Dështon seanca për shkarkimin e Mandiqit: mungesë kuorumi, DPS-ja ndërpret bashkëpunimin me qeverinë
Seanca e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, nuk u zhvillua të enjten, pasi shumica e deputetëve të qeverisë nuk erdhën në sallë. Partia Demokratike e Socialistëve akuzoi Mandiqin se u largua nga salla pa lejuar as verifikimin e kuorumit dhe njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit institucional me qeverinë dhe shumicën.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Malit të Zi për shkarkimin e kryetarit Andrija Mandiq, e planifikuar për të enjten nga ora 12:00 deri në 14:00, nuk u zhvillua fare. Shumica e deputetëve të mazhorancës qeverisëse munguan në sallë, duke e bërë të pamundur sigurimin e kuorumit të nevojshëm për nisjen e punimeve.
Para se seanca të hapej, opozita kërkoi verifikimin e kuorumit, transmetimin e drejtpërdrejtë të punimeve dhe lejimin e gazetarëve në sallë. Shërbimi i Kuvendit nuk i hapi dyert medias, ndërkohë që Mandiq nuk i pranoi kërkesat e opozitës. Mes debateve të forta, kryetari i Kuvendit u largua nga salla, ndërsa deputetët e DPS-së i thirrën se po “ia mbathte”. Propozimi për shkarkim nuk u hodh kurrë në votim.
Në sallë ndodheshin vetëm pak deputetë: nga Forumi Shqiptar ishte Artan Çobi dhe nga Aleanca Shqiptare Ilir Çapuni, ndërsa deputeti tjetër shqiptar Nikolla Camaj mungoi. Forumi Shqiptar kishte paralajmëruar se do të votonte pro shkarkimit të Mandiqit, duke e konsideruar të papranueshëm glorifikimin e Ratko Mlladiçit. Nga Demokracia e Re Serbe nuk erdhi askush përveç vetë Mandiqit; munguan gjithashtu Lëvizja Europa Tani dhe Demokratët.
Pas dështimit të seancës, kreu i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijel Zhivkoviq, njoftoi ndërprerjen e çdo bashkëpunimi institucional me qeverinë dhe shumicën parlamentare, derisa deputetëve t’u mundësohet votimi për shkarkimin e Mandiqit. Zhivkoviq e akuzoi kryetarin e Kuvendit se “e mbylli parlamentin” vetëm për t’i shpëtuar shkarkimit.
Në mesazhin e tij pas dështimit të seancës, Mandiq falënderoi deputetët që nuk morën pjesë në atë që e quajti “një debat tjetër për të kaluarën e errët”. Ai deklaroi se “serbët nuk do të jenë më kurrë qytetarë të rendit të dytë” dhe paralajmëroi rritje pagash e pensionesh duke filluar nga Viti i Ri.
Nisma për shkarkimin e Mandiqit u paraqit nga DPS-ja më 7 shtator, pas telegramit të ngushëllimit që ai i dërgoi Darko Mlladiçit me rastin e vdekjes së të atit, Ratko Mlladiçit. Ngushëllimet e kryetarit të Kuvendit u konsideruan nga Forumi Shqiptar dhe opozita si glorifikim i një krimineli të dënuar për gjenocidin në Srebrenicë.
Burimi: Report TV / Najnovije.me



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.