Detyrimet e prapambetura, ministria e Financave alokon 9.1 miliardë lekë për 2015
Ministria e Financave ka alokuar 9.1 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura deri në fund të javës që lamë pas.
Sipas të dhënave nga ministria e Financave, deri më datë 4 shkurt 2015, sipas kategorive janë alokuuar si shpenzime të prapambertura për investimet publike 5.1 miliardë lekë,shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.2 miliardë lekë.
Po ashtu referuar të dhënave nga ministria e Financave, janë alokuar 3.8 miliardë lekë si detyrime për vendimet gjyqësore, shpronësimet dhe emergjencat dhe shpërblimet për lindjet.
Sipas ministrisë së Financave, procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura është duke u monitoruar dite pas dite nga Ministria e Financave në mënyrë që të parandalohet çdo pengesë dhe vështirësi në kryerjen në kohë dhe sa më shpejt të këtij procesi.
Qeveria shqiptare ka programuar që për këtë vit të shlyejë rreth 20 miliardë lekë për biznesin, i cili ka kryer punë dhe shërbime publike. Sipas strategjisë së hartuar nga ministria e Financave, shlyerja e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare u shtri në një afat kohor prej tre vitesh, konkretisht në periudhën 2014-2016. Në vitin 2014, qeveria ka paguar 35 miliardë lekë ose gati gjysmën e detyrimeve totale. Pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë lekë në 2015 dhe 17.5 miliardë lekë të tjera në vitin 2016.