Dështon propaganda e Beogradit në Zvicër: Parlamenti voton rritjen e trupave në Kosovë, ambasadori i Kosovës akuzon ambasadorin serb për gënjeshtra
Parlamenti i Zvicrës ka votuar të enjten me një shumicë të konsiderueshme për zgjatjen e misionit ushtarak zviceran në kuadër të KFOR-it në Kosovë deri në vitin 2029, duke miratuar gjithashtu rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë deri në 300. Ky vendim u mor për të mbushur zbrazëtitë e sigurisë në Ballkan, të krijuara nga tërheqja e trupave evropiane drejt krahut lindor të NATO-s dhe Ukrainës.
Megjithatë, në prapaskenë është zbuluar një aksion propagande dhe lobimi nga ana e Serbisë brenda parlamentit të Zvicrës. Sipas gazetës “Neue Zürcher Zeitung”, përpara se të niste debati në parlament, Partia Popullore e Zvicrës (SVP) – e cila doli e vetme kundër pranisë së trupave zvicerane në Kosovë – u furnizua direkt me dokumente propagande nga Beogradi.
Ndërlidhësi kryesor i kësaj linje doli të ishte deputeti i SVP-së, Christian Imark. Gjatë seancës, Imark mori fjalën dhe pretendoi se pakica serbe në veri të Kosovës po përballet me shkelje të të drejtave të njeriut.
Ai pyeti me provokim ministrin e Mbrojtjes, Martin Pfister nëse qeveria e kishte pranuar listën e këtyre shkeljeve dhe çfarë po bënte Zvicra kundër kësaj situate.
Kjo listë pretendimesh dhe ankesash u ishte shpërndarë parlamentarëve zviceranë nga Ivan Trifunoviq, ambasadori i Serbisë në Zvicër. Trifunoviq, i njohur më parë si një lobist agresiv serb në SHBA, tentoi të përdorte të njëjtat metoda në Bern. Ai akuzoi hapur qeverinë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për shtypje sistematike ndaj serbëve, duke bërë një krahasim absurd me ngjarjet e vitit 1999 dhe duke deklaruar për gazetën NZZ se nëse kjo vuajtje nuk merr fund, nuk mund të ketë paqe.
Ambasadori i Kosovës në Bern, Mentor Latifi, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke e cilësuar krahasimin e bërë nga Serbia si një tallje të pastër dhe thjesht një gënjeshtër. Latifi kujtoi se Kosova është një vend ku janë të stacionuara misione ndërkombëtare të paqes si OSBE-ja, gjë që bën të pamundur çdo lloj pretendimi për shtypje sistematike. Kosova po prosperon dhe është në rrugë të suksesit, dhe pikërisht kjo nuk i pëlqen Beogradit.
Më tej, ambasadori Latifi argumentoi se prania e NATO-s është ende e nevojshme edhe për shkak të rolit destruktiv të Serbisë në rajon dhe sidomos ndaj Kosovës. Si provë të pakontestueshme ai solli sulmin e vjeshtës së vitit 2023, ku një grup i armatosur serb u barrikadua në një manastir ortodoks me ç’rast u vra një polic i Kosovës dhe si kundërpërgjigje u likuiduan 3 terroristë serbë.
Latifi theksoi se sulmi në Banjskë ishte një sulm terrorist i organizuar nga vetë Serbia, duke shtuar se pajisjet moderne ushtarake të sulmuesve lanë zero dyshime për përfshirjen e Beogradit.
Në analizën e tij, Latifi paralajmëroi politikanët zviceranë se qëllimi i vërtetë i Serbisë është të provokojë tërheqjen e të gjitha trupave paqeruajtëse, në mënyrë që Kosova të mbetet e pambrojtur përballë fqinjit të saj agresiv. Sa i përket të drejtave të minoriteteve, ai deklaroi se Kosova po bën përpjekjet maksimale për t’i integruar serbët. Mirëpo, njerëzit atje ndodhen mes dy zjarreve, pasi qeveria e Kosovës shtyn përpara integrimin e tyre, ndërsa Beogradi zyrtar e bllokon këtë proces.
Në fund, argumentet e palës kosovare dhe domosdoshmëria e stabilitetit në Ballkan – e mbrojtur edhe nga ministri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister – bindën parlamentin e Zvicrës të rrëzonte propagandën e dyshes Trifunoviç-Imark dhe të votonte pro qëndrimit dhe fuqizimit të ushtrisë zvicerane në Kosovë.
Ambasada e Serbisë në mënyrë konsekuente është duke e përdorur një deklaratë të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili nga pala serbe citohet të ketë thënë se qeveria e Kosovës po sillet ndaj komunitetit serb si regjimi i Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve në vitet 1990-të.
Para disa ditësh në Bern qëndroi Jovana Radosavleviq, e cila me vite të tëra ka qenë aktiviste e shoqërisë civile në veri të Kosovës dhe në zgjedhjet e fundit kandidoi për Listën Serbe. Ambasada e Serbisë organizoi edhe një takim të Radosavleviq me deputetë zviceranë, ku ajo foli për gjoja shkeljen e të drejtave të njeriut të serbëve në Kosovë.
Mes deputetëve të pranishëm gjatë prezantimit të Radosavleviq ishte edhe deputeti zviceran Christian Imark nga partia SVP. Kjo parti prej dekadash zhvillon një fushatë të egër kundër shqiptarëve në Zvicër. Disa krerë të kësaj partie janë dënuar nga drejtësia zvicerane për racizëm ndaj shqiparëve. Politikanë të kësaj partie dhe revista “Weltwoche”, e afërt me SVP, vazhdimisht atakojnë komunitetin shqiptar.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.