Detajet e dosjes/ Nga akuzat për vrasje, te grupi i Laert Haxhiut! Kristi Bixheku del nga burgu, si “iu zbritën” vitet e d
Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Kristi Bixhekut nga paraburgimi, i cili ishte akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit të Laert Haxhiut. Vendimi u mor duke arsyetuar se ai e kishte përfunduar tashmë dënimin e dhënë nga shkalla e parë.
Apeli ka pranuar kërkesën e Bixhekut, ka konstatuar shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm, me kusht që të mos mbahet në burg për ndonjë çështje apo dënim tjetër. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar SPAK-u.
Kristi Bixheku ishte arrestuar në Holandë më 4 mars 2025, në kuadër të procedurës për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Më 14 mars 2025 ai ishte ekstraduar dhe kishte vijuar qëndrimin në paraburgim në Shqipëri.
Sipas arsyetimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, edhe periudha e qëndrimit në paraburgim në Holandë për efekt ekstradimi duhet të llogaritet në kohën e paraburgimit.
Bixheku ishte dënuar nga GJKKO më 9 qershor 2026 me 3 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u përcaktuar në 2 vjet e 4 muaj burgim, ose 28 muaj.
Apeli ka zbatuar edhe rregullin sipas të cilit një ditë paraburgimi llogaritet si një ditë e gjysmë burgim. Sipas përllogaritjeve të gjykatës, dënimi prej 28 muajsh ishte përmbushur më 24 shtator 2026.
Në datën 3 tetor, kur Apeli shqyrtoi kërkesën, Bixheku kishte konsumuar, sipas përllogaritjes së gjykatës, 2 vjet, 4 muaj e 12 ditë burgim.
Një element i rëndësishëm i vendimit është fakti se dënimi i dhënë nga GJKKO më 9 qershor nuk kishte marrë ende formë të prerë, pasi çështja ishte ankimuar dhe ndodhej në Apel
Megjithatë, Apeli ka arsyetuar se kjo rrethanë nuk mund të justifikojë vijimin e privimit nga liria, në një kohë kur koha e paraburgimit e përllogaritur sipas ligjit kishte tejkaluar masën e dënimit të caktuar nga shkalla e parë.
Gjykata i është referuar nenit 261/1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e sigurimit shuhet kur kohëzgjatja e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit të caktuar.
Për këtë arsye, Apeli ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Bixhekut, nëse ndaj tij nuk ekziston ndonjë masë tjetër apo dënim që e pengon lirimin.
Çështja ndaj Kristi Bixhekut lidhet me procedimin penal nr. 227/2023 të SPAK-ut. Në kuadër të këtij procedimi, ai ishte akuzuar ndër të tjera për “Shkatërrimin e pronës me eksploziv”, “Grupin e strukturuar kriminal”, kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal, mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, eksplozivëve dhe municionit, si dhe sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve.
Në dosje përmenden episode të ndodhura në Lushnjë, përfshirë ngjarjet ndaj Bujar Turku dhe Resmije Turku, si dhe një episod që lidhet me Genci Hildën.
Megjithatë, GJKKO e Shkallës së Parë e kishte shpallur Bixhekun të pafajshëm për disa prej akuzave kryesore, duke vlerësuar se nuk provohej kryerja e tyre nga ana e tij
Në përfundim, përgjegjësia penale për të cilën u dënua ishte “Përkrahja e autorit të krimit”, dënim që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 4 muaj burgim.
Me vendimin e fundit, Gjykata e Posaçme e Apelit ka konstatuar se kjo kohë ishte konsumuar dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.