ligjin.
Por kronika e dëshmitarit dje tregon të njëjtën histori se qytetarët dëshmojnë por ata nuk mbrohen nga policia, madje as pranohet dëshmia e tyre, sepse më e rëndësishme se lufta ndaj krimit, është mbrojtja e krimit.
Kronika e djeshme tregon se krimi ka emër, vrasësit kanë emra, mjeti me të cilin është kryer krimi ka numra, mafia ka fytyrë. Moskryerja e veprimeve për të zbuluar, identifikuar dhe ndaluar autorët e dyshuar të krimit mafioz të vrasjes së bankierit Artan Santo, përbën krim sipas Kodit penal Shqiptar. Moskryerja e veprimeve për të mbrojtur dëshmitaret kur këtë detyrë e ke të ngarkuar nga ligji, përbën krim sipas Kodit penal Shqiptar. Krime që tronditin po aq shumë sa nje vrasje, kur ata që kanë për detyrë të sulmojnë krimin, sulmojnë deshmitarët dhe median, dhe mbrojnë krimin dhe mafian”, tha Halimi.
Në emër të PD deputeti demokrat i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit ‘të nisë urgjentisht hetimet, sot, t’i nisë tani, për cilindo që refuzoi të kryente detyrën dhe pengoi zbardhjen e krimit, të marrë nën përgjegjësi penale të gjithë, pa as më të voglin përjashtim dhe të shpëtoje cçarë mund të shpëtohet, për t’i shkuar çështjes deri në fund duke zbuluar autorët e krimit mafioz, po aq dhe ata që i ndihmuan të mos zbuloheshin.
“Vetëm një hetim i shpejtë, efikas dhe gjithëpërfshirës i Prokurorisë sot, në lidhje me moskryerjen e veprimeve, pas deklaratave të dëshmitarit do të çojë ne një shteg i sigurt, tek vrasja e bankierit Santo, që tronditi mbarë opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.
Tradhtia publike e dëshmitarëve nga qeveria, e personave që kanë informacion për krimet e rënda dhe vrasjet mafioze, është krim i rëndë qeveritar dhe duhet të ndëshkohet.
Vetëm ndëshkimi i atyre që tradhtuan dëshmitarët okulare, do të mund të japë shpresë se ligjin në këtë vend e bën shteti dhe jo krimi dhe mafia.
Ne jemi besimplotë se Prokuroria e Shtetit do të dijë të jetë në lartësinë e detyrës së saj kushtetuese për të përballur gjithkënd që shkeli ligjin duke tradhtuar dëshmitarët, që shkeli ligjin duke injoruar dëshmitarët, që shkeli ligjin duke mbrojtur krimin dhe duke sulmuar dëshmitarët dhe median për të shpëtuar nga ndëshkimi.
Inkurajojmë prokurorinë dhe presim bashkë me qytetarët të marrim shenjat se këtu sundon ligji dhe krimi duhet të ndëshkohet sa më shpejt, pa vonesë”, përfundoi deklarata e deputetit të PD.